ANALIZË: Dosje, të gjitha zgjedhjet lokale në Maqedoni!

Maqedonia është në prag të zgjedhjeve të reja lokale. Do të emërohen kryetarët e komunave, kryetari i Qytetit të Shkupit si dhe këshilltarë në nivel lokal. Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale të organizuara në Maqedoninë e pavarur. Në përgjithësi, sipas rezultateve zgjedhore, për momentin në avantazh është VMRO DPMNE, parti e cila sipas numrit, ka fituar në tre procese zgjedhore ndërsa LSDM ka fitore vetëm në dy cikle, shkruan Portalb.mk.

Në opinion tashmë kanë filluar të qarkullojnë emrat e kandidatëve të ardhshëm. Nga ajo që dihet është se partia e BDI-së sërish do ta kandidojë Fatmir Deharin edhe për një mandat në Kërçovë. Nuk përjashtohet mundësia që Andrej Zhernovski të kërkoj mbështetjen edhe për një mandat në komunën Qendër, edhe pse lakohen edhe emra tjerë të zyrtarëve të lartë të LSDM-së. Si kandidatë të mundshëm të pushtetit për postet e kryetarëve të komunave përmenden emrat e Stevo Pendarovskit, Damjan Mançevskit, Blagoj Boçvarskit dhe Maksim Dimitrievskit. Nga radhët e VMRO DPMNE-së opozitare nuk përjashtohet mundësia që në listë të jenë dy figurat e njohura, Ivica Konevski, Slavço Çadiev dhe Nikola Bakraçevski.

Portalb.mk ka grumbulluar rezultatet zgjedhore nga zgjedhjet e deritanishme të mbajtura lokale si dhe gjurmët kyçe të cikleve zgjedhore.

Zgjedhjet lokale të vitit 1996

Më 17 nëntor të vitit 1996 u mbajtën zgjedhjet e para lokale në Maqedoninë e pavarur. Qytetarët zgjidhnin kryetarët e komunave, kryetarin e Qytetit të Shkupit si dhe anëtarët e këshillave të pushtetit lokal dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit. Sipas rezultateve zgjedhore, në këto zgjedhje në nivel të komunave fitorja i takoi LSDM-së dhe partnerëve të koalicionit. Ndryshe, LSDM në atë kohë fitoi 54 ulëse, VMRO DPMNE 30 ndërsa si parti e tretë ishte PPD – RDK me 20 funksione. Këto zgjedhje kaluan me shumë parregullsi, ku kishte edhe numër të madh të votave të pavlefshme në komuna të caktuara.

Zgjedhjet lokale të vitit 2000

Më 10 shtator të vitit 2000, nën mbikëqyrjen e fuqishme ndërkombëtare, në Maqedoni u zhvilluan zgjedhjet e dyta lokale, të fundit para se të bëhet ndarja territoriale e Maqedonisë. Për dallim nga zgjedhjet lokale të vitit 1996, në këto zgjedhje dukshëm shënoi rënie numri i kryetarëve të LSDM-së. Ndryshe, në vitin 2002 në nivel lokal fitore shënoi VMRO DPMNE me 59 funksione, që është rritje prej 29 kryetarëve të komunave, LSDM fitoi 32 dhe në krahasim me zgjedhjet e vitit 1996, humbi 22 funksione. Sipas numrit të posteve të kryetarëve të komunave, në vendin e tretë u rendit koalicionit PPD- RDK me 23 funksione. Në këto zgjedhje, VMRO DPMNE me PD-në e koalicionit u paraqit me moton “Për të mirën e të gjithëve” ndërsa LSDM dhe partitë e koalicionit me moton “Për Maqedoninë- së bashku”. Në këto zgjedhje lokale u shënuan incidente të rënda. Në Kondovë kishte të shtëna me armë zjarri, ku disa ishin të lënduar ndërsa njëri prej tyre ndërroi jetë. Armët dominonin edhe në Dibër ku një person u lëndua, shkruan Portalb.mk.

“Në komunën Dibër votimi patjetër duhej të ndërpritej në të gjitha 24 vendvotimet si pasojë e akteve të dhunës. Ndryshe, dhuna u shkaktua nga argumente personale, këto argumente janë përdorur si pretekst për shkatërrimin e kutive të votimit në shumicën e vendvotimeve”- thuhet në Raportin e OSBE/ODIHR.

Pikërisht këto konsiderohen si një nga zgjedhjet më kontroverse, të përcjella me dhunë, shantazhe dhe presione ndaj votuesve.

Zgjedhjet lokale të vitit 2005

Cikli zgjedhor në vitin 2005 u zhvillua më 13 dhe 27 mars. Në këto zgjedhje, për herë të parë në nivel lokal si lojtar politik u paraqit edhe BDI, partia e Ali Ahmetit e cila fitoi kryetarë komune në Gostivar, Dibër, Strugë, Tetovë, Haraçinë, Bërvenicë, Vrapçishtë, Zajaz, Bogovinjë, Likovë, Oslomej, Tearcë dhe Çair. Në këto zgjedhje, që ishin të parat pas ndarjes territoriale, fitoi LSDM me gjithsej 36 kryetarë të komunave ndërsa VMRO DPMNE fitoi 21 ulëse.

Zgjedhjet e vitit 2009

Zgjedhjet lokale në muajin mars të vitit 2009 u organizuan dhe i zhvilluan së bashku me zgjedhjet presidenciale. Cikli zgjedhor lokal ishte debakël për LSDM e cila fitoi ulëse vetëm në Debërcë, Karposh, Kumanovë, Novo Selë, Ohër dhe Strumicë. Numri i komunave të fituara u ul për 29 poste krahasuar me vitin 2005. Për dallim nga LSDM, VMRO DPMNE fitoi në gjithsej 55 komuna. Në këto zgjedhje, në kolltukun e Qytetit të Shkupit u ul Koce Trajanovski. BDI në këto zgjedhje fitoi në 14 komuna, shkruan Portalb.mk.

Zgjedhjet lokale 2013

Këto zgjedhje u zhvilluan më 24 mars dhe 7 prill të vitit 2013 dhe u mbajtën në një ambient më kompleks politik. Kriza politike pas “të hënës së zezë” më 24 dhjetor 2012 veç më kishte filluar. Këto zgjedhje LSDM-së i sollën humbje të katër funksioneve të kryetarëve, kjo partia vazhdoi të dominojë vetëm në katër komuna, edhe atë: Kumanovë, Strumicë, Qendër dhe Rankovcë. VMRO DPMNE fitoi poste në 56 komuna, që është për një pozitë më shumë krahasuar me vitin 2009. BDI arriti ta mbajë kuotën e 14 komunave.

Marrë në përgjithësi, nga deri më tani pesë ciklet zgjedhore në nivel lokal, në tre prej tyre ka fituar VMRO DPMNE. Tani ka filluar numërimi deri në zgjedhjet e ardhshme lokale të tetorit, që sipas vlerësimeve dhe pritjeve, mund të sjellin shumë lëkundje të forcave politike në nivel lokal, shkruan Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button