Në cilat arkiva private ka biseda të përgjuara?

As policia e as Prokuroria Speciale Publike (PSP) nuk zbulojnë detaje sa i përket arrestimit të të dyshuarve të cilët lidhen me bisedat e përgjuara në mënyrë të paligjshme. Sistemi i përgjimeve është keqpërdorur, kurse materialet kanë përfunduar gjithandej, thonë ekspertët për REL në gjuhën maqedonase. Organet dhe personat përgjegjës duhet të përgjigjen se kush përgjoi, shkruan Portalb.mk.

Arrestimi i të dyshuarve për publikim të bisedave të përgjuara në mënyrë të paligjshme në rrjetet sociale hapi sërish çështjen se edhe kush tjetër posedon materiale të përgjuara.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe nga PSP vërtetojnë se një person është mbajtur në Stacionin Policor dhe se bëhet fjalë për procedurë parahetimore. Nuk zbulojnë më shumë detaje, as për procedurën parahetimore e as për atë se a është bërë bastisje dhe a janë gjetur materiale të tjera.

Numër i madh i mediave publikuan lajme se bëhet fjalë për Lupço Paleskin, aktivist partiak i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) i cili njihet me pseudonimin “Nikolla Teslla” në Jutjub që vitin e kaluar publikoi video në të cilat dëgjohen politikanë derisa bisedojnë.

Bisedat telefonike private të cilat lidhen me ish-deputeten e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ermira Mehmeti, liderin e BDI-së Ali Ahmeti, ish-kryeministrin Hari Kostov, ish-ministrin e Punëve të Brendshme Lubomir Frçkovski, biznesmenin Jordan Kamçev, kryeredaktorët e “TV Sitel”  Dragan Pavlloviç Llatas dhe Ivona Talevska si dhe gazetarët Olivera Trajkovska dhe Branko Gerovski ende mund të gjenden në jutjub.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavlle Trajanov thotë se keqpërdorimi i sistemit të përgjimeve fillon nga partia e pushtetit të kaluar, VMRO-DPMNE-ja dhe udhëheqësit e Drejtorisë së Pestë në MPB të cilët informatat i kanë shpërndarë në shumë vende prandaj edhe materialet mund të ndodhen gjithandej.

“Të gjitha informatat i kishte pushteti i atëhershëm nga kryetari i Qeverisë deri te drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK). Kemi informata se ka pasur edhe keqpërdorime të tjera jo vetëm nga ata që arritën nga drejtorët e DSK-së por edhe nga të punësuarit e tjerë, shefa të kabineteve apo të tjerë ku edhe për çështje private kanë dëgjuar. Dikush ka përgjuar të dashurën dhe punë të ngjashme. Informatat nuk janë mbajtur atje, një pjesë e tyre janë të dërguara edhe tek opozita e cila më pas ia dorëzoi PSP-së. Përgjegjësi për bisedat e përgjuara duhet të kërkohet nga pushteti i kaluar”, tha Trajanov.

Ai konsideroi se përgjegjësia për bisedat e përgjuara nuk duhet të kërkohet vetëm tek ata të cilët i posedojnë dhe publikojnë por edhe te njerëzit e DSK-së të cilët i shpërndanë bisedat. Sipas Trajanov mbrojtja nga ky fenomen duhet të kërkohet nga MPB-ja dhe PSP-ja me një hetim cilësor dhe themelor në lidhje me atë se kush pati qasje te sistemi i përgjimeve.

Në media u tha se një pjesë e materialeve të dala nga sistemi i përgjimeve mund të gjendet në “tregun e zi” në Maqedoni dhe jashtë saj duke u bërë pjesë e shërbimeve sekrete dhe rrjeteve kriminale.

“Supozoj se ai i cili pati monopol të informatave, si MPB-ja e asaj kohe, me siguri zhvendosi informata në më shumë njerëz të cilët mund t’i keqpërdorin për politika të ndryshme, tregti dhe interesa tjera. Kështu përgjegjësi duhet të kërkohet nga ata të cilët e keqpërdorën sistemin e përgjimeve dhe më pas të përgjigjen edhe individët të cilët i publikuan ato biseda”, tha Trajanov.

Por ky nuk është vetëm një rast. Të dorëzuara nga LSDM, në arkivin e PSP-së gjenden mbi gjysmë milion biseda të përgjuara në mënyrë të paligjshme.

Para një viti, para fushatës zgjedhore në faqen e fejsbukit Pronto.mk u publikuan biseda të politikanëve shqiptarë të Maqedonisë. Gishti atëherë iu drejtuar LSDM-së, mirëpo Prokuroria Themelore Publike dhe PSP deri më sot nuk treguan se a është hapur ndonjë procedurë hetimore në lidhje me këto biseda të përgjuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button