Zaev kërkon termine nga Xhaferi: I gatshëm për pyetje të deputetëve një herë në javë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev sot me shkrim kërkoi nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi që të caktojë termin për pyetje tematike të deputetëve një herë në javë.

Në letrën, Zaev thotë se Qeveria është e gatshme që të fillojnë pyetjet javore tematike të deputetëve në kohëzgjatje prej një ore, në kohë dhe format të cilin do ta caktojë kryetari i Kuvendit.

“Në kontekst të zbatimit të tërësishëm të Planit 3-6-9, do të doja ta shpreh gatishmërinë e padyshimtë të Qeverisë për mbajtjen e pyetjeve javore, tematike të deputetëve në kohëzgjatje prej një ore, në kohë dhe format të cilin Ju do ta vlerësoni se është më adekuati dhe në pajtim me procedurat e Juaja të brendshme”, thuhet në letrën e kryeministrit.

Zaev përkujton se në pjesën e Planit, i cili përqëndrohet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Qeveria u obligua në përkrahje të tërësishme të një sërë masash me qëllim të kthimit të ambientit demokratik në këtë institucion kyç, përmes dialogut politik dhe bashkëpunimit me të gjita partitë parlamentare, duke përfshirë edhe opozitën.

“Qeveria është e gatshme të japë kontribut në sigurimin e kushteve për implementimin e rekomandimeve të kontraktuara pas ngjarjeve jo të hijshme  më 24/12/2012 dhe lidhur me ngjarjet e dhunshme më 27/04/2017. Në këtë drejtim, në bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë me opozitën, partnerët e koalicionit dhe shumica do të kujdesen që funksioni mbikëqyrës i kuvendit dhe trupave kuvendore mbi punën e Qeverisë dhe shërbimeve të saj të sigurisë dhe zbuluese të jetë i rregullt dhe rutinor. Shumica do të angazhohet edhe për përfshirje më të madhe të shoqërisë qytetare në diskutimet e trupave të Kuvendit”, shton Zaev.

Qeveria i përshëndet hapat e Kuvendit për plotësimin e dispozitave nga Plani 3-6-9 si riakitivizimin e Klubit të deputeteve dhe Komisionit të përhershëm anketues, si dhe fillimin e punës të dy komisioneve për mbikëqyrje të shërbimeve. Gëzohemi për bashkëpunimin e ardhshëm me ta.

Qeveria, sipas tij, aktivisht angazhohet edhe për përfshirje të Kuvendit në reformën e shërbimeve zbuluese dhe të sigurisë, e cila momentalisht, siç tha, është në vijim. Qeveria po ashtu obligohet dhe pranon elaborim të obligueshëm para trupave të Kuvendit të propozim ligjeve në nivel ekspert.

Kryeministri informon se në periudhën e ardhshme, Qeveria do t’i përgatis aktivitetet e ardhshme nga plani 3-6-9.

“Ju ftoj, së bashku me Juve dhe kolegët e Juaj, që bashkarisht t’i harmonizojmë hapat e ardhshme reformuese, të cilat do ta përforcojnë ambientin demokratik në vend dhe posaçërisht në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe sërish do të hapet perspektiva evropiane e vendit tonë”, thekson Zaev në letrën dërguar Xhaferit.

Njëheri ia uroi edhe 100 ditët e para nga udhëheqja me Dhomën ligjdhënëse në drejtim të arritjes së transparencës më të madhe dhe afrimin deri te qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button