PSIKOLOGJI E LUTJES

“Lutja është mjet për ndryshimin të cilin ne duam ta shohim në botë” (Gandi).

Hotel “Nimfa”, gusht 2017, herët në ag, pasi zgjohemi dhe bëjmë sabahun, cimeri (bashkëdhomaniku), ia nis rrëfimit të udhëtimit mental të tij të natës: “Profesor, gjithë natën jam lutur për të rrezikuarit nga zjarri”. S’ia them ama në vete shtoj: “Lutja jote, e  bashkuar me shumë njerëzve të mirë, e solli shiun dhe fiku zjarrin mbi katund, që donte ta përpinte atë!” Dhe filloj të mendoj për lutjen, për këtë kategori relevante të jetës së njeriut, pa marrë parasysh është ai besimtar ose jo. Lutet nëna për të birin në ushtri, në provim pranues, lutet djali për babain në kirurgji, lutet tifozi gjatë gjuajtjes së penalltisë, lutet pjesëtari i tribusë, lutet akademiku, luten njerëzit në tempull, luten jashtë tij, luten ditën, e luten natën, me duart lart e me shenja, me gjuhën e gjuhës dhe me atë të trupit, me zë e pa të… Dhe në të shumtën e rasteve, lutja ka të bëjë me një fuqi metafizike, me Zotin. Madje edhe fjala angleze “goodbye” (lamtumirë), është shkurtesë “God be with ye” (Zoti qoftë me ju!).

Dy herë brenda dy viteve, ditët e ndodhive trazuese, jashtë Shkupit, një herë në Rimnicë të Rekës, ndërsa sivjet në Vlorë, dy kataklizma rrëqethëse, njëra me ujë, tjetra me zjarr, njëra në Hasanbeg, tjetra në Kondovë dhe një botë ndjesore stresante. Kijamet para kijameti. Gjendja përkeqësohet brendësisht kur je duke bërë qejf, një kur je në kremtet e shqiptarëve rekas dhe dy, blic-pushim treditor në bregdet; s’ndjehesh mirë, kalon nga një pozitë e realitetit të relaksit në një tjetër të trishtimit, ku njerëzit vuajnë ndërsa ti gjoja shijon momentin, me mend gjithë tjetërkund, a s’mund t’u ndihmosh përpos se me një gjë: me lutjet tua. Empatia, vënia e vetes në gjendjen e tjetrit, është më organikja në çastet e tilla, por edhe me atë nuk je i qetë, dëshiron të zgjatesh, je larg, do që të kontribuosh, s’ke mundësi.

Sociologjia dhe spikologjia e religjionit thonë se lutja është produkt i kulturës globale, një qilim i shkencës, psikologjisë, metafizikës dhe i besimt dhe qëndrimit fetar. Psikologjia fokuson çështjet e lutjes nga dy perspektiva të ndryshme: Në njërën anë Zoti, ose objekti i lutjes, si një konstrukt i jashtëm i egos, ose “dikush atje” (feja e vijës kryesore), një fuqi transhendentale të cilës i drejtohemi dhe Zoti i prezantuar si arketip ose diçka “këtu brenda”, që është një shpërafqje e misticizmit dhe gnosticizmit.  Lutësi në fakt bën dy veprime gjatë lutjes, është në aksion përmes energjisë së vet për t’ia ndryshuar gjërat tjetrit,  dhe nga ana tjetër, ndryshon edhe botën e tij të brendshme, vetërehatohet.  Sipas M. J. Formica (2010), lutja mund të jetë egocentrike (lutje për vetëveten), etnoentrike (për ju, për ne) dhe gjeocentrike (lutje për të gjithë ne). Pra mund të lutemi për qenien tonë, për të tjerët, për një shumësi njerëzish dhe për gjithë njerëzimin. Lutja e përqendruar vetëm tek vetëvetja, është më tepër psikologjike, flet për një personalitet jo të ndërtuar sa duhet, kurse kategoria e dytë është sociologjike, më kolektiviste, më e avancuar, kurse e treta është ajo që kërkohet, idealja, të lutesh për çdo njeri, për atë që e meriton dhe që s’e meriton. Ngjashëm si thënia profetike: “Ndihmoje vëllain tënd zullumqar ose të shtypur!” Të parin e ndihmon duke u lutur që të shpëtojë nga ai status jo i këndshëm, të zbutet e të bëhet njeri mirëtrajtues, ndërsa çështja e lutjes për të dytin është e vetëkuptueshme.

Njeriu ekziston përderisa lutet. Nëse ndërpret komunikimin shpirtërore me Tjetrin e Lartë dhe të tjerët poshtë, nuk jeton me realitetin, jeton në një botë të mbyllur të veten, nuk ësht pjesë e bashkësisë, nuk është as qenie e polisit e as e globit, madje as e universit. Bota shpirtërore e njeriu kërkon që t’i drejtohemi dikujt, ta duam dhe ta ndihmojmë dikë tjetër jofizikisht, ta mbështesim atë shpirtërisht, të jemi me të edhe kur nuk jemi me të, ta çmojmë dhe duam nga distanca, të digjemi, të vlojmë për të. Kjo është natyra e vërtetë e këtij mikrokosmosi, ky është elementi human, sepse jo gjithkush mund të bëjë mirë me gjëra të dukshme. Dikush bën mirë edhe pa asnjë qindarkë në xhep, pa ngritur një peshë, e pa ia zgjatur dorën dikujt (nga pamundësia).

Atë natë, në Vlorë, me të dëgjuar dhe me të kuptuar se zjarri i Kondovës u shua, më dukej sikur shoku pranë thoshte: “lutje këndova, zjarrin unë s’e shova, ama shpëtova”, “jam i rehatshëm sepse me njerëzit në telashe u solidarizova”. Këtë askush s’e dinte, përpos shpirtit të tij që pas disa orësh i duartokiste.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button