“Në mundsh”, mbrëmja poetike që ngjalli shpirtin artistik të publikut kërçovar (FOTO)

Kërçova, gjatë mbrëmjes së të shtunës e ridëshmoi veten se kultivon vlera të larta të artit. Së toku ishin mbledhur aktorët, poetët, piktorët për të realizuar mbrëmjen poetike në Kërçovë, njofton Portalb.mk.

Kësaj mrekullie mbresëlënëse, publiku ia dha sharmin për të mos u harruar kurrë, pasi që reflektoi edhe ditë më pas nga ajo ditë, shenjë kjo se kjo mbrëmje ngjalli shpirtin artistik të publikut siç dinë të ngjallin shpirtin sfidues vargjet e autorit Rudyard Kipling në poezinë “Në mundsh”.

Vargjet e poezive të shumta nuk do të trokisnin thellë te publiku dhe nuk do të ngjallnin shpirtin poetik pa zërin e aktorëve Adem Karaga, Xaka Jonuzi ÇelikuDrita Kaba Karaga, Merita Limani Mustafa, Hamdi Rashiti, Rrahim Ramadani, Afërdita Nuhiji dhe Arben Rasimi, nën virtuozitetin muzikor të Agona Çupit e Jetmir Mehmedit dhe e gjithë kjo nën përkujdesjen e dorës profesionale të regjisorit Qëndrim Rijani.

Qëndrim Rijani, regjisor
Qëndrim Rijani, regjisor

“Ka kohë që Kërçova priste një publik të këtillë. Ka kohë që publiku po priste vlera kaq të larta të aktorëve të rinj e të vjetër. Për të ngritur vlerat e mbrëmjes, organizatori ishte përkujdesur që të sjellë në Pallat të Kulturës edhe piktorët shqiptarë kërçovar, të cilët pikturuan mbrëmjen e së shtunës në mbamendjen e atij publiku të mrekullueshëm, që kishte ardhur të shijojë artin e poezisë. Shpresojmë se ngjarjet e këtilla do të shpeshtohen në Kërçovë dhe përfundimisht ajo të tejkalojë hapat e kllapisë kulturore dhe vlerat e vërteta të dalin në sipërfaqe!Asnjëherë nuk është vonë! Me rëndësi është se diçka nisi”, vlerësoi poeti Adem Xheladini.

Nuk mungoi as prizmi psikologjik dhe më i thellë i mbrëmjes, e këtë më së miri diti ta bëjë Vale Adili duke përsëritur: “Gjallë je nënëloke? Edhe unë jam gjallë” me çka përshkroi përshpirtshmërisht atë çfarë mbrëmja poetike ngjalli tek ajo.

“Ishte sikur janë mbledhur fëmijët e një nëne në shtëpi, i shkundin pluhurin njëri-tjetrit dhe i thonë se jemi këtu. Kemi sjellë nuset e dhëndurët, bashkë me artin tonë gatuar me mallin e largimit.  Ishte natë mirënjohje dhe falënderimi nga të dyja anët. Sa bukur ishin konsteluar artistët, më të rriturit udhëhiqnin më të rinjtë me shumë besim, gratë i jepnin zjarr dhe burrat siguri. Ashtu siç thotë rendi i dashurisë. Mbeti tek unë recitimi i Xaka Jonuzit i poezisë së Kalosh Çelikut kushtuar gruas së tij. Universi kishte ndërhy që një nënë e re si ajo, me brishtësinë e rolit të ri të vajtojë ikjen e një nëne tjetër. ” Vetëm ti ike e re, gur i bëre vitet “”, u  shpreh Adili pas mbrëmjes poetike “Në mundsh”.

Ndërkaq orkestruesja Agona Çupi shprehu kënaqësi të papërshkruar për bashkëpunëtorët e saj dhe “mbi të gjitha për një publik” që Kërçova apo anasjelltas ka fatin ta ketë.

“Natë ndër vargje në Kërçovë, “Në Mundsh”! Kënaqësi që nuk përshkruhet të punosh bashkë me këta njerëz dhe mbi të gjitha për një publik që ne të gjithë jemi me fat që e kemi, ju përulem siç u jam përulur gjithmonë dhe siç do të vazhdoj t’ju përulem”, u shpreh pas mbrëmjes Çupi.

Krahas poezisë së Kiplingut, publiku kërçovar pati mundësi të përjetojë edhe shpirtin poetik si të: Xhelal Ademi, Fatmir Limani, Ilirian Zhupa, Mirije Brangalla, Migjeni, Fatos Arapi, Adem Xheladini, Dritëro Agolli, Begzat Rrahmani, Safet Hyseini,Lasgush Poradeci, Xhemilde Adili, Xhevdet Ukalli, Neruda, Hava Ajdini, Ibrahim Koça, Ferit Ramadani, Kalosh Çeliku, Nazif Selimi dhe Pushkini.

Image may contain: 3 people, people on stage and people standing

Image may contain: one or more people, people sitting, living room and indoor

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button