PËRVOJË NGA PERIFERIA

Milan Kundera thotë se “nuk është i lumtur njeriu që dëshiron ta braktisë qytetin ku jeton”.

Më të trishtuar janë mendjet kritike e kreative, që duan ta ndryshojnë vendin e tyre, por gjithnjë i humbin shpresat për këtë ndryshim dhe kanë ndjesinë se qyteti i tyre e dëshiron gjendjen e njëjtë.

Për mendjen kritike dhe kreative çdo ditë është e njëjta ditë. Ajo është e mbushur me refrene, flet me gjuhë të drunjtë, të pa mendim.

Kjo gjendje krijon ndjenjën e ikjes drejt një bote tjetër, më të hapur për mendësinë dhe shpirtin e tyre.

Kasabasë apo “qytetit periferik”, të lënë në harresë, i shkon thënia e shkrimtarit Orhan Pamuk: “Më duket se në këtë qytet as banorët, as vetë qyteti, nuk ishin të vërtetë. Të gjithë donin ose të vdisnin ose të iknin”.

Në kasaba duket se ndodhin ngjarje, por në fakt ndodh pak gjë, sepse ngjarjet janë pothuajse të ngjashme.

Njerëzit janë asnjanës kundrejt ndryshimit.

Nuk duan ta ndryshojnë botën brenda dhe jashtë tyre.

Me “të vjetrën” janë njësuar, kurse nga “e reja” kanë frikë.

Risia shihet si cenim i botës së tyre uniforme.

Njerëzit mendojnë se bota e tyre është e vërtetë, e duhur dhe si e tillë duhet të jetë refuzuese ndaj realiteteve jashtë përmasave të saj.

Ajo që vjen nga “jashtë” shihet me dyshim dhe frikë.

Te njerëzit ekziston droja se “bota e jashtme” mund t’ua përmbys kodet jetësore, gjithsesi ngulfatëse, nga të cilat nuk duan të çlirohen.

Kështu, kjo botë, bëhet e pandryshueshme, dogmatike, ku trivialiteti e ngulfat kreativitetin.

Kjo botë e izoluar komunikon me diskurs trivial, me refrene dhe shumëfishon mendimet e njëjta.

Është botë përjashtuese kundrejt atyre që nuk e durojnë uniformitetin, pra që duan të jenë ndryshe, të realizojnë një identitet të tyre individual…

Kasabaja nuk është “as qytet dhe as fshat”. Është diçka në mes.

Nuk është fshat, sepse ka humbur shumëçka nga ruralja.

Nuk është as qytet, sepse ruan shumëçka nga kjo botë e mbyllur kundrejt risive.

Banorët e kasabasë jetojnë në botë laramane, por e ruajnë homogjenitetin e botës prej nga e kanë origjinën. Pajtohen me atë që kanë dhe jo me atë që do të duhej të kishin.

Kjo botë e izoluar flet me gjuhë e frikës. Kështu bëhet streha e dëshiruar e mendjes së robëruar dhe vend i trishtë për mendjen kreative, kritike, të hapur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button