Çka na duhen këto sherrnaja

Sulejman Rexhepi

Sulejman Rexhepi

I mbetur në mes të asgjësë, me një sistem të kalbur arsimor, me shkolla e universitete që po prodhojnë “analfabetë me diploma”(çdo respekt për përjashtimet), i ekspozuar ndaj ndikimit të dhunshëm të mediave jo profesionale  dhe të “analistëve e ekspertëve” të vetëshpallur, ekonomikisht i varur nga grazhdet partiake, njeriu i rëndomtë nuk ka se si të mos bëhet pre e  thashethemnajave

Më rastisi para do kohe të bisedoj me një diplomat të huaj që shquhet si njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan. Ai në veçanti e njihte mirë çështjen shqiptare, përfshirë këtu edhe raportet në mes të shqiptarëve brenda trungut islam, si edhe marëdhëniet në mes të  shqiptarëve muslimanë dhe atyre jo muslimanë. Ishte kënaqësi e veçantë të dëgjosh një të huaj që kishte analizuar deri në detaje skenën tonë politike dhe fetare, raportet ndërnjerëzore, mentalitetin tonë, zakonet, doket…

“Sidoqoftë, shqiptarët janë populli më perspektivë në rajon, besoj se do pajtoheni”, i thashë diplomatit të urtë që dinte aq shumë për ne dhe mbeta i habitur nga përgjegja që më ngeli sikur një peng: “Po, jeni shumë përspektivë, por jeni edhe shumë të përçarë, keni aq shumë divergjenca qesharake në mes vete të cilat ju në mënyrë të çuditshme po i shndërroni në gjëra të cilave po ju jepni rëndësi të madhe. Duke u marrë me gjëra triviale, ju, në fakt, po luani me perspektivën që e keni. Ndërkohë, të tjerët po kërkojnë shtigje …” . Aështu foli diplomati i huaj dhe iku të përfundojë misionin për të cilin kishte ardhur.

Dhe, tamam mendova se i harrova fjalët e të huajit, në një natë të padurueshme nga vapa shkupjane, ato disi padiktueshëm më erdhën ndërmend.

Po cilat na qenkan ato përçarje e divergjenca, cilat qenkan ato trivialitete që po na e penguakan perspektivën? Sikur për bela filluan të më kujtohen një varg gjërash të parëndësishme me të cilat ne i bëjmë karshillëk njëri tjetrit. “Margaritar” pranë  “margaritarit”.

Njëri thumbit e tjetri patkoit

Përplasja jonë elementare dhe e kahmotshme është – a jemi katundarë apo sheherli, cili kemi më shumë “stazh” në qytet, thua ti se mençurinë, aftësinë, diturinë, humanitetin e patriotizmin na e përcaktojnë të jetuarit në katund apo në qytet.

Dhe, menjëherë pas këtij “problemi madhor” e ndoshta edhe përpara atij, vijnë gajlet tona “fetare”. Cili jemi më besimtar, cili është musliman hakikat e cili nuk është, a duhet me mbajtë a mos me bajtë mjekër, a duhet të ofendojmë e të shajmë gratë e pambuluara dhe anasjelltas, a është i mirë ISIL apo është i keq, kush nga ne është “xhenetli” e kush është “xhehenemli”, a më mirë “selefist” a “tradicionalist”… Ndërkohë të gjithë po harrojmë se vetëm Zoti është Ai që vlerëson bindjet dhe besimin tonë, kurse ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm e tolerantë ndaj njëri tjetrit dhe të flasim me gjuhën e dashurisë dhe jo të urrejtjes.

Mandej fillojnë zënkat tona dialektore, lokaliste, krahinore. Toskët apo gegët janë më shqiptarë e më  burra, kush kujt ia bëri me hile gjatë formimit të standardit gjuhësor, a janë  shkupjanët “zorraxhinjë”  dhe  tetovarët “bozaxhinjë” më të këqinjë se gostivarlinjtë “turçeli”, a jemi më shqiptarë ne të   Maqedonisë apo ata të Kosovës…

Si pika mbi “i”, vijnë përçarjet e budallakafta lidhur me përkatësinë partiake që kanë degraduar deri në situata tragjikomike. Si ilustrim po më kujtohet një rast kur dy të rinjë nuk mund të martoheshin sepse familja e vajzës qenka PDSH e ajo e djalit BDI.

Por, nuk përfundojnë këtu zënkat, mosmarëveshjet dhe përplasjet që po e përmbushin kohën tonë të cilën po e bjerim e po e shesim aq lirë. Ne, thua se i kemi regulluar të gjitha punët , kemi filluar të ndahemi edhe në “muhamedanë” dhe “llatinë”, “osmanlinjë” dhe “skenderbegistë”, “pro” dhe “antiturqë”, “pro dhe anti arabë”. Sot nuk është kurrfarë çudie që shqiptarët një ndeje miqësore t’a shndërojnë në polemikë dhe ofendime të ndërsjella të përkrahësve të Lindjes e të Perëndimit e pastaj atë polemikë t’a transferojnë në fb. Jemi ndarë edhe në “erdoganistë” dhe “gylenistë”, disa nga ne po ia mbajnë anën Saudisë dhe të tjerët Katarit. Nuk kam dëgjuar gjë por nuk do habitesha nëse ndonjë ditë do përçahemi edhe lidhur me fiset Hutu dhe Tutu

Nuk jam i sigurtë a mendonte diplomati i huaj vetëm për këto përçarje tonat apo kishte detektuar edhe të tjera që me siguri nuk na mungojnë, por ama është e qartë se vlerësimin nuk e kishte pasur fortë të gabuar.

Rekuiem për Gjergj Fishtën     

Po të kish qenë Gjergj Fishta musliman, me zemër do i këndoja nga një “El Fatiha” sa herë që do e shfletoja Lahutën e Malcisë ose Gomarin e Babatasit. Kështu, i mbetet kishës katolike ta përkujtojë me ndonjë rekuiem, kurse neve të tjerëve na duhet të dridhemi nga zëri buçitës me të cilin ai para shumë vitesh detektonte dhe i godiste ata që shqiptarinë e konsideronin monedhë për të kthyer kusurin.

“Ju rrugaça sallahana /vagabonda shakllabana/ rriçna t`ndyet, mikrobe të kqi/ qi të mjerës moj Shqipni/ kthelltë hi i keni në mushkni/ pa dhimbë gjakun tuj ia pi/ por der kur, bre batakçi!/ Bre coftina, kalbe mbi dhè/ der kur ju, tu tallë npër ne/ do t`na qelbi fis e atdhè? /Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë/ se tash ma jemi tue u njoftë/ se kush jini e shka jinni/ se kah shkoni e se kah vini/ plang e shpi se kah i kini…”

Kështu këndonte At Gjergj Fishta nga dhembja që po e shihte të ndarë e të përçarë një popull të lashtë e fisnik, të dërmuar nga grykësia e atyre që do duhej të bëhen udhërrëfyesi dhe fanari. Mjerisht, vargjet sot nuk pijnë ujë dhe paralajmërimet e Fishtës te shumë pakë njerëz e ndezin sinjalin e alarmit. Pse? Sepse, “udhërrëfyesit dhe fanarët” tanë e mbollën me shumë sukses mikrobin e fitnes dhe fesatit në mesin tonë, ndërkohë që vetë u izoluan në botën e tyre në të cilën nuk ka vend për hallet e njeriut të rëndomtë.

I mbetur në mes të asgjësë, me një sistem të kalbur arsimor, me shkolla e universitete që po prodhojnë “analfabetë me diploma”(çdo respekt për përjashtimet), i ekspozuar ndaj ndikimit të dhunshëm të mediave jo profesionale  dhe të “analistëve e ekspertëve” të vetëshpallur, ekonomikisht i varur nga grazhdet partiake, njeriu i rëndomtë nuk ka se si të mos bëhet pre e e thashethemnajave, përçarjeve dhe sherrnajave nga fillimi i këtij teksti.    

Kush do e inicojë procesin e rikthimit në normalitet, është vështirë të thuhet për momentin sepse një proces i atillë nënkupton mund dhe sakrifica të skajshme. Të kthehesh e të fillosh nga pozita zero, është një punë që mund ta bëjnë vetëm njerëz të veçantë, të vetëdijshëm se misioni i tyre do të hasë gjatë rrugëtimit në shumë ndërkëmbëza.

Sidoqoftë, diplomati i huaj nuk është se ia futi kot kur tha se “perspektivën e shqiptarëve e pengojnë përçarjet brendashqiptare…”

P.S.  Tek po e shkruaja këtë tekst, shpërtheu zjarri në Kondovë. Dhe, shpërthyen përçarjet e grindjet se kush qenka fajtor për zjarrin dhe kush paska ndihmuar e kush nuk paska ndihmuar për ta fikur atë. Shyqyr, Zoti u mëshirua e na dërgoi shiun që e fiku zjarrin.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP