Pse VMRO-ja e donte Xhaferin?

Shpërfillja e vrazhdë e VMRO-së ndaj votës së lirë të shqiptarëve me të drejtë ka indinjuar jo vetëm intelektualët por edhe të gjithë popullin dhe votuesit shqiptarë. Ne që kemi qenë në jetën politike pas viteve 90, përveç dokumenteve, na vjen në ndihmë edhe kujtesa në lidhje me veprimtarinë e Xhaferit i cili erdhi në politikë te shqiptarët në Maqedoni me qëllime të papastërta, për të cilat flasin si dokumentet e kohës ashtu edhe kujtesa e çdo shqiptari të pabaltosur nga helmi i atdhetarizmit të Xhaferit.

Që nga fillimi i pranisë së Xhaferit në skenën politike në Maqedoni (fundi vitit 93-fillimi vitit 94) e deri më sot, para opinionit publik për bashkëveprimin e ngushtë me VMRO-në ai ka dhënë shpjegime të ndryshme dhe kundërthënëse. Koalicionin me VMRO-në Xhaferi e ka shpjeguar në atë kohë në gazetën KOHA Ditore të datës 24 Shtator 2005, ku shkruan: “PDSH-ja fitoi besimin e popullit dhe në vjeshtë 1998 hyri në koalicion me partinë nacionaliste maqedonase VMRO-DMPNE. Shikuar nga aspekti historik me këtë proveniencë politike, shqiptarët, prej kohës së Hasan Prishtinës e deri te vogëlsia ime, kanë pasur raporte të mira mbi baza të interesave të përbashkëta”.

Xhaferi siç e ka pasur zakon, edhe këtu gënjen lexuesit, më pak të informuar (numri i të cilëve fatkeqësisht nuk është i vogël dhe këtë ai mirë e di dhe e shfrytëzon). PDSH-ja në krye të së cilës ka qëndruar ai, as në vitin 1998 as edhe prej kur ekziston e deri më sot, nuk e ka fituar besimin e shumicës së popullit shqiptar. Por, ti kthehemi gënjeshtrës më të madhe, se shqiptarët, prej kohës së Hasan Prishtinës me këtë parti kanë pasur raporte të mira mbi baza të interesave të përbashkëta.

Partia VMRO-DPMNE, me të cilën ka bërë koalicion Xhaferi, është formuar në vitin 1990. Kryetari i parë i saj ka qenë Lubço Georgievski dhe në programin e saj nuk ka asgjë të përbashkët me VMRO-në e vjetër e cila vetëm se e ka uzurpuar emrin e saj. Ja se ç’mendon dhe shkruan për shqiptarët Lubço Georgievski: “Faktet vërtetojnë se maqedonasit dhe shqiptarët më shpesh u kanë takuar palëve kundërshtare. Periudha e robërisë osmane është koha e zullumeve dhe plaçkitjeve të kryera nga bandat vullnetare të kaçakëve, periudha e Luftës së dytë botërore, maskrat dhe vrasjet të cilat heshtën për hatër të bashkim-vëllazërimit, demonstratat e ndryshme dhe veprimet e bandave të ndryshme të organizuara pas Luftës së Dytë botërore, siç ishte formacioni paramilitar në kohën e LSDM-së dhe PPD-së dhe VMRO-së dhe PDSH-së. Gjithnjë vetëm maqedonasit kanë qenë ata që kanë falur dhe kanë vërtetuar se duan të jetojnë bashkë. Energjia shkatërruese të cilën e bartin në vete fqinjët tanë shqiptarë paraqet një gurrë të madh të lidhur rreth qafës tonë dhe për shkak të tij asnjëherë nuk do mundemi të lëvizim nga vendi. Themeli i interesit tonë qëndron në shpëtimin etnik të Kumanovës, Shkupit, Kërçovës dhe Strugës, kjo nënkupton shpërnguljen e qytetarëve shqiptarë në këtë rajon nëpërmjet shkëmbimit të mjeteve financiare dhe pasurisë. Si do që të jetë për ne maqedonasit një gjendje faktike mbetet e qartë. Sa më gjatë që Kosova ndodhet nën Sërbi aq më të mëdha janë mundësitë për tu ballafaquar me ekstremizmin shqiptar. Dhe e kundërta. Sa më shpejtë që Sërbia arrin ta heq gurin nga qafa e vet, aq më shpejtë do jemi dëshmitarë edhe të një katastrofe a ndoshta do jetë katastrofë maqedonase… Zgjidhjen e mundshme të këtij problemi të hidhur e shikoj në formulimin e një strategjie të hapur dhe të përbashket mes Shkupit dhe Beogradit.”

Nga kjo duket qartë se VMRO-ja ka pasë dhe ka qëndrime diametralisht të kundërta nga pohimet e Xhaferit. Kjo VMRO, të cilën aq shum e ka dashtë Xhaferi, aspak nuk mendon si ai, se shqiptarët prej kohës së Hasan Prishtinës e deri te vogëlsia e tij (e cila nuk duket as me mikroskop) kanë pasë raporte të mira në bazë të interesave të përbashkëta.

Lubço Georgievski I cili e ka filluar bashkëpunimin e ngushtë me PDSH-në e Xhaferit, në shkrimin e tij në gazetën Dnevnik me datën 18 prill 2003, me titull shumë pretencioz, “Teza për mbijetesën e kombit dhe shtetit maqedonas”, thotë: “baza e interesit tonë qëndron në shpëtimin etnik të Kumanovës, Shkupit, Kërçovës dhe Strugës, që nënkupton shpërnguljen e qytetarëve shqiptarë nga këto krahina nëpërmjet shkëmbimit të të mirave financiare dhe pronësore” nënkuptohet, me ndihmën e Xhaferit nëse ka pasë fuqi.

Përveç Xhaferit, çdo shqiptar tjetër e di se udhëheqësit e VMRO-së të kohës së Hasan Prishtinës asnjëherë nuk do të kërkonin strategji të përbashkët ndërmjet Shkupit dhe Beogradit për mbrojtjen e Maqedonisë nga asgjësimi i saj i përhershëm.

Kanë dhënë prova të panumërta se për shqiptarët nuk mendojnë aspak ndryshe as VMRO-istët e rinjë siç janë Gruevskat, Milloshovskat, Filip Petrovskat, Gjorçevët e të tjerë. Tash shtrohet pyetja pse këta antishqiptarë të përbetuar e kanë dashtë dhe vazhdimisht e kanë konsideruar partner strategjik  dhe kanë pas aq shum besim tek PDSH-ja dhe Xhaferi.

Ka shum shkaqe, po përmendim më të rëndësishmet:

Sepse Xhaferi, në fillim të vitit 1994, kur u kthye nga Prishtina në Tetovë, u përpoq të uzurpojë postin e kryetarit të Partisë për Prosperitet Demokratik, dhe meqenëse në këtë aksion nuk pati sukses, së bashku me disa individë të cilët e përkrahnin, me ndihmën e krerëve të atëhershëm të UDB-së, formoi PDSH-në me të vetmin qëllim që ta përçajnë subjektin politik shqiptarë dhe shqiptarët në përgjithsi. Sot më është bë e ditur se ky skenar është realizuar edhe me ndërhyrjen e vrazhdë të Sali Berishës me SHIK-un e Gazidedës.

Në vitin 2000, në zgjedhjet për organet e qeverisjes lokale, militantët e PDSH-së si “aktivistë partiakë” ushtruan dhunë të paparë në vendvotime, derisa në fshatin Kondovë e vranë të riun Fatmir Jakupi. Si pasojë e kësaj tragjedie Partia për Prosperitet Demokratik u detyrua ti tërhiqte kandidatët e vet për Kryetarë të Komunave dhe Këshilltarë me çka PDSH-ja i “fitoi” zgjedhjet në mënyrë të pamerituar me çka edhe më tutje e thelloi përçarjen dhe urrejtjen ndërmjet shqiptarëve të maqedonisë.

Është I njohur fakti se nga qeverisja e përbashkët VMRO-PDSH, nuk doli asnjë ligj që kishte të bënte me avancimin e të pozitës dhe të drejtave të shqiptarëve në maqedoni.

VMRO-së i pëlqente Xhaferi se ai shkonte në Sofje dhe prej atje, ku takoheshte me Karakaçanovin e VMRO-së bullgare, e mohonte egzistencën e kombit maqedonas, duke pohuar se maqedonasit historinë dhe kulturën e kanë krijuar duke vjedhur nga kombet fqinje.

VMRO-ja nuk mund të gjente partner tjetër strategjik si Xhaferi, përshkak se vetëm me ndihmën e tij mund ti asgjësonte rezultatet, sakrificat dhe heroizmin e luftëtarëve dhe dëshmorëve të luftës së vitit 2001. Por gabojnë shumë pasardhësit e Lubço Geoergievskit nëse mendojnë se shqiptarët mund ti harrojnë gjithë ato që VMRO-vcat e kanë thënë në Kuvendin e maqedonisë gjatë debatit rreth miratimit të Marveshjes së Ohrit, për amandamentet e Kushtetutës si dhe gjatë propagandës për referendumit të Todor Petrovit kundër ligjit për ndarje territoriale. Vet Gruevski i frikësonte maqedonasit duke u thënë se “Nuk duhet tua lëmë nën kontroll shqiptarëve burimet e ujërave se do të na helmojnë”.

VMRO-ja vetëm me Xhaferin mendonte se mund ti detyrojë shqiptarët e Maqedonisë të pranojnë se për ta fitues në zgjedhje nuk ka, se fitues në maqedoni mund të jetë vetëm një parti maqedonase, e cila njësoj si në kohën 1945-1990 do të vendos kush prej shqiptarëve është I përshtatshëm të luajë rolin e kukullës në pushtet dhe ti konsiderojë të zbutura marrdhëniet ndëretnike duke e shpërblyer me ndonjë lokal afarist të firmave maqedonase në Prishtinë. Vetëm Xhaferi ishte gati tu japë mundësi kalamajve me bisht si Gjorçevi të VMRO-së, ta caktojnë fituesin e shqiptarëve, në mënyrë të vrazhdë ta shkelin dinjitetin e shumicës dërrmuese të votuesve shqiptarë.

Vetëm Xhaferi e di rolin që kanë luajtur disa anëtarë të partisë të tij duke I ndihmuar “llavat” e Lubço Georgievskit në luftën e 2001-shit. Për këtë rol dëshmon vet Lubço Georgievski në gazeten e përditshme Dnevnik të datës 10 gusht 2002, ku thotë: “Edhe njëherë theksoj, për hir të së vërtetës, se kjo parti (PDSH) që nga fillimi i krizës ishte e vetmja fuqi politike shqiptare, e cila në deklaratat e veta edhe konkretisht në terren, e kundërshtonte terrorizmin”.

VMRO-ja Xhaferit nuk ia harron guximin që me dorën e funksionarit të vet, para ekraneve televizive, në cilësinë e zëvendës ministrit të punëve të mbrendshme të pranojë dekorata e pistoleta prej Lube Boshkovskit.

VMRO-ja e ka pas më lehtë koalicionin me partinë deputetët e së cilës e votuan ligjin mbi ratifikimin e marrveshjes për kufinin me të cilën Sërbia një pjesë të Kosovës ia fali Maqedonisë dhe lideri I së cilës (Xhaferi) publikisht deklaron se Kosova me 2milion banorë nuk  ka kapacitet të funksionojë si shtet I pavarur. Këtë deklaratë për çudi partia e tij asnjëherë nuk e ka demantuar.

Gjatë krizës së refugjatëve të vitit 1999 qeveria e Maqedonisë, në të cilën merrnin pjesë ministrat e PDSH-së së Xhaferit, arritën ta kthejnë trenin nga kufini maqedonas për Prishtinë në të cilin gjendjej akademik Fehmi Agani I cili u egzekutua nga barbarët serbo-sllav, emrin e të cilit, fatkeqsisht dhe për çudi, nuk e mban autostrada Prishtinë-Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button