Teatrot Shqiptare në Maqedoni, institucione vetëm në dokumente, mezi mbijetojnë

Teatrot Shqiptare edhe pse në dokumente figurojnë si institucione kulturore praktika e dëshmon të kundërtën, shkruan Portalb.mk.

Vonesa në renovimin e Teatrit Shqiptar në Shkup, mungesa e objekteve vetanake të Teatrove Shqiptare në Kumanovë dhe Tetovë, numri i vogël i shfaqjeve të dhëna në këto teatro si dhe kushtet e vështira në të cilat funksionojnë, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet qytetari teatrodashes i Maqedonisë. Si problem tjetër që u paraqit nga qytetarët e Gostivarit është mungesa e një teatri në këtë qytet. Por, Gostivari nuk është i vetmi, ka edhe qytete tjera në Maqedoni të cilat nuk kanë as edhe një qendër në të cilën mund të zhvillohen aktivitete kulturore.

Petrit SaraçiniPër këto probleme dhe të tjera që ndërlidhen kryesisht me institucionalizimin praktik të teatrove shqiptare në Maqedoni, përfshirë edhe mënyrën e komunikimit të këtyre institucioneve me qytetarët, zëdhënësi i Ministrisë për Kulturë të Maqedonisë, Petrit Saraçini tha se rishikimi i sistemimit të teatrove shqiptare është pjesë e strategjisë kulturore që parashihet të realizohet në pesë vitet e ardhshme.

“Sa i përket teatrove shqiptare dhe sistemit të institucioneve kulturore, rishikimi i tij është pjesë e procesit të ndërtimit të strategjisë së re kulturore për 5 vitet e ardhshme, grupi punues veçmë është duke hartuar versionin punues, i cili do të shqyrtohet në debat të hapur publik, ku të gjithë palët e prekura, kyçur këtu edhe punonjësit e teatrove dhe veprimtarët kulturore shqiptare, do të mund të kyçen dhe t’i propozojnë zgjidhjet për problemet e tyre, për hapje të institucioneve, mekanizmave apo formave të reja të veprimtarisë, për qasje strategjike të reja në kulturë”, tha Saraçini.

Sulejman RushitiNdërkaq regjisori shqiptar Sulejman Rushiti për Portalb.mk vlerësoi se gjendja faktike e teatrove shqiptare lidhet kryesisht me buxhetin e ulët që parashihet për këto institucione si dhe me mungesën e kulturës së udhëheqësve politik në Maqedoni.

“Nisur nga fakti që shumica dërmuese e politikanëve tanë ndër vite, kanë qenë të pakultivuar kulturalisht, të tillët as që e kanë idenë dhe vullnetin për të harxhuar kohë me kulturën. Teatrin ata e shohin si një hapësirë ku duhet të shkojnë të defilojnë sepse aty ka kamera dhe si politikanë duhet të duken! Ky është paradoks më vete sepse të gjitha partitë në fakt kanë theksuar se do të kujdesen për identitetin dhe të drejtat kolektive. Është pikërisht kultura elementi kryesor që e përcakton këtë veçanti. Pra, në 25 vjet kultura shqiptare, e në veçanti teatri ka ngrënë grimca nën sofër. Ka qenë fat që në ndonjë periudhë kohore në qeverisje ka qëlluar ndonjë individ me shije për teatrin por jo mjaftueshëm. Tani, kemi një fakt dëshpërues, kemi vetëm tre institucione teatrore me gjuhën shqipe (Shkup, Tetovë dhe Kumanovë) të cilat po t’i përkthesh në buxhet ose me numër premiership nuk e di a e kalon 5 përqindëshin. Këto teatro funksionojnë në kushte mizore”, tha Rushiti.

Për katër vite, Teatri Shqiptar i Shkupit shëtiti andej-këndej

Teatri Shqiptar i Shkupit ka pothuajse katër vjet që po rinovohet, kurse edhe ato pak shfaqje që u realizuan nga ky teatër shëtitën nga një objekt në tjetrin. Sa i përket punimeve në Teatrin Shqiptar të Shkupit, zëdhënësi i Kulturës, Petrit Saraçini vlerësoi se: “Sa i përket ndërtimit të Teatrit Shqiptar, ai vazhdon me dinamikën e paraparë. Përkushtimin për të mbaruar këtë objekt sa më parë Ministria e demonstroi me vetë faktin që me ribalancin e Buxhetit nuk hoqi fare mjete nga ato që janë paraparë për këtë rikonstruim, edhe pse pati shkurtesa në fusha tjera për shkak të gjendjes katastrofale financiare të lënë nga pushteti i mëparshëm”.

Zvarritjen e punëve në Teatrin Shqiptar të Shkupit regjisori Sulejman Rushiti e sheh si neglizhencë shtetërore ndaj kulturës shqiptare. Sipas tij vetëm një klasë e re politike më e kulturuar do të arrinte të ndryshonte gjendjen e rëndë të këtij institucioni shtetëror.

“Vetëm Teatri i Shkupit ka objektin e vet të ndërtuar që nga koha e ish Jugosllavisë, i cili ka tri vjet që rikonstruktohet ndërsa dy të tjerët ndajnë hapësirat. Objekti i Teatrit të Tetovës ka dhjetë vjet që ka filluar procedurat për ndërtim dhe akoma nuk ka përfunduar as faza karabina. Gostivari, Struga, Dibra, Kërçova, nuk kanë fare asnjë institucion kulturor të themeluar dhe financuar nga Ministria e Kulturës. Kujtoj që vetëm një klasë e re dhe më e kulturuar politike do ta ndryshonte sadopak gjendjen e rëndë. Vetëm politikanë të kultivuar që nuk do të thonë kemi punë më të rëndësishme do ta ndryshonin këtë gjendje”, tha Rushiti.

Teatri Kombëtar Shqiptar - Shkup
Teatri Kombëtar Shqiptar – Shkup

Përndryshe, në Maqedoni figurojnë vetëm tre teatro shqiptare, në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. Kumanova dhe Tetova nuk kanë një objekt ku mund t’i thuhet se është teatër, pasi që aktorët provat dhe premierat e shfaqjeve teatrale i realizojnë në kuadër të Qendrës së Kulturës.

Teatri Shqiptar i Shkupit është i vetmi që ka një objekt të vetin, por edhe ai ka pothuajse katër vite që rinovohet. Zvarritja e punimeve të këtij teatri ka bërë që të punësuarit dhe artdashësit e Shkupit por edhe më gjerë të enden nga një objekt kulturor në tjetrin. Shfaqjet e Teatrit të Shkupit, edhe pse simbolike në numër janë mbajtur në Teatrin e Fëmijëve në Çarshinë e Shkupit dhe në Teatrin e Komedisë në Qendër të Shkupit, ku edhe u shënua 67 vjetori i shfaqjes së premierës së parë të Teatrit Shqiptar në Shkup.

Punime vazhdojnë edhe më tej, kurse për shkak të gjendjes së rënduar financiare nga udhëheqësia paraprake në Maqedoni, për të njëjtat siç bëri të ditur zëvendësministri i Kulturës, Petrit Saraqini është paraparë buxhet edhe me rebalancin e ri buxhetor.

LEXO: Lëvizja BESA: Kush po luan me Teatrin Shqiptar në Shkup?

LEXO: Vonesa e rindërtimit të Teatrit Shqiptar, reagon LR – PDSH

Teatri Shqiptar i Shkupit shpesh herë ka ditur të përdoret edhe nga partitë si “përfitim” pikësh politike, por që asnjëra prej tyre në programin e tyre zgjedhor nuk shpalosi një hap konkret për këtë dhe institucionet tjera të rëndësishme kulturore. Nga garnitura parparake, ku në krye të Ministrisë së Kulturës ishte Elizabeta Kançevska Milevska, të cilët e nisën projektin e rinovimit të Teatrit, faji i zvarritjes së punimeve në Teatrin Shqiptar të Shkup u hedh te pjesëtarët e teatrit. Për këto akuza politike dhe hedhjefaji nga ministrja e atëhershme Milevska, pati reaguar drejtori i Teatrit Shqiptar të Shkupit, Adem Karaga, duke bërë thirrje që problemi i këtij institucione të mos keqpërdoret politikisht.

LEXO MË SHUMË :

Rikonstruksioni i Teatrit Shqiptar në Shkup assesi të merr të mbarën!
Assesi të përfundojnë punimet në Teatrin Shqiptar
Shtyhet data e përfundimit të rikonstruktimit të Teatrit Kombëtar Shqiptar
Mjetet financiare për teatrin shqiptarë, si pikë uji në det!
Shkup, vetëm 8 milionë euro për rikonstruimin e Teatrit Kombëtar Shqiptar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button