Pacolli: Jemi duke keqpërdorur durimin e qytetarëve

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli sot tha se më shumë se kurrë është i bindur se qeverisja me bazë të gjerë është zgjidhja më e drejtë.

Pacolli në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se duhet të miratohen sa më shpejtë një mori reformash, duhet të zgjidhjet çështja e demarkacionit, të bëhet liberalizimi i vizave etj.

“Sot në mëngjes, një nënë e moshuar më erdhi në shtëpi dhe në mënyrë dëshpëruese kërkonte ndihmën time për t’i mundësuar shkuarjen në Dyseldorf të Gjermanisë për të vizituar djalin e saj të aksidentuar. Nuk kishte as para, as rezervim për ndonjë biletë, e as vizë. Edhe pse do doja shumë, nuk munda t’i ndihmoja në të gjitha nevojat e saj dhe mbeta edhe unë i dëshpëruar”, qëndron në profilin e Pacolit në Fejsbuk.

Është krejt e qartë, vazhdon ai, se jemi duke tejkaluar çdo kufi të durimit të qytetarëve, vëllezërve dhe motrave tona me lojërat tona, inatet e teket dhe interesat e ndryshme te secilit.

“Të gjithë po zhagitin proceset, nuk po krijohet qeveria, nuk po krijohet alternativë qeverisëse e re, për t’i dalë në ndihmë qytetarit. Me këto veprime po më duket qe secili po kërkon zgjedhje të reja. Alternativa e zgjedhjeve të parakohshme me këtë Kod zgjedhor është jo reale. Nuk të çon askund, veçse më keq se ku jemi. Sot më shumë se kurrë jam i bindur se oferta ime për qeverisje me bazë të gjerë është më e drejta. Duhet mbledhur një tryezë e partive parlamentare shqiptare; Të miratohet një set reformash të shpejta: Çështja e demarkacionit ; Liberalizimin e vizave; Kodi i ri zgjedhor; Çështja e bisedimeve me Serbinë (afati, ekipi i ri, ofertat, grupi i konsulentëve ndërkombëtarë). Unë kësaj platforme do t’i shtoja dhe: Një ligj të ri për dekriminalizimin dhe vetingun. Në qeveri duhet të bëjnë pjesë të gjithë partitë shqiptare. Me mandat të kufizuar, por me konsensus sa më të gjerë. Kjo qeveri nuk është amnisti për kërrkënd, por zgjidhja më e mirë për kohën që po kalojmë. Bota nuk na pret ne. Ajo nëna që më priste, familjet që duan lëvizje të lirë, zgjidhje për problemet e tyre nuk na presin. Koha nuk pret. Kosova mbi të gjitha!”, shkruan Pacoli në profilin e tij në Fejsbuk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button