Në Itali ka 32.000 biznese të emigrantëve shqiptarë

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali posedojnë rreth 32 mijë biznese. Të dhënat janë bërë publike nga Unioni i Dhomave italiane të Tregtisë, në raportin vjetor mbi ecurinë e ndërmarrjeve të huaja.

Siç njofton Top Channel, sipas raportit, në total shtetasit e huaj posedojnë mbi 580 mijë biznese në Itali. Vendin e parë e mbajnë emigrantët marokenë, të cilët numërojnë mbi 68 mijë sipërmarrje. Në vendin e dytë e të tretë renditen shtetasit kinezë dhe ata rumunë, ndërsa shqiptarët rezultojnë komuniteti i katërt i huaj me numrin më të madh të ndërmarrjeve në Itali.

Sipas Unionit italian të Dhomave, fusha më e preferuar e shqiptarëve për të bërë biznes është tregtia, ndërsa në vendin e dytë renditet sektori i ndërtimit.

Të dhënat zyrtare nga Instituti italian i Statistikave tregojnë se, në Itali jetojnë gjithsej rreth 450 mijë shtetas shqiptarë. Një pjesë e madhe e tyre, veçanërisht ata që kanë emigruar në vitet e para, tashmë i kanë hyrë botës së biznesit duke qenë një nga komunitet më aktive në jetën ekonomike të Italisë.

Shifra prej 32 mijë biznesesh që emigrantët shqiptarë zotërojnë në Itali është gati sa 20 për qind e të gjithë bizneseve aktive në Shqipëri. Kjo do të thotë se shqiptarët tashmë nuk bëjnë biznes vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por janë sipërmarrës pothuaj kudo nëpër Europë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button