LIBRI MBI MILUTININ

Në Serbinë e vitit 1985 kudo flitej për romanin e Danko Popoviqit, “Libri mbi Milutinin”, i ribotuar 18 herë, në qindra mijëra kopje.

Është një libër mediokër që e shumëfishon mesazhin e njohur të elitës nacionaliste: “Serbët i flijojnë interesat e tyre për shkakun e të tjerëve”.

Është një pamflet ideologjik që, sikurse thuhet, e përmban esencën e ideve të famëkeqit Dobrica Qosiq.

Është një libër që u bë armë e fuqishme në arsenalin vdekjeprurës të nacionalizmit serb, sepse aty serbët paraqiten si viktimë.

Ndjenja e viktimës tek serbët është ngritur në mit. Kjo ndjenjë shkakton humbjen e kontakteve me realitetin. Njeriu që jeton me mitin bëhet objekt manipulimi nga një regjim i caktuar.

Serbia vazhdon të dominohet nga arroganca kombëtare dhe ideja e heroizimit të së kaluarës. Ajo dominohet nga ideja e dominimit në rajon. Ajo dominohet nga ideja e kombit – viktimë që ka të drejtën e çdo privilegji moral e politik dhe çdo veprim i egër duhet t’i falet paraprakisht, përkundër gjithë tmerreve që i ka shkaktuar.

Romani “Libri mbi Milutinin” e forcon mitin mbi armiqtë kundër të cilëve duhet të ndodh hakmarrja. Personazhi i romanit thotë: “Duhet të kthehemi t’i vrasim arnautët”. Paraprakisht autori flet kinse për dhunën e shqiptarëve ndaj serbëve. Një retorikë e përdorur nga politika e egër, që kështu e përligjte krimin.

Kjo ndjenjë e hakmarrjes është shfaqur dhe do të shfaqet sërish për sa kohë Serbia udhëhiqet nga ideologjia që solli vetëm rrënim moral.

Në Serbi asnjëherë nuk kanë triumfuar idetë e intelektualëve të tipit të Danilo Kishit, i cili e quante nacionalizmin si “ideologji e kiçit dhe e banalitetit”. Dihen sulmet kundër tij.

As të shkrimtarit Nikolla Kovaç, i cili thoshte se “nacionalizmi keqpërdoret nga shkrimtarët impotentë”. Dihet se si që dhunuar, kërcënuar dhe detyruar të shpërngulej para se ta likuidonin.

As idetë e shkrimtarit Filip David, sipas të cilit disa shkrimtarë serbë “duhej që të ishin në Hagë”. Dihet se si qe akuzuar për tradhti nga nacionalistët serbë, të cilëve ua ktheu: “Të qenit tradhtar në këtë vend dhe në këtë sistem është më e pakta që mund të bëjë njeriu i moralshëm dhe i ndershëm”.

Në Serbi përherë kanë triumfuar idetë e Qosiqit, Beçkoviqit, Nogos, Kusturicës, Popoviqit etj.

Serbia e sotme, sado tenton të paraqitet me tjetër imazh, në thelb është e njëjta. Ajo nuk ka ndryshuar. Edhe politikanët janë po ata. Të dikurshmit. Ajo, mjerisht, nuk mund të çlirohet nga filozofia e provincës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button