KUJTESË PËR INTERVISTËN MË TË PAZAKONTË ME FADIL SULEJMANIN

Fadil Sulejmanin e njoha në vitin 1962. Ishte pak më i moshuar se gjenerata ime. Erdhi në klasën tonë, në vitin e dytë të Normales apo të Paraleleve Pedagogjike të Mësuesisë, siç emërtohej drejtimi ynë mësimor në Gjimnazin e Tetovës. Qëndroi një vit shkollor, si nxënës me korrespondencë, përcolli mësimet bashkë me ne, për t’i dhënë provimet privatisht, në fund të vitit. Në vitin e ardhshëm shkollor, nuk erdhi më, dhe “humbi” nga jeta jonë. Ndërkohë dëgjova se kishte kryer shkollën e mesme, pastaj fakultetin…

Në fillim të viteve të ’90-ta, në vorbullën politike dhe të luftës, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, kur përcillja me shumë interesim shkrimet e tij shumë goditëse për regjimin e atëhershëm, që botoheshin në “Rilindje”, më takoi një ditë shoku i klasës nga shkolla e mesme /Hamdi Islami/, duke më bërë me dije se Fadil Sulejmani dëshironte të takohet me mua dhe po nguronte ta bëjë pa paralajmërim(!).

-Kemi qenë shokë të klasës, s’ka pse të ngurojë, mund të takohemi kur të dojë dhe ku të dojë, ia ktheva.

Gjatë takimit me Fadil Sulejmanin, në një kafe-restorant të njohur në atë kohë në Tetovë, shkëmbyem përjetimet tona të rrugëtimit jetësor, duke u ndalur në rolin që duhet ta luajmë si gjeneratë e shkolluar për demaskimin e regjimit të atëhershëm nëpërmjet shkrimeve dhe botimeve në gazetë. Me këtë rast, ai përmendi edhe disa ide të tij për hapjen e një universiteti shqip në Tetovë, që për mua, duke i njohur rrethanat politike të kohës, m’u dukën paksa utopike, ndonëse këtë e përjetova si një ledhatim të shpirtit, si një melhem në plagë. Më vonë dëgjova që ishte shprehur me fjalë të zgjedhura për takimin tonë. Për këtë u binda pas një kohe, gjatë takimeve në vijim. Kështu filloi bashkëpunimi ynë në rrugëtimin për themelimin e UT-së.

Fadil Sulejmani, si student dhe profesor në Prishtinë, e çmonte shumë gazetën “Rilindja”, ku punoja si korrespondent nga Tetova. Kisha një zyrë të vogël të korrespondencës, pas Postës së Tetovës. Shpesh vinte aty, personalisht, dhe më informonte për përgatitjet e themelimit të UT-së. Që nga koha e përgatitjeve të para e deri në themelim, e më vonë, më ftonte personalisht në takime delegacionesh, mbledhje dhe konferenca shtypi, madje disa herë më barte me veturën e tij, nëse duhej të udhëtohej larg Tetovës. Raportet e para për themelimin e Universitetit të Tetovës i botoi “Rilindja”, për kënaqësinë time dhe të Fadil Sulejmanit. Ai dëshironte që të jem i pranishëm në të gjitha ngjarjet rreth Universitetit dhe këtë e bëja për hir të këtij tempulli të dijes, për sendërtimin e ëndrrës së gjeneratave për një universitet shqip në Maqedoni, për opinion publik shqiptar, por edhe të vendit e botëror, sepse kisha informatë që disa punime të mia në “Rilindje”, përktheheshin në gjuhë të huaja në gazetat evropiane.

Në këtë rrugëtim të lindjes së Universitetit kam botuar në “Rilindje” shumë informata, artikuj dhe intervista. Kam përjetuar një pjesë të katrahurës së drejtuesve të UT-së. Presionet dhe shantazhet. Bastisjet policore: në sallën e katit të epërm të selisë së PDP-së në Tetovë, kur merreshin vendime shumë me rëndësi për Universitetin; në sallën e vogël të Këshillit të Komunës së Gostivarit, ku ia behën policët në momentet kur nënshkruhej një dokument i rëndësishëm i UT-së; tensionet gjatë nënshkrimit të dokumentit nga subjektet politike /PDSH-PPD-PDP/, këshillat e komunave të Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës dhe të asociacione të tjera; ngjarjen e madhe më 17 dhjetor 1994, për kur ishte paralajmëruar nënshkrimi i aktit të themelimit të UT-së /ndonëse ky nënshkrim ishte bërë në fshehtësi një apo dy-tri ditë më herët/, ndërsa policia bëri shtetrrethimin dhe bllokimin e godinës së Komunës së Tetovës, në praninë e mijëra qytetarëve që kishin ardhur nga të gjitha qytetet shqiptare të Maqedonisë, për të marrë pjesë në këtë eveniment historik; invadimin e armatosur policor në Reçicë të Vogël, me të shtëna, tymnajë, të plagosur dhe të vrarë, buldozerë që rrënojnë objektin universitar, si dhe në Poroj, ku nën trysninë policore mbahej ora e parë e mësimit universitar, më 16-17 shkurt të vitit 1995; pastaj arrestimet, kërcënimet ndaj krerëve të UT-së etj.

Disa vite më vonë, më kujtohet, në një tubim partiak në sheshin e Tetovës, ishte fotokopjuar nga partia opozitare shqiptare e asaj kohe, në qindra kopje, intervista ime me Fadil Sulejmanin në “Rilindje”, në një faqe të plotë, ku kritikohej partia tjetër shqiptare në pushtet, dhe kjo u ishte ndarë të pranishmëve nga aktivistët e partisë. Ishte ky një gjest i pahijshëm i manipulimit dhe i politizimit të UT-së nga një parti shqiptare.

Në vitin 2000, pas luftës në Kosovë, me Fadil Sulejmanin u takova në Prishtinë, në pritjen solemne të gazetës “Rilindja”, me rastin e 55-vjetorit të daljes së gazetës, më 12 shkurt. Aty redaktorët më porositën një intervistë me Fadil Sulejmanin. U morëm vesh që të kthehemi së bashku në Tetovë. Pasi më miqësoi pak çaste në shtëpinë e tij në Prishtinë, me veturën e tij morëm rrugën për në qytetin tonë.

Gjatë rrugës kemi bërë intervistën më të pazakontë në karrierën time si gazetar, mbase edhe të Fadil Sulejmanit, si bashkëbisedues në funksionin e rektorit… Ishte dimër. Udhëtonim nëpër Sharr, në një aks rrugor ku nuk dukej asfalti nga shtresa e borës dhe akullit. Kemi thyer të gjitha ligjet e trafikut. Intervistë në udhëtim, plot tri orë, me shumë rreziqe në rrugëtim. Me shumë pyetje delikate për UT-në dhe me përgjigje shumë lakonike. Biseda thurej e tkurrej, pa këputur. Ndonëse kishin kaluar gjashtë vjet nga themelimi i UT-së, entuziazmi fillimtar nuk ishte shuar. Kishim harruar vendin dhe dimensionin kohor. Vetëm tabela me mbishkrimin: TETOVË, na kthjelloi se biseda duhej përfunduar. Ishte kjo intervista ime, kujtoj edhe e Fadil Sulejmanit, rektor i UT-së, më e bukura në karrierë, që u botua në dy faqe të plota, të nesërmen, në gazetën “Rilindja” të Tiranës /ku botohej përkohësisht kjo gazetë pas ndalimit nga regjimi i Millosheviqit/, si dhe në “Bujku” të Prishtinës dhe në “Rilindje” të Zvicrës.

Nga përvoja ime prej gazetari, nuk kam mund t’i shlyej deklaratat shumë të fuqishme të Fadil Sulejmanit, në luftën e tij titanike për UT-në, me një trajektore mbresëlënëse mes urtësisë dhe trimërisë: “Duam laps, fletore…!”, si përgjigje policisë në Poroj, si dhe  goditjen e ashpër verbale që bëri lëvizje tektonike politike e të sigurisë: “Vetëm me një thirrje, mund të mblidhen përnjëherë mbi 200 mijë shqiptarë, në mbrojtje të Universitetit të Tetovës!”. Ngriti atëbotë “shpatën”, kur ishte mbështetur për muri, njeriu i parë i Universitetit, në një konferencë shtypi në Tetovë, në momente shumë dramatike dhe të pasigurisë politike. Shkrepi këto fjalë para shumë gazetarëve të vendit e të jashtëm, pas shumë kërcënimeve serioze të pushtetarëve. Këtë guxim prej intelektuali ka mund ta ketë vetëm Fadil Sulejmani.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Nje artikull mjafte i rendesishem per mua. Me dha rastin qe te njoh Rektorin e pare te Universitetit te Tetovese bashke me kontribusin dhe autorin e ketij teksti, si dhe procesin e shkurt te themelimit te Universitetit. Njekohesisht si bashkohore i lartpermendureve ndijeva kenaqesi te madhe sikurse me qene pjesemarrese ne sukseset e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button