Maqedonia ua shtrin dorën fqinjëve, hapa pozitive për euro-integrimet

Raportet e mira me vendet fqinje paraqesin një hap të dukshëm më pranë integrimit të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, pjesë e së cilave synon të bëhet vendi, pavarësisht sfidave të shumta, me të cilat përballen strukturat udhëheqëse të shtetit në këtë drejtim, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke komentuar zhvillimet intensive të Maqedonisë kohën e fundit në rrafshin diplomatik, shkruan REL.

Të shtunën, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook, samitin joformal të kryeministrave të shtatë vendeve të Ballkanit, të mbajtur në Durrës, e ka cilësuar si një hap shumë të rëndësishëm drejt bashkëpunimit rajonal në interes të integrimeve euroatlantike.

Ndërkohë, që pas takimit në Nish të Serbisë, shefi i diplomacisë serbe dhe homologu i tij maqedonas, Ivica Daciq dhe Nikolla Dimitrov, zhvillimet e fundit mes dy vendeve fqinje, në rrafshin diplomatik, i cilësuan si “relativisht turbulente”. Ata u zotuan për përforcimin e miqësisë mes dy vendeve në funksion të rrugëtimit të përbashkët që i pret drejt anëtarësimit në strukturat euro-atlantike.

Besa Kadriu, ligjëruese e Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, konsideron se raportet ndërfqinjësore diktojnë në masë të madhe hapërimin e Maqedonisë si shtet drejt zhbllokimin të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Sigurisht se asgjë në skenën politike nuk mund të jetë e rastësishme, çdo gjë është e koordinuar paraprakisht dhe në momentin caktuar kur ndërhyjnë interesat e fuqive të mëdha, ato vijnë në shprehje. Në praktikën e Maqedonisë, sigurisht se për një kohë të gjatë ka dominuar interesi i bllokut politik të ish-shteteve sovjetike, politikës ndërkombëtare ruse dhe kjo tanimë është evidente kur vjen në shprehje në momente të caktuara kur Maqedonia synon ta stagnojë këtë si proces”.

“Mendoj se në këtë moment është me shumë rëndësi të përdoret një vigjilencë, qoftë nga aktorët politik ose institucionet relevante të pushtetit, si dhe njerëz që ia duan të mirën shoqërisë dhe vendit që ai të ecë përpara”, thotë Kadriu.

Nga ana tjetër, Lupço Petrovski, drejtor i Qendrës për Strategji Evropiane vlerëson se Qeveria e re e Maqedonisë me veprimet e fundit, ka treguar qartë se jo vetëm në formë deklarative, por edhe realisht punon për ta orientuar vendin drejt strukturave euroatlantike. Kjo, thotë ai, nxit struktura të caktuara që të vështirësojnë raportet ndër fqinjësore që Maqedonia mëton t’i ndërtojë në frymë pozitive me vendet fqinje.

“Me vetë faktin se Maqedonia, si shtet, më shumë është përqendruar në diagonalen Shqipëri- Bullgari, duke u shkëputur nga influenca e Serbisë, e cila ka raporte shumë të afërta me Moskën, diplomacia serbe ndezi alarmin duke reaguar në formë shumë jo diplomatike, duke krijuar shumë paqartësi në opinion rreth veprimit të Beogradit. Në fakt, këtu kishim një luftë për përcaktim të interesave gjeopolitike nga ana e forcave më të mëdha dhe jo thjesht raporte mes Maqedonisë dhe Serbisë”, vlerëson Petrovski.

Sipas tij, edhe zgjidhja e kontestit që ka Maqedonia me Greqinë varet nga interesa e forcave më të mëdha, përkatësisht siç thotë ai, ”sa këto forca do të arrijnë ujdi për të ndarë influencën gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor”.

Ndryshe, gjatë javës së ardhshme në Shkup duhet të arrijë ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Koxias, me ç`rast gjatë takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, pritet të fokusojnë bisedimet në ngritjen e mirëbesimit mes dy vendeve që pritet t’i japë shtytje procesit të zgjidhjes së kontestit për çështjen e emrit, me këtë dhe zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP