Piromanë në aksion

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Besa Arifi

Zjarrvëniet e qëllimshme sikur u bënë përditshmëri në Maqedoni dhe të njëjtat veçanërisht u shpeshtuan këtë verë. Është i çuditshëm ky përshpejtim i incidenteve me vënie zjarri në kohën kur pushteti qendror ka pak kohë që ka ndryshuar dhe shumë shpejt do të kemi edhe zgjedhje lokale. Gjatë tërë verës zjarret kapluan pyll pas pylli në tërë territorin e shtetit. Ndërsa në Tetovë, zjarret çuditërisht u shpeshtuan derisa incidentet filluan të duken aspak të rastit dhe tërësisht të qëllimshme. Së pari kishte një tentativeë për të vënë zjarr në afërsi të Xhamisë së Larme, pastaj edhe në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi”. Vetëm disa ditë më vonë suskesshëm u vu në zjarr deponia e egër e mbeturinave dhe i tërë qyteti u mbyt në tym kancerogjen me ditë të tëra. Dhe derisa deponia ende vazhdon të tymojë, kishim zjarrvënien edhe në oborin e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”. Duke falenderuar reagimit të shpejtë tp banorëve lokalë dhe të Brigadës së Zjarrfikësve të Tetovës, këto zjarre shpejt u vendosën nën kontrollë. Më së shumti pasoja la zjarri i deponisë i cili ende nuk arrin të shuhet plotësisht.

Së pari, duhet të kemi të qartë një gjë. Zjarrvënia e qëllimshme, e në raste të caktuara edhe nga pakujdesia, paraqet vepër penale sipas Kodit Penal të RM. Vënia e zjarrit dënohet si vepër e rëndë penale dhe në më shumë forma. Dënohet në kuadër të veprave penale: Shkaktim i zjarrit në pyll, Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, Mosmënjanim i rrezikut bile edhe i vepërs Terrorizëm, e cila poashtu mund të kryhet duke vënë zjarrin dhe duke shkaktuar pasiguri të madhe tek qytetarët si dhe dëm për shëndetin e tyre. Të gjitha këto vepra kanë dënime serioze të cilat lëvizin mes 1 dhe 10 vite burg. Pëveç kësaj, fakti që me vënien e zjarrit në deponinë e egër u shkaktua ndotje serioze e ambientit jetësor, këtu vepra e Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm me anë të vënies së zjarrit është kryer në bashkim me veprën Ndotje e ambientit jetësor dhe e natyrës e cila dënohet me dënim poashtu serioz, me burg prej 4 deri në 10 vjet. Pra të mos kemi dilema se me kë kemi të bëjmë në të gjitha këto raste: me persona të cilët vënë zjarr në pyll dhe në ambiente të banuara, me persona që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm, me kriminelë që ndotin në mënyrë direkte ambientin jetësor duke bërë këtë, dhe me terroristë që terrorizojnë banorët e këtij vendi duke krijuar gjendje pasigurie tek ata dhe duke i vendosur në rrezik të madh nga materialet kimike të cilat i detyrojnë t’i thithin përmes tymit. Herën tjetër kur të konsideroni se nuk ka rëndësi kush e ka nisur zjarrin, mendohuni  mirë kend e amnestoni dhe e shpallni të parëndësishëm, e në disa raste edhe hero për shkak se ka marrë guximin të djegë mbeturinat tek deponia e egër, që është problem i kahmotshëm dhe real i këtij qyteti.

Kur jemi tek problemet e kahmotshme dhe reale të këtij qyteti, të mos kemi dilema edhe për diçka tjetër. Llogaridhënia është obligimi kryesor i çdo pushtetmbajtësi, është thelbi i ushtrimit demokratik të pushtetit. Kërshtu, qytetarët kanë të drejtë të plotë dhe duhet ta përdorin maksimalisht këtë të drejtë dhe të kërkojnë llogari nga udhëheqësit e tyre lidhur me problemet që i tangojnë. Bartësit e pushtetit, duke përfshirë këtu edhe kryetarët e komunave duhet të japin llogari detajore lidhur me atë se çfarë kanë bërë për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve, në çfarë vështërsish kanë hasur dhe pse janë vonuar me këto zgjidhje. Qartësisht duhet të shpjegojnë se pse duhej të pritet ribalansi i Buxhetit shtetëror të vitit 2017 në mënyrë që të sigurohen mjete për dislokimin e mbeturinave nga deponia e egër dhe për krijimin e një stacioni të mirëfilltë ngarkim-shkarkimi. Duhet me shumë durim dhe transparencë të tregojnë arsyet pse kjo u bë tani dhe pse jo më herët. Llogaridhënia e pushtetmbajtësve është e dyfishtë: politike dhe juridiko-penale. Llogaridhënien politike pushtetmbajtësi e jep para qytetarit. Qytetari ka të drejtë të ketë kërkesa konkrete, të bëjë pyetje dhe të kërkojë sqarime, pushtetmbajtësi duhet të përgjigjet. Është e drejta e qytetarit të bindet ose jo në këto sqarime, ashtu si që është e lirë vota e qytetarit në zgjedhjet e ardhshme lokale. Llogaridhënia juridiko-penale jepet para organeve shtetërore që kontrollojnë punën e pushtetarëve, e të clat kryesisht kanë të bëjnë me ndjekjen e veprave penale. Nëse ka indicje se pushtetmbajtësi e keqpërdor pozitën e tij, inicohet procedurë gjyqësore ku pushtetmbajtësi poashtu jep llogari, këtë herë para organit të ndjekjes penale, dhe në bazë të të dhënave të mbledhura sillet vendim për atë se a ka pasur ose jo keqpërdorim. Këto janë hapat e llogaridhënies në çdo shtet demokratik, të njejtat janë të parapara edhe me ligjet tona dhe duhet me këmbëngulje të zbatohen në praktikë. Ky është proces esencial i demokracisë dhe është ngusht i lidhur me sundimin e së drejtës që është vlerë themelore sipas Kushtetutës së këtij shteti.

Por ajo që nuk ka asnjë lloj arsyetimi, është keqpërdorimi, abuzimi dhe manipulimi i shëndetit të qytetarëve për të fituar poena politikë. Në momentin kur vendoset zjarr në deponinë e egër, vetëm dy ditë para fillimit të dislokimit të mbeturinave, duket qartë që qëllimi është sabotim i një procesi institucional i cili bëhet me qëllime të qarta për përfitime të imta politike. Duke parë zjarret e njëpasnjëshme që u shkaktuan e që në disa raste arritën të eskalojnë në Tetovë, është e pamundur të mos na kujtohet Neroni dhe djegija e tij legjendare e Romës, poashtu e bërë për qëllime personale dhe politike. Të tentosh të fitosh poena politikë duke vendosur zjarrin deponisë dhe duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e banorëve të qytetit, do të thotë se dëshiron që një ditë të udhëheqish me gërmadhat e atij qyteti. Nuk ka asgjë që e arsyeton një përpjekje të tillë, nuk ka asgjë më të mjerë se sa përfitimi politik në llogari të shëndetit të qytetarëve edhe ashtu të dëmtuar gjatë gjithë këtyre viteve të katastrofave ekologjike në këtë vend. Të mos harrojmë se para shumë pak kohësh thithnim pluhurin e Jugohromit, ndërsa para disa vitesh pikërisht mbeturinat e deponisë së egër digjeshin në mënyrë tinzare çdo natë duke shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve.

Përfundimisht, mbrojtja e ambientit jetësor është përgjegjësi e secilit prej nesh, dhe secili prej nesh mund të bëjë më shumë në këtë drejtim. Duhet insistuar me ngulm në zgjidhjen e problemeve ekologjike të qytetit, duhet punuar me përkushtim në atë drejtim dhe duhet tu bëhet me dije të gjithëve që politizojnë këto çështje, qoftë atyre që për momentin janë në pushtet, qoftë atyre që duan të vijnë, se pushteti nuk është ajër dhe nuk thithet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP