QYTETI PA LIBRARI

Këto ditë në vendin e ngjarjes mësova lajmin që shpresoja të jetë dezinformatë. Por, vërtet Libraria e Çarshisë së Shkupit redizajnohej, sipas meje, për të keq. Nuk paskësh qenë thashetheme, mendova dhe më erdhi për të qarë.

Planifikohet, më tha pronari, që të aneksohen tavolina të reja aty ku deri dje qëndronin rraftet  kryesisht me botime tiranase. Do të ketë më shumë tryeza për më shumë fitime. Por kur biznesi nuk bëhet nga zorti i madh financiar, fuqishëm besoj se puna me zemër dhe për interes të përgjithshëm sjell poashtu dobi. Dobia, edhe këtë fortë e besoj, nuk matet ekskluzivisht me pare. Ajo prodhon qar në shtigje më të gjata, pasi energjia që lëshojmë në kosmos nuk ka si të mos kthehet për të mirë.

…kishte kohë që ëndërroja, e kisha folur edhe me autoritete (jo)qeveritare se sa i duhet kësaj pjese të qytetit, filimisht me një input financiar, prania më e madhe kulturore. Përmes kafe-librarive të vogla, butiqeve me modë të dizajnerëve lokalë të modës, galerive ku do të ekspozoheshin formate të vogla pikturash dhe vizatimesh të artistëve vendas figurativë, vendi më i bukur i qytetit mund të bëhej akoma më i bukur dhe më i gjallë. Përveç kësaj ka mjaft dyqane që rrinë bosh me vite e që mund të shndërrohen, me pak adaptime, në atelje për qëndrime rezidenciale të artistëve vendorë dhe të huaj.

…hapjen e Librarisë më vitin 2012 e mora si shenjë ogurbardhë për frymën e munguar kulturore në Çarshi. Shkoja shpesh për të kërkuar ndonjë titull, anise jorrallë nuk e gjeja. Ndodhnin aty shpesh promovime dhe ngjarje tjera kulturore. Njëherit mungonin libra mbi tavolina që të krijonin shenjën dalluese si një kafeteri e veçantë. Por përsëri ishte ndjenja e mirë që më në fund në qytet u hap një lokal ku ofrohet libri shqip. Në të gjitha rastet kur në rrethin tim familjar apo miqësor lindte fëmijë, synetohej apo festonte ditëlindjen, dihej vendi ku drejtohesha – ajo kthina më e dashur për mua plot me libra të ilustruar për të gjitha moshat e vegjëlisë. Libri për dhuratë është përherë më shumë se sa një dhuratë – hapje porte drejt një bote që ia vlen të eksplorohet më shumë.

Ishte ky vendi i vetëm për libra shqip në Shkup.

…në hyrje të Çarshisë ekziston libraria Rilindja, qëkur e mbyllur, dritaret e pluhurosura, kurse në vitrinë ca libra të dala boje nga dielli. Relikt i së kaluarës.

Ashtu siç do bëhet këto ditë edhe Libraria e Çarshisë.

Kurse Shkupi do të bëhet prap qytet ku s’ke ku blen një titull në gjuhën shqipe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button