SMS dhe të tjera (II)

“Sot në mëngjes shetita pak Tetovën derisa ajo flinte” i shkrova atij një ditë.

(Si m’u duk qyteti? Eca nëpër bulevardin që ka trotoar të plotë vetëm në njërën anë. Arrita në sheshin ku veturat plastike për huazim, grupe-grupe, ishin mbuluar me najlona gjë që ma përkujtoi p.sh Vranjen. Kafenetë rreth sheshit plot karrige në ngjyra të ndryshme, të zgjedhura pa shije. Dhe mbi të gjitha si kurorë – mbishkrimi “Ilirija center” në shtëpinë e dikurshme të mallrave që tash duket si pazar grash në mes të qytetit. Etiketa Iliria e shton shijen e hidhur për “qendrën kulturore shqiptare në Maqedoni” siç e quanin dikur Tetovën. Nuk e quajnë më).

“Desha të të ftoja për kafe, por supozova se je ende në gjumë”.

(Gjithmonë e kam humbur betejën me zgjimin në mëngjes” më përgjigjet Salajdini. Ndoshta poezitë e tij margaritarë kanë lindur kryesisht në orët e vona kur “i heshtur i braktisur…” mund t’i përkushtohet krijmit, pra i bëhet hallall fjetja e gjatë).

“Duhet të shkruaj një tekst për ty dhe me këtë sebep desha të takohemi” vazhdoj në sms.

(Vjet për revistën Shenja bëra profil për Salajdinin si poet dhe kur tash prap më kërkuan njëherë mendova mos janë ngatërruar gjë, mandej iu përgjegja vetes: nëse për politikanë pa rezultate lexojmë pa reshtur, përse mos tematizohen më shpesh ata që e meritojnë me veprën e vet!? Por ditën kur u ula për tekstin s’kishte Internet; e mora si shenjë dhe nuk e anulova për të nesërmen kur do të mund të shfrytëzoja citate nga kolumnat dhe intervistat e tij).

Profili për Salajdin Salihun për revistën doli profil për fillet e miqësisë sonë kur deheshim me libra e muzikë dhe ëndërronim syhapur për një qytet dhe shoqëri tjetërfare. Shumë gjëra ndryshuan ndërkohë, shumica për të keq. Ndryshuam edhe ne vetë, më shumë për të mirë a për të keq, kush e di.

Para do kohe, sidomos kur shkruante nga udhëtimi në Zvicër, në kolumnat e tij hetoja dozë melankolie. Kisha përshtypjen se e ka nga atmosfera e nderë në Tetovën që nuk është as qytet as katund. Këto thyerje i vërej edhe tek miqtë atje të cilët “të pathënën e fshehin ndër alga zhgënjimi”, disa më duket që e kanë “këngën e grimcuar” shkaku i “identitetit të humbur të qytetit pa letërnjoftim” në shoqërinë që lëngon pa sinjale shërimi. Këto dhe tjera vargje të tij janë më aktuale sot se sa kur u shkruan.

Profili për Salajdin për Shenja doli profil për Tetovën ku plehrat digjen në hyrje të qytetit. Priten drunjtë e vjetër. Nuk ka ujë mbi 15 vjet. Thithet ajër ndër më të ndoturit në botë. Banorët mbyllin dritaret, sytë dhe veshët, mbushin kovat dhe duken të pajtuar me mungesat. Mungesë standardi edhe në komunikacion, infrastrukturë dhe kulturë. Atje me vite presin aprovim “nga Shkupi” për bus urban. Atje semaforat nuk punojnë. Trotoaret në bulevardin qendror po renovohen, deri në zgjedhjet lokale pritet të përfundojnë. Atje mbi 10 vjet flitet zyrtarisht për ndërtesën e re të teatrit dhe bibliotekës, por shihet vetëm karabinaja e nisur. Në Kasabanë Tun-Batun (F.Sulejmani) dhe në shoqërinë që vuan pa simptome mëkëmbjeje “edhe vonesa arrin me vonesë ose nuk arrin fare”.

Edhe ky vargu yt Salo, më aktual tash se sa kur u shkrua.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Sa mire qe duken keto kolumnat e fundit, e ytja dhe e Salajdin Salihut. Si nje proteste intelektualesh ndaj gjithe asaj te keqes qe e e ka mbulu vendin qe eshte as qytet e as fshat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button