Shqiptarët nuk kursejnë për t’u dukur, e dini sa shpenzojmë ne vetëm për veshjet?

Ndonëse shqiptarët janë një nga popujt më të varfër të Europës, ku të ardhurat janë sa 30% e mesatares së Bashkimit Europian, ata nuk kursejnë për t’u dukur. Të dhënat krahasuese të INSTAT dhe Eurostat, lidhur me peshën e shpenzimeve sipas qëllimit të konsumit, tregojnë se konsumatorët shqiptarë shpenzojnë 4.9% të totalit për veshje e këpucë, ndërsa edhe për europianët kjo peshë është pothuajse e njëjtë në 5% dhe për 19 shtetet e zonës euro është njësoj me Shqipërinë.

Të dhënat janë sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve 2015 të INSTAT dhe anketës së familjeve të BE-së, të publikuara nga Eurostat, të matura të dyja sipas nomenklaturës COICOP. (Classification of Individual Consumption Açording to Purpose – Klasifikimit të Konsumit Individual sipas Qëllimit).

Shqiptarët shpenzojnë 4.9% të totalit për t’u veshur, një produkt relativisht luksi, ndonëse ata, për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave, kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime, një produkt i domosdoshëm, me gati 49%, nga 12.3% që harxhojnë europianët për t’u ushqyer. Por, cilat janë vendet që harxhojnë më shumë për veshje, në raport me totalin e shpenzimeve? Nuk është asnjë surprizë që në vend të parë është Italia, me 6.3% të totalit. Në vendin që njihet për modën e lartë, italianët nuk kursehen. Të dytët janë portugezët, me 6.1% të totalit, të ndjekura nga Austria. Vendet baltike, si Lituania, Letonia i kushtojnë gjithashtu rëndësi veshjes. Peshë më të ulët se Shqipëria kanë 14 shtete, ku më pak rëndësi dukjes i kushtojnë çekët, grekët, hungarezët, rumunët (shih grafikun).

Shporta e shpenzimeve

Të dhënat tregojnë që ndërsa familjet shqiptare shpenzojnë gati gjysmën e shpenzimeve (48.7%) për ushqime dhe pije joalkoolike, konsumatorët në vendet e BE-së mjaftohen vetëm me 12.3% të buxhetit për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme të të ushqyerit të një jetese normale. Me gjysmën tjetër të buxhetit, që u mbetet pasi konsumojnë për nevoja ushqimore, familjet shqiptare kanë pak alternativa zgjedhjeje dhe ndonëse për veshjet nuk kursehen, për të tjerat e mbledhin rripin. Ndryshe nga europianët, që për argëtim dhe kulturë shpenzojnë gati 9% të buxhetit, për familjet shqiptare kjo peshë është vetëm 3%. Edhe për restorante, europianët harxhojnë 8.2% të parave, nga 3.6% për shqiptarët (gjithsesi në Shqipëri, në vlerë absolute, të drekosh në një restorant është shumë më lirë se në vendet e tjera të Europës). Hapja e universiteteve private dhe rritja e tarifave të universiteteve shtetërore ka shtuar shpenzimet e shqiptarëve në 2.1% të buxhetit, ndërsa për europianët është 1.1%. Jo se këta të fundit nuk preferojnë të arsimohen, por kanë më shumë alternativa me arsimin publik.

Për shëndetin, shpenzimet janë të ngjashme, 3.6% në Shqipëri dhe 3.7% në vendet e BE-së. MONITOR

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button