LETËR NJË MASHE

Lus Zotin që në stinët kur rëndomësohet e keqja, kur kacagjelohet mendësia mersjetare dhe kur për lirinë e jetës duhet t’i japim llogari bjerrakohësisë tënde, mos të të prishet itinerari i përditshmërisë, mos të të cënohen honoraret e lakadredhura si shtigjet e dreqit, mos të të shkojë huq asnjë ligjeratë mbi modelet e importuara të rrnesës, të cilat i mban prej vitesh me sukses përpara gjynahëve që marrin dije me të dëgjuar.

Lus të Madhërishmin të kujdeset për shëndetin e zotërisë tënde, sepse pa mësimet tua, efektin e të cilëve do ta lakmonin ciceronët më të dëgjuar të njerëzimit, do të kuptohej në çast se kambanat bien për shkretishten e leskërkulturës, jo në një kontinent gjetiu.
Është herët dhe ti posa je nisur drejt salephanes për ta ngrysur ditën me sefa, në të cilën e gjejnë zbatimin praktik strategjitë për shpëtimin e botës dhe për rrjedhën normale të trendeve globalizuese, nëpërmjet tavllës, dajanit, dominove dhe betejave pa fund të kësaj natyre, që ti i fiton përherë. Dhe patjetër të ndodh kështu, sepse ti je ylli prijëtar i të ardhmes së ndritshme, sepse je pjesë e mizërisë së baballarëve shpirtëror të fatprerëve, sepse je…

Është akoma herët dhe ti, ende pa pastruar mirë skërlepet e muzgjeve të rrashtës dhe për shkak se të tillë të ka ngjizur Ai që lëviz mjegullat, duhet të tebdilosesh në atë që nuk je, duhet të justifikosh të pajustifikueshmen, duhet të bësh eruditin me lëçitje paçavrash facebook-iane, me sihariqe shkarashkruesish, shpifësish, sigurimsash, hafijesh… të të njëjtit soj me Ty, që po na e zhbëjnë shpirtin për marre të Zotit.

Është akoma herët (o Zot sa herët është!) dhe ty të bëhet se përpara xhamave të klubit të Selanejkit vërtitet vazhdimisht kundërshtari i misionit tënd prej mashe, sizifi budallë, që përpiqet me shatiçe t’ia ndërrojë drejtimin vërshimës së shtonës me përmasa amazoni.

Është akoma herët dhe ty s’të bie ndër mend se dikur ke shkumuar për udhët e ngatërruara dhe itineraret e kërmillta të hop-eve tona, për domosdoshmërinë e jetës dhe fjalës së lirë, të cilën nuk e belbëzon më për shkak të shtatëzanisë kronike me kërk besh-a tavllash dhe për shkak të misonit të besuar nga punëdhënësi fantom.

Është akoma herët dhe ti nuk ke faj që ekzistojnë dita dhe nata. Po të të pyeste Zoti ty, do ta shndërronte botën në parajsë errësirash dhe do ta përthithte për shtatë palë qejfe vrimave të zeza të universit.

Është akoma herët, pra, dhe ti ke kohë për t’u zgjuar, sepse edhe gjynahët kanë shekuj për të fjetur. Shëndet e kuvet dhe suksese në pazarin me blerës të marrë kobesh shfytyruese dhe të stërpërsëritura për gjynah!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button