Haxhi Avdyli e shpërndan pagën e parë si deputet për familjet në nevojë

Në ditët kur opinioni po kërkon nga Kuvendi, përmes një peticioni online, që të mos u japë paga deputetëve të Kuvendit meqë ai nuk është konstituuar ende tërësisht, deputeti prizrenas nga radhët LDK-së, Haxhi Avdyli, pagën e parë të marrë nga Kuvendi i Kosovës ka vendosur ta ndajë për skamnorët.

Ai e ka konfirmuar këtë përmes një postimi në Facebook.

“Dje ishte dita kur më doli paga e parë e deputetit prej 1300 Euro. Sot, në vigjilje edhe të festës së Kurban Bajramit kam vendosë që kjo pagë t’u kthehet qytetarëve në nevojë”, shkroi Avdyli.

“Në konsultim me Petrit O. Hoxhaj dhe Artan Hoxha kemi identifikuar një familje me të ardhura të ulëta e cila ka në proces ndërtimin e shtëpisë dhe do përfitojë 500 euro. Shuma e mbetur do ndahet për 19 familje të përzgjedhura me kujdes në shuma nga 20 deri 50€. Për shkak të diskrecionit nuk do postoj as emra as foto dhe nuk do ia dorëzoj asnjërit shumën personalisht por përmes miqve të lartëcekur”, shkroi Avdyli.

“Urime ju qoftë Kurban Bajrami këtyre familjeve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës” ka shkruar deputeti Avdyli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button