Ai që i shërben kombit të vet është më i ndershëm

Në një ese të tijën, Faik Konica i referohet profetit Muhamed, i cili ka thënë: “Sejidul kavmi hadimyhn” (Ai që i shërben kombit të vet është më i ndershëm). Me këtë, enciklopedia e gjallë shqiptare sfidoi zullutë që manipulonin me fenë, duke pretenduar se ajo nuk i njeh etnitë, se qenka kundër gjuhës, atdheut dhe zhvillimit kulturor e shkencor.

Shkrimi i gjeniut që deshi të lërojë shkembin… është aktual edhe sot kur janë trimëruar tipat që e kanë zët gjuhën, gjakun dhe racën shqiptare. Të tillët tebdilosen shpesh në kosmopolitë dhe përçmojnë cilindo që flet a shkruan për tiparet identitare, për trashëgiminë e përbashkët, për vlerat kolektive, për çështjen e kush-jamit… Këtë refuzim ata e arsyetojnë me mjaftueshmërinë e vlerave individuale, duke harruar se kudo në botë janë të rëndësishme edhe vlerat kolektive të një bashkësie etnike, të njerëzve me rrënjë dhe gjuhë të përbashkët.

Të merremi vesh, unë kam rezerva të majme për tipat, që mungesën e vlerave personale e kompensojnë me virtyte etnike, por nuk i përjashtoj as thesaret e përbashkëta, për të cilat duhet të kujdesemi të gjithë.

Kështu ndodh në gjithë vendet e përparuara, që krenohen me trashëgiminë e tyre shpirtërore e material dhe që mbrojtjen e saj ua kanë besuar institucioneve përkatëse, duke qenë se kjo punë tejkalon shumë përtej mundësive të individëve, sado entuziastë qofshin.

Shihni me çfarë xhelozie i ruajnë vlerat e tyre norvegjezët, fjala vjen. Ata nuk i lënë asgjë kujdesit entuziast e rastësor, sepse janë shumë të vëmendshëm ndaj trashëgimisë dhe personaliteteve historike, simboleve, traditave të bukura, folklorit, etnografisë, artit dhe veçmas ndaj gjuhës norvegjeze. Kjo bie në sy gjithandej. Kështu, gati në çdo veshje a rekuizitë sportive e ke flamurin norvegjez apo qëndismat karakteristike të lashtësisë norvegjeze; kudo sheh përmendore personalitetesh të shquar të fushave të ndryshme, muze pa fund, kështjella, shtëpi banimi, lagje të tëra të ruajtura nga kohërat që s’janë më; kudo organizohen panaire të rregullta me veshje popullore, me ushqime tradicionale, me demonstrime zejesh të vjetra… Edhe në aeroplanët norvegjezë gjen portretet e figurave të shquara të shkencës dhe të kulturës së tyre e mos të flasim për kujdesin që kanë për shkollën norvegjeze. Natyrisht, shtetet si Norvegjia janë të hapura ndaj botës dhe të vetëdijshme për ritmet dhe pasojat e pashmangshme të globalizimit, megjithatë, ndryshe prej Shqiptarisë, në to, bie fjala, nuk ka gjasë të hapë dikush shkolla të huaja, sepse gjithçka është nën kontrollin e institucioneve dhe gjithçka që lejohet në këtë lëmë bëhet me dozat të mirëmenduara. Tërë ky kujdes shebullor  institucional për vlerat e kush-jamit rrjedh paralelisht me garantimin e të drejtave maksimale për të huajt që jetojnë prej dekadash në Norvegji, të cilëve madje u kërkohet të ruajnë, sa kanë mundësi, identitetet e tyre (gjuhën, traditat, fenë…).

Sa do të doja që edhe ne të ndjekim shembullin e atyre që janë përpara nesh në të gjitha segmentet e jetës, sepse gjendemi buzë greminës së metamorfozës në KURGJË.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button