Kur e kaluara përsëritet

Qyteti Charlottesville në shtetin Virginia është vend shumë i bukur, plot gjelbrim dhe gjallëri. E mbaj mend vizitën në këtë qytet në vitin 2007, gjatë një programi studimor me të cilin pata rastin të vizitoj Universitetin e Virgjinias i cili ndodhet në këtë qytet. Ishte interesante që në shumë shtëpi atje shikoje të valëvitet flamurin e Konfederatës, atë të cilin e kanë përdorur shtetet e jugut gjatë luftës civile në SHBA, shtetet të cilat kanë luftuar për të mbrojtur të drejtën e të pasurit skllevër.

Dhjetë vite më pas, shikoj përsëri pamje nga Charlottesville në media. Nuk janë pamje të bukura. Është shokuese për mua që të shihet grup i madh i të rinjve që vehten e quajnë “suprematistët e bardhë”, të marshojnë duke mbajtur hapur simbole fashiste dhe neo-naciste, të thërasin parolla që më bëjnë të ndjej neveri, dhe të ecin me pishtarë të ndezur nëpër kampusin e një universiteti të veshur me uniformën e bardhë të Klanit Ku Kluks i cili ka linçuar dhe djegur të gjallë shumë afro-amerikanë dhe persona tjerë, dhe duke bartur svastikën e Hitlerit dhe simbole tjera të kësaj natyre. Është shokuese për mua, dhe nuk e kam të qartë se si lejohet një organizim i tillë, si ka mundësi që organizata të tilla të jenë ligjërisht të regjistruara dhe të kenë të drejtën e protestës dhe të mbledhjeve publike. Liria e shoqërimit dhe liria e shprehjes është një gjë, por mbjellja dhe përhapja e urrejtjes është diçka tjetër dhe nuk mund të lejohet në emrin e asnjë lirie apo demokracie. Mbjellja e urrejtjes në një shoqëri nuk mund të lejohet sepse është gjë e rrezikshme dhe sjell pasoja të rënda.

Pasoja të tilla të rënda sollën edhe këto marshime të “suprematistëve të bardhë”. E kuptoni? Ekziston grup i regjistruar i njerëzve që ende besojnë se raca e bardhë është supreme ndaj racave tjera dhe se ata që nuk janë të bardhë nuk janë sa duhet njerëz, por janë sub-njerëz! Në vitin 2017 ka shumë njerëz që këtë e besojnë. Pas dy Luftërave botërore, në SHBA por edhe në vendet evropiane, ende ka shprehje të qartë të ideve që vetëm para disa viteve e sollën të gjithë botën buzë shkatërrimit total.

Një person që beson në një doktrinë të tillë sulmoi me automobilin e tij grupin e qytetarëve që ishin mbledhur për të shprehur revoltën e tyre ndaj neo-nacive që protestonin. Nga ky sulm u vra një grua dhe u plagosën dhjetra të tjerë. Në emër të supremacisë së racës së bardhë u vra një njeri në vitin 2017. Personi në fjalë akuzohet për vrasje me paramendim dhe për plagosje të të tjerëve, por jo edhe për terrorizëm ose për krim urrejtje. Ku ka terror më të madh se ky? Ku ka krim më të madh të urrejtjes se ky? Gjërat duhen thirur me emrin e tyre të vërtetë. Sulmet e tilla janë në kundërshtim të plotë me themelet e një shtetit modern demokratik ku shprehje të tilla racizmi dhe neo-nacizmi nuk kanë vend.

Guvernatori i Virgjinias iu drejtua protestuesve “suprematistë” me fjalë të qarta: “Shkoni në shtëpi. Turp të ju vijë”, ndërsa Presidenti Tramp, në deklaratën e tij të parë i fajësoi “të gjitha anët” pastaj, pas kritikave të pranuara, pas dy ditesh doli me deklaratë ku e dënon neo-nacizmin dhe racizmin, për të dalë më vonë me një deklaratë tjetër gjatë një pres-konference  ku thotë se aq sa janë fajtorë “alt-right” (lëvizja ultraekstremiste e quajtur “alternativa e djathtë”) po aq janë fajtorë edhe “alt-left” (nuk eksiston një organizatë e tillë e majtë) sepse paskan provokuar protestat e qeta dhe të paraqitura të grupit të parë. Unë nuk e kam të qartë një herë si mund të ekzistojnë grupe të organizuara ligjërisht që përhapin racizëm dhe ksenofobi, e pastaj si mund të organizohen ligjërisht edhe protesta me sllogane fashiste. Kushtetuta dhe ligjet duhet të ndalojnë një gjë të tillë. Ndërsa shpikjen e organizatave që nuk eksistojnë vetëm për të vendosur balans të rrejshëm mes sendeve që nuk mund të krahasohen nuk kam fjalë për ta komentuar.

Është e dhimbshme të shihet kur në vendet ku funksionon shteti i së drejtës ka ngjarje të këtilla, ka kaq shumë urrejtje që gjen përkrahje nga kaq shumë njerëz. Është vërtet e dhimbshme të jesh dëshmitar i urrejtjes në rritje në të gjitha vendet që kanë qenë krijuese të parimeve për barazi dhe liri të cilat janë baza e rrendit kushtetues të çdo shteti demokratik. Është vërtet i dhimbshëm mendimi që bota nuk ka mësuar shumë nga e kaluara e cila vazhdon të përsëritet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button