BESA: Nëse nuk zbardhen proceset e montuara gjyqësore, Qeveria do të përballet me reagim të fuqishëm qytetar

“Reformat në organet e drejtësisë nuk kanë filluar ende, hapi i vetëm është iniciativa për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Marko Zvërlevski. Nga njëra anë kjo tregon se po punohet në drejtimin e kthimit të shtetit të së drejtës, ndërsa nga ana tjetër kemi një pesimizëm të qytetarëve se reformat në drejtësi aq të paralajmëruara nga shumica parlamentare as që kanë nisur”, reagojnë nga Lëvizja BESA.

Lëvizja BESA potencon se vetëm shkarkimi i tij, nuk do t’i zgjidh problemet e prokurorisë publike, të cilat, sipas tyre, janë shumë më të vjetra se periudha e qeverisjes së Zvërlevskit.

“Mbi të gjitha, Kryeprokurori duhet të përgjigjet më shumë për atë që s’ka bërë, e do të duhej ta bënte sipas kompetencave dhe përgjegjësive që kishte. Vlerësimet e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, analizat dhe studimet që janë bërë nxjerrin në pah konstatimin se prokurori dhe prokuroria janë nën ndikimin e politikës ashtu si edhe shumë institucione tjera shtetërore. Përveç dyshimeve për punën e prokurorit që janë të përgjithshme, ka edhe dyshime për veprimet e tij veçanërisht për rastet që kanë të bëjnë me shqiptarët. Në opinion publik haptazi flitet për procese të montuara gjyqësore, viktimë e të cilave janë kryesisht shqiptarët. Këto raste të montuara politike nuk kanë filluar me Marko Zvrlevskin. Shqiptarët në vazhdimësi kanë qenë të përndjekur dhe ndaj tyre janë montuar procese gjyqësore për qëllime politike, dhe jo vetëm!”, shtojnë nga Lëvizja BESA.

Lëvizja BESA insiston që sa më parë të zbardhen rastet e njohura si Sopoti dhe Montra, si dhe shumë raste të tjera dhe fajtorët e vërtetë të vihen para drejtësisë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

“Duhet një herë e përgjithmonë të përfundojë koha kur shqiptarët janë fajtorët kujdestarë dhe gjah i proceseve të deformuara gjyqësore që udhëhiqen nga qëllimet politike të atyre që këtë shtet e konsiderojnë si pronë të tyre. Në këtë rast, neglizhenca dhe bashkëpunimi i faktorit politik shqiptarë në qeveri është e pafalshme.  Andaj, jo rastësisht sot kanë nisur të zbehet edhe besimi në Prokurorinë Speciale e cila ka filluar të funksionojë sipas drejtësisë selektive, duke klasifikuar rastet varësisht nga interesat politike të partive në pushtet. Lëvizja BESA do të angazhohet maksimalisht që të zbardhen të gjitha proceset e montuara gjyqësore, të zbardhen aferat korruptive ku përfliten akterë të lartë politik të cilët edhe tani janë pjesë e qeverisë. Në të kundërt, reagimi qytetar do të jetë i fuqishëm dhe BESA do të jetë në ballë të organizimit për të ndaluar drejtësinë selektive e cila është në dëm të shqiptarëve, e në dobi të politikanëve të korruptuar”, përfundojnë nga Lëvizja BESA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button