Unifikimi i spektrit politik shqiptar në Kërçovë, opsion i vetëm që arsyeton ekzistencën e tyre

Zvarritja e çështjes së shpalljes së kandidatit shqiptar për kryetar të Komunës së Kërçovës nga partia më e fuqishme në Kërçovë vetëm se po krijon amulli dhe rritje të epsheve irracionale të individëve të caktuar, që nuk mund të sjellin frymë bashkëpunimi dhe korrjen e fitores.

Më 15 Tetor 2017 në Maqedoni do të mbahen zgjedhjet lokale ku do të zgjidhen kryetarët e komunave dhe këshilltarët për Këshillin e Komunave, për një mandat 4 vjeçar, 2017-2021. Kërçova për dekada me radhë është keq (menaxhuar ) nga një grup etnik i cili në mënyrë suptile ka anashkaluar, ka diskriminuar dhe ka lënë anësh qenësinë shqiptare në këto anë. Jo vetëm në sistemin monist por edhe në kushtet e sistemit demokratik, duke udhëhequr me Komunën e Kërçovës në 5 cikle zgjedhore (Mishkoski, Kitanoski, Korunoski, Toleski, Despotoski).

Edhe pas më shumë se dy dekadave të sistemit pluralist dhe demokratik, gjendja e etnisë shqiptare nuk u përmirësua dukshëm, as në aspektin ekonomik, social, arsimor apo shkencor. Përfaqësimi i grupit etnik shqiptar në Komunën e Kërçovës, në institucionet lokale, në ndërmarrjet publike, në jetën shoqërore, arsimore dhe kulturore ishte i mangët, joadekuat me gjendjen reale, kryekëput diskriminues. Në vitin 1996 nomenklatura politike maqedonase arriti që të kalojë një ligj-Ligji për ndarjen territoriale, me të cilin komunat në Maqedoni u shtuan nga 32 në 123, duke krijuar komuna të vogla, rurale, pa asnjë mundësi të zhvillimit lokal ekonomik dhe krejtësisht të varura nga pushteti qendror. Grupi etnik shqiptar mbi 60% jetonte apo banonte në këto mjedise rurale. Ishte ky një ligj perfid i cili po përjashtonte grupin etnik shqiptar nga rrjedhat e përgjithshme shoqërore, duke i margjinalizuar me menaxhim të Komunave të paqëndrueshme në aspekt financiar, me infrastrukturë publike të pazhvilluar. Ndryshimi erdhi në vitin 2004, kur ligji në fjalë pësoi ndryshime, dhe nga 123 komuna, me ligjin për ndarjen e re territoriale të shtetit, mbetën 84 komuna. Ky ndryshim ligji ishte i detyrueshëm dhe buronte nga Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar në vitin 2001. Me këtë ligj u arrit që të kthehet gjendja e mëparshme nga viti 1996 dhe grupit etnik shqiptar përsëri iu dha mundësia që të ndikojë në proceset e zhvillimit të komunave të Dibrës, Gostivarit, Tetovës, Strugës. Por jo edhe Kërçovës. Komuna e Kërçovës njohu kthimin e saj në kufijtë e viteve para 96-ës vetëm në vitin 2013, dhe me këtë rast numri i Komunave në Maqedoni ra në 80.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, shqiptarët e Kërçovës për herë të parë arritën të marrin në menaxhim Komunën, e cila ishte shkatërruar nga keqmenaxhimi i grupit etnik maqedonas. Borxhi i Komunës së Kërçovës ndaj palëve të ndryshme ishte mbi 5 milion euro.
Ky shkrim nuk mëton të bëjë analizë të thuktë rreth asaj se çka ka bërë menaxhmenti i Komunës së Kërovës për këto 4 vite, për sa ka arritur të rrisë përqindjen e përfaqësimit të grupit etnik shqiptar në institucionet dhe ndërmarrjet lokale, por edhe të grupeve tjera etnike, dhe nuk mëton të sjellë parametra të tjerë ekonomik dhe social. Një shkrim të tillë do të sjell së shpejti.

Ajo çka është e veçanta e realitetit shqiptar në rrethinën e Kërçovës është numri tejet i madh i bashkëkombësve që punojnë dhe veprojnë parasëgjithash në Europën Perëndimore dhe në ShBA. Shqiptarë, të cilët në periudha të ndryshme kohore kanë qenë të detyruar të largohen nga Kërçova, për të siguruar një të nesërme më të sigurt. Mërgata kërçovare është kryekëput mërgatë ekonomike. Shqiptarë të cilët janë larguar nga vatrat e tyre sepse shteti nuk u jepte asgjë përveç se u kërkonte ujemin, tatimet, ryshfetin për të marrë një shërbim publik apo vend pune.

Numri i mërgimtarëve kërçovar për vite me radhë ka shënuar vetëm rritje, dhe sot, sipas disa kalkulimeve të përafërta mendohet që numri i shqiptarëve kërçovar që janë në Kërçovë(Maqedoni) me numrin e atyre që ndodhen jashtë të jetë i barabartë. Pjesa dërrmuese e mërgimtarëve kërçovar së paku një here në vit është prezentë në vendlindje, në tokat e tyre, në shtëpitë e tyre, në pronat e tyre.

Në zgjedhjet e vitit 2013 një nomenklaturë nacionaliste maqedonase po tentonte të pengojë me çfarë do qoftë mjeti shqiptarët e Kërçovës për të ardhur të votojnë për zgjedhjet lokale. Në Maqedoni po zhvillohej një debat shovinist nga eksponentë të lartë politik dhe shkencor maqedonas të cilit tentonin të justifikojnë tentimet e pengimit të ardhjes së shqiptarëve nga mërgata për të votuar, me pretendimin që shqiptarët nga mërgata nuk duhet të lejohen të votojnë ngaqë ata në të shumtën e kohës nuk jetojnë në Kërçovë. Qëndrimet e tilla me embrione fashiste nuk e pengoi spektrin politik maqedonas që të unifikohet rreth një kandidati dhe një liste të përbashkët për këshilltarë, si tentimi i fundit që të pengojnë shqiptarët të dalin fitues. Në këtë linjë, dy grupet më të vogla etnike (rome dhe turke), u shantazhuan dhe u kërcënuan në mënyrën më të ashpër për të mos votuar kandidatin shqiptar për kryetar komune. Ata bënë çmos që të mos fitonte kandidati shqiptar në zgjedhjet lokale të vitit 2013, importuan edhe qytetarë të Republikës së Shqipërisë që deklarohen se janë pakicë maqedonase atje, nga zona e Pustecit, duke i pajisur ato me letërnjoftime dhe pasaporta të Maqedonisë, krejtësisht në kundërshtim me ligjet ekzistuese në vend, vetëm e vetëm që kandidati shqiptar mos të dalë fitues i zgjedhjeve.

Dita e zgjedhjeve dhe rezultati i Marsit të vitit 2013 dihet se si shkoi dhe se si ishte.

Sot, pas katër viteve, neve kemi sfidën e njëjtë. Në mendësinë maqedonase s’ka ndryshuar asgjë. Në të njëjtën mënyrë ata do të përdorin të gjithë mekanizmat për të mos lejuar që kandidati shqiptar të fitojë zgjedhjet lokale. Ata kanë analizuar humbjen, kanë vërejtur momentet se ku kanë mundur të veprojnë edhe me më shumë trysni, shantazhe, kërcënime, ryshfete, ndaj shqiptarëve, ndaj romëve, ndaj turqve. Dhe ata janë të gatshëm që të zbatojnë planin e tyre.

Është në dorën tonë, është në votën shqiptare që të pengohet kjo njëmendësi nacionaliste maqedonase. Zërat dhe debatet nën tavolinë për “shpalljen e kandidaturave të ndryshme” për kryetar të Komunës së Kërçovës në taborin shqiptar në masën më të vogël po shkakton një përçarje të një vote plebishitare që neve na duhet për zgjedhjet e 15 Tetorit 2017. Pakënaqësinë e qytetarëve shqiptar në Maqedoni me forcën politike më të madhe në vend nuk duhet në asnjë mënyrë ta shndërrojnë në çështje hakmarrjeje apo në masë më të vogël në çështje ndëshkimi në terrenin e Kërçovës. Lufta politike dhe zhvillimi i debatit rreth mos(avancimit) të kualitetit të jetës së shqiptarëve në Maqedoni me krejt “arsenalin e armatimit” të debateve, dueleve, fushatave dhe ngjashëm, forcat politike munden me shumë komoditet dhe nivel qytetërues, me argumente dhe fakte ta zhvillojnë në Tetovë, në Gostivar, në Likovë, në Çair, në Saraj, në Zhelinë, por jo edhe në Kërçovë. Kërçova është më shumë se një garë politike për Këshillin e Komunës dhe një garë për kryetar të Komunës së Kërçovës. Me humbjen e udhëheqjes së Komunës së Kërçovës më 15 tetor 2017 nuk do të mbajnë ujë arsyetimet e kujt do qoftë pale që fajtorë janë “ata të tjerët”.

Spektrit politik shqiptar në Kërçovë sot, si kurrë më parë i duhet një unifikim dhe një bashkërendim të forcave për të korrë sa më shumë sukses në sfidën e 15 Tetorit. Matja e forcave ka fushë ku mundet të kryhet. Zvarritja e çështjes së shpalljes së kandidatit shqiptar për kryetar të Komunës së Kërçovës nga partia më e fuqishme në Kërçovë vetëm se po krijon amulli dhe rritje të epsheve irracionale të individëve të caktuar, që nuk mund të sjellin frymë bashkëpunimi dhe korrjen e fitores. Nisja e bisedimeve për të krijuar një listë të përbashkët të këshilltarëve nga partitë politike shqiptare është çështje urgjente.

Eksponentët politik të rrethit të Kërçovës duhet të ngrihen mbi veten dhe të zbusin egot e tyre duke u dakorduar në parim për kompromise të frytshme, dobiprurëse, dhe afrimin e individëve që kanë njohuri por edhe kurajë për të adresuar çështjet shoqërore në prizmin e përmirësimit të kualitetit të jetës së qytetarëve. Në këtë linjë, spektri politik shqiptar duhet me urgjencë të afrojë rreth idesë së listës së përbashkët edhe grupin etnik turk dhe grupin etnik rom. Kompromisi gjithmonë është i mundshëm, nëse ka vullnet të mirë, dëshirë të flaktë dhe durim për të arritur deri tek ai. Dhe në këtë rast, e dimë të gjithë, tërë Diasporën do ta keni aty!

Një Kandidat!
Një listë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button