KOPSHTI PËR FËMIJË

U ul, si gjithmonë në kauçin e vjetër në shtëpinë e tij të vjetër në fshat dhe e mori ta shfletonte gazetën derisa e shoqja ta bënte sallatën dhe ta shtronte drekën. I ra në sy një titull: “Trampi i gatshëm ta sulmojë Korenë Veriore”. Deshi ta lexojë, sepse mendonte se Amerika po ndërmerrte një hap të rrezikshëm, mirëpo ra zilja. U ngrit, e hapi derën. Ishte i biri, i cili, pasi e përshëndeti të jatin pyeti:

A dëgjuat?

Çfarë të dëgjojmë? ia ktheu i ati, ndërsa gruaja që e dëgjonte bisedën nga kuzhina, i la sallatat dhe iu afrua të birit e të shoqit.

Ç’paska ndodhur biri i nënës?

Po ndërtojnë xhami në lëndinë, tha djali.

Në cilën lëndinë? pyetën përnjëherë burrë e grua, kurse burri shtoi: Po paratë kush i jep.

E ndërtojnë në lëndinën këtu pranë nesh. Paratë do të sigurohen nga vetëkontributi. I japin fshatarët, tha djali.

Në këtë lëndinën e vogël, në këtë vakëf, në këtë troll pa të zot, para dritareve të shtëpisë sonë., xhami?! Po ku ka vend këtu?! pyeti gruaja.

Odbori i xhamisë kështu mendon. Edhe ai hoxha që thonë se paska mbaruar medrese diku në Arabi, tha djali, pastaj u ul në kauçin tjetër i cili ishte vendosur pranë murit tjetër duke bërë një V të madhe bashk; me kau[in ku ishte ulur i ati, e mori telekomandën, e lëshoi televizorin që e kishin përballë dhe tha: Ta shoh mos po japin ndonjë lajm për xhaminë. Është kohë lajmesh. Ora pesë.

Burri u ndje keq nga lajmi për ndërtimin e xhamisë, sepse kishte një ide për ta ndërtuar një kopsht për fëmijë. Këtë ide e kishte biseduar me disa shokë dhe që të gjithë donin t’i hynin kësaj pune me vullnet, ngase bëhej fjalë për të ardhmen e fëmijëve. Damarët në qafë iu frynë dhe ai e ndjeu pulsin që iu ngrit menjëherë ndoshta te njëqindshi.

E ktheu kokën, përsëri e mori gazetën dhe e hodhi shpejt tutje, sepse nisën ta ngulfasin titujt e ndryshëm për plaçkitjen e postës, për gjykimet e njerëzve të pafajshëm me të cilët i mbushnin birucat e burgjeve politike, për fyerjet që i bëhen gjuhës shqipe, për deklaratat monstruoze të disa hoxhallarëve kunër rilëindësve tonë dhe për emrimet e ministrave dhe funksionarëve në qeverinë e re, shumica e të cilëve ishin libër i lexuar disa herë dhe do të  ishin përsëritje e dështimeve të partisë shqiptare në pushtet.

U ndal, e fërkoi ballin me dorën e majtë, si e kishte zakon të bënte saherë që ndjente ndonjë siklet. Pastaj e pyeti të shoqen që ende rrinte në këmbë aty në dhomë.

A i bëre sallatat? Dhe, pa pritur përgjigje prej saj, shtoi: Shtroje sofrën ! Dhe, këtë “shtroje sofrën” e tha ashtu kot, ngase tash nuk ndjente uri. Xhamia që po ndërtohej ia prishi planet, sepse ajo do ta prishte planin për kopshtin e fëmijëve. Po halli? e pyeti veten.

U ngrit e doli jashtë pa bërë zë dhe pa i tregua ras të shoqes. Kur nisi ta shtrojë tryezën gruaja, u habit që s’e pa të shoqin në dhomë.

Ku shkoi yt atë?

Djali që po përtypte një çamçakëz tregoi me gisht kah dera që kishte mbetur pakëz e hapur pasi ai kishte dalë. Gruaja po mendonte: ç’dreqin e gjeti që paska dalë. Vetë më tha: “Shtroje drekën”!

Burri zbriti poshtë. U nis drejt dyqanit të vogël që gjendej në lagjen tjetër dhe e pa një fqinj me të cilin s’ishte parë gjatë kohë.

Tungjatjeta komshi! Fqinji e çoi pakëz dorën lartë dhe e tundi kokën në shenjë përshëndetjeje. Burri e pyeti: A ke dëgjuar gjë për xhaminë që po ndërtohet në lëndinën e vogël pranë shtëpisë sime?

Kanë dashur ta bëjnë, tha fqinji, por nuk bëhet dot. Nuk e lejojnë sepse i paska dalë një pronar. Kanë thënë xhamia se do të ndërtohet tjetërkund.

U kthye në shtëpi, ku e gjeti sofrën shtruar. U ul ai, u ul edhe gruaja, kurse të birin e ftoi e ëma: ec bir, sofra u shtrua.

Sa nisën të hanë, burri tha:

Nuk do ta ndërtokan xhaminë. Asnjëri nuk tha gjë pas këtyre fjalëve. Do ta ndërtojnë tjetërkund, shtoi burri, që do të thotë se do të mund të bëhet çerdhja e re.

Të nesërmen burri doli dhe bisedoi me shokët që të mbledhin vetkontribut për kopshtin e fëmijëve. Pastaj dy javë të tëra u mundua t’i bindë banorët e fshatit se sa e rëndësishme është që të ndërtohet kopshti. I luti që të mbajnë një mbledhje të përbashkët ku do të vendosin t’i drejtohen qeverisë që ajo ta financojë pjesën më të madhe të këtij projekti, kurse më e vogla të shkojë përmes vetkontributit, në numrin e xhirollogarisë së hapur apostafat për këtë punë. Fshatarët u mblodhën, biseduan gjerë e gjatë, po kurrsesi nuk merreshin dot vesh. Disa mendonin se kjo është punë e shtetit, disa thoshin se s’kanë fëmijë e prandaj nuk duhet të japin para për ndërtimin e çerdhes, të tjerët thoshin se vendi për çerdhe nuk është i përshtatshëm, sepse aty herëdo-kurdo do të ndërtohet xhamia. Odborniku i xhamisë vetëm i rrotullonte rruzaret dhe i shikonte si prej së lartë fshatarët tjerë. Herë pas here e ngrinte dorën dhe e lëvizte gishtin tregues në shenjë mohimi. Si përfundim, aksioni doli i pasuksesshëm.

Ditve të tjera fshatarët talleshin me idenë për ndërtimin e kopshtit për fëmijë. Kopsht për fëmijë: pallavra, tha një ditë odborniku i xhamisë duke i numëruar rruzaret.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button