ZËVENDËSMINISTRI

Pikë e drekës. Korrik. Në kurtnaja[1]. E kositi një copë barishteje me vështirësi, sepse nuk i punohej.

U ngrit, e hodhi kosën tutje dhe shikoi qiellin, kaltëri pa asnjë pike reje. Qetësi shurdhuese. Vetëm gjinkallat e prishnin këtë qetësi, por edhe ato vinin si njëfarë orkestri i qetësisë.  Djersët i shkonin  rrëke ballit. I fshiu  me mëngën e këmishës. Një siklet i lehtë që vjen nga vapa e vetmia e pushtoi pakëz. E shikoi orën dhe i hodhi një sy punës që kish bërë. Iu duk se akrepi ecte  me shpejtësi të madhe, kurse puna që kish bërë ishte krejtësisht e pakët, aty nja gjashtë-shtatëdhjetë metra katrrorë. Fare pak punë kishte bërë nga mëngjesi e duhej të kosiste një barishte prej  600 metrash katrorë për një ditë. Nuk i kishte shkuar mendja se dielli i verës përcëlluese dhe kanali i thellë që e kishte hapur pronari, kryeplaku, Xuni  i kishin bërë barot baroja, kulpra, xunktha  e bimë të tjera. Dreq o punë, i duhej orë e çast ta mprehë kosën, sepse kosa topitej me disa të dhanme. E qortoi veten: “epo budalla çi jam”!

Shitës nuk i pëlqente fort puna, por kur ngushtohej shkonte sa për të  fituar para xhepi, jo për shtëpi. Kësaj radhe kishte menduar se e bëri një pazar të mirë për këtë kositje, po kur u ballafaqua me këtë kënetëz të tharë, e pa se ai dreq  Xuni ia kishte hedhur. “M’dul punë dreçi kjo”! tha. I pështyu duart, i fërkoi dhe ia ngjiti sërish kosës. Përsëri u ndal. “Xhit t’nanës i duhet kjo shkretajnë ati nanlujtëm Xunit”?!  e pyeti veten. Pastaj shtoi: “le t’shkoje n’t’samës Xuni, po tej  Shitë”, i tha vetes, “çllo t’i dalësh n’qosh  ksaj xhunglle, se jet pa ato pesdhajt evro”! Punonte dhe e shpalonte të kaluarën, që t’i lehtësohej puna. Më shumë e qante veten se sa që evokonte ndonjë kujtim të mirë. Si u bë që të mbetej kështu i papunë, argat, herë të shkonte si ndihmës muratori, herë të kosiste, ndonjëherë të punonte vreshta, ndonjëherë të thyente gurë për disa qindarka, e fakultetin e kishte kryer. Jo me ndonjë sukses të veçantë, por çfarë kishte rëndësi kjo punë. Kryesorja – e kishte kryer. Sa njerëz kishte që ende nuk e kishin kryer, ose e kishin marrë si e kishin marrë një diplomë fakulteti në pazarin e egër arsimor, po ishin vendosur në administratën shtetërore, në banka, në spitale. Gjithandej. Kurse ky dhjetë vjet të tëra – pa punë. Edhe atë që dikur e kishte mësuar, e kishte harruar dhe tash më shumë dinte  për punë bujqësie se sa për ekonominë, për të cilën kishte shpenzuar gjashtë vjet të jetës së tij.

“Eh”, mendonte, “e ka pasë ma kjo punë. Tahi Shita nuk asht ma ekonomist, po argjat! Phu nanën”!

Ndërkohë kosa nuk ndalej, ngase mund të mbetej pa pesëdhjetë eurot. Po as hallet që i kishte pasur, që i kishte e që i rrotulloheshin nëpër mend si shirit filmi nuk e linin të qetë. Ia thithnin disi energjinë. Sikleti i rritej. Pastaj iu fry si një balonë e cila mund të pëlciste dhe ta linte pa frymë aty nëpër ferra e xunkth të kositur pranë gjarprit, që e kishte këputur përgjysmë kosa e tij. Nga puna e nga sikleti goja iu tha. Me duart e djersitura e nxori nga xhepi një mollë verore dhe e kafshoi me afsh. Lëngu i saj i erdhi si bar shpëtimi. E ngriti kokën kah qielli e tha: “o zot, m’u lagën buzët pak”! Në atë çast pa disa zogj të cilët lëshoheshin te verri që ngrihej pak më tutje. Iu kujtua se aty ishte një gurrë. E la kosën dhe u nis drejt gurrës. Aty pranë e dëgjoi “vajin” e një bretkoce e cila kishte rënë në gojë të një gjarpri, por kjo nuk e pengoi që të binte përmbys, ta hedhë këmishën  përmbi fytyrë dhe të pijë ujë gjatë kohë. Derisa pinte ujë një zog i këndonte hareshëm nga dega e verrit. “Ene ki zog ban hoka me mu”, mendoi. Kur u ngrit, i shpërlau sytë, pak ujë qiti në qafë, ndërsa kur nisi të ecte, të shkonte drejt kosës,  e ndjeu se si i tundej uji në bark duke bërë klok, klok,, ngase ishte pa bukë, i uritur. Njëherësh e pa se kishte punuar shumë dhe se i kishin mbetur vetëm disa metra katrorë, ndoshta nja tridhjetë. “I kam”, tha,  “pesëdhajtë evrot”! Ecte e tundej triumfalisht drejt kosës që e kishte mbushtetur për një dëllenje. Ndërkohë, sa e zgjati dorën ta marrë kosën, i erdhi një zë, sikur po e thërriste dikush prej së largu: “Shitë!… O Shitë”!… Iu duk se i përhihet ky zë nga molisja, prandaj e mori kosën dhe… përsëri e dëgjoi zërin që po e thërriste. U ndal e shpejt e pa se nga dëllenjat dolidoli  një njeri që vraponte.

“O Shitë, mizhde”! i tha njeriu i rraskapitur e i lodhur nga vrapi  kur u afrua nja njëqind, njëqind e pesëdhjetë metra. Ishte kushëriri i tij, Lila.

U ndal, kurse vizitori vazhdoi t’i afrohej me vrap. Kur u gjetën ballë për ballë njëri-tjetrit, Lila e përsëriti atë “O Shitë, mizhde”! kurse Shita i befasuar ia ktheu:

“Xhit a puna, o Lilo”!

“Zavendsministri, o Shitë”!… tha i mbushur në frymë Lila.

“Çar zavendsministri, be?… Xhi ije tu bjujtë, o Lilë”!

“Nalu Shitë!  Fuge tuqe atë nanlujtme kosë ene njo! Partia taj t’ka ba zavendsministri”.

“Aj mo luj mastrapalla me mu”!

“More fuge kosën ene hajde shkojmë. Ket t’presën taj”!

Shita e hodhi kosën, por tha:

“Ej, s’do m’pagjuje Xuni, pa e sosë ket kot nankalaraume barishte”!

“Hec, be, se jo ni pagë argjati, po do t’i ape ene pesë mi evro, bile”!

“Si pesë mi”?!

“D’e shofësh”… tha Lila

U nisën të dytë drejt fshatit, ku Shitën e pritën me ovacione.

“Epo”, tha Xuni, kryeplaku dhe pronar i barishtes, që kishte dalë të festojë në bahçenë e çajtores me fshatarët tjerë që vazhdimisht e ngucnin me shpoti Shitën, “ke koha e fundit çi dikush pi kataundit tonë t’bahet i madh. Ene, çe, u ba ki gjalë, ki Shita jonë,  çi s’e ka shoçin n’ket kot hurdhën tonë”… Pikërisht ky Xuni që gjatë kohë kishte qenë kryeplak e ngriti gotën e parë me raki dhe bërtiti: “Për ministrin tonë, vllazën katunarë”!

Pastaj gjithçka u zhvillua me shpejtësi prej rrufeje. Shita u bë zëvendësministri me shofer e sekretareshë. Në zyrën e tij  me kondicioner e me piktura, me perde të shtrenjta e me qilim të butë mbi parketin luksoz, saherë që ulej në kolltuk i ndërroheshin kujtimet e hidhëta me pamjet e mundimeve të argatisë, të kositjes, të fyerjeve që ia bënin fshatarët dhe përziheshin me atë ndjenjën e të qenit kurrkushi që tretet dhe bëhet pjesë e asgjësë në turmë dhe në pafundësinë e ngrysët të fshatit të tij.

Me kalimin e kohës, Shitës i iku zbehtësia e fytyrës, faqet iu mbushën me tul,  iu skuqën dhe e kaploi njëfarë hijerëndësie, kurse  kujtimet  e hidhëta i jepnin ide të ndryshme të cilat i gërshetonte  me praktikën e funksionarëve të tjerë partiakë e qeveritarë.  Kështu sill e mbështill kujtimet, i paloi idetë e reja dhe realizoi ato në praktikëne jetës materiale, shpejt. Kështu  Shita doli nga pafundësia e ngrysët e mjerimit dhe u gjet në sipërfaqen e luksit, me veturë luksoze, me dyqane, me sahat dor prej dhjetë mijë eurosh, me gjithçka.

Fshati, ndërkaq,  mbeti po ai, siç kishte qenë gjithmonë, i strukur në mjerim e në qetësi, me një përjashtim: në barishten e dikurshme të Xunit, tash ngrihej vila e bukur e zëvendësministrit Shitë, e rrethuar me lule.

  1. s. Pas një kohe Lila u takua me Shitën dhe Shita iu ankua: “O Lilë, Xuni hala nuk m’i ka dhanë pesëdhajtë evrot”.

“Po taj, o Shitë, xhi i ke dhanë për barishten çi ja more  ku e marove pallatin tand sot”?…

[1] Kurtnaja – kopshte e ara në afërsi të shtëpive të fshatit

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button