Shqipëria e papërgatitur në luftën me zjarret

Mjete e papërshtatshme, personeli i patrajnuar dhe dështimi i shumë bashkive për të ngritur në kohë drejtoritë e mbrojtjes nga zjarri, e ka vështirësuar betejën e vendit me flakët gjatë kësaj vere të nxehtë, ndërsa dhjetra-mijëra hektarë janë bërë shkrumb e hi.
Mijëra hektarë  pyje, shkurre dhe kullota janë shkrumbuar në mbarë vendin në muajin gusht dhe vetëm gjatë  72 orëve të fundit numërohshin 19 vatra zjarri, ku më i rrezikshmi konsiderohej zjarri i rënë në afërsi të tunelit të Kërrabës, në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan.

Flakët kanë përpirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh edhe në zonat e mbrojtura ndërkohë që punonjësit e emergjencave civile ankohen se punojnë me mjete të papërshtatshme dhe me një personel të pa trajnuar e të vogël në numër.  Efektivë të zjarrfikësve i thanë BIRN se në të shumtën e rasteve ata  janë të detyruar të shkojnë në operacione  në zonat që nuk janë nën administrimin e tyre.  Për shkak të terrenit malor dhe prodhimit të vjetër të makinave zjarrëfiks, mjetet  në shumë rasteve i lënë në rrugë, pa arritur destinacionin.

Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit i thanë BIRN se vetëm 17 % e territorit pyjor administrohet prej  tyre ndërsa pjesa tjetër prej pushtetit vendor, ndërkohë që gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve kanë konstatuar që shumica e bashkive nuk kanë ngritur drejtoritë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.  Me reformën e re administrative shërbimi i zjarfikses është në kompetencë e pushtetit vendore, ndërkohë që situata e rëndë ka bërë që të përfshihen forcat e ushtrisë dhe  efektivë të policisë së shtetit.

Përgjatë 1 muaji në operacionet e shuarjes së zjarrit janë përfshire mbi 2800  ushtarakë,  helikopterë dhe avionë të posaçëm  të ardhur nga Greqia.

Në mbarë vendin janë regjistruar 87 vatra zjarri, ndërkohë që Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, deklaron se të shumtën e rasteve zjarrvënia është e qëllimshme.

Policia e shtetit ka arrestuar 17 perona si të dyshuar për zjarrvënës të qëllimshme ndërkohë që ka proceduar  në gjendje të lirë 8 të tjerë.

Mijëra hektarë të shkrumbuar

Sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh, shkurresh, kullotash janë përpirë nga flakët ndërkohë që institucionet shqiptare nuk deklarojnë shifra përmbledhëse mbi sipërfaqen totale të shkrumbuar. Rasti i parë i zjarrit gjatë këtij sezoni u konstatuat 40 ditë më parë në Parkun Kombëtar të Lurës.

Raportimet e  Ministrisë së Brendshme janë periodike sa i përket vatrave të zjarrit dhe pasojave të shkaktuara, ndërkohë  që Ministria  e Mbrojtës ka angazhuar në këtë betejë rreth  40 % të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë.

BIRN mblodhi dhe analizoi të gjitha deklaratat periodike të  Ministrisë së Brendshme,  që nga 1 Korriku deri më 11 Gusht 2017.

Referuar këtyre të dhënave, rezulton se sipërfaqja e djegur është 1582.05 hektarë pyje -përfshirë pisha, ah, shkurre dhe kullota.  Qarqet më të prekura janë Tirana, Shkodra, Gjirokastra  dhe Vlora.

Ndërsa sipas sistemit të monitorimit të zjarrit ‘European Forest Fire Information System, i cili është pjesë e sistemit ‘Copernicus’ të emergjencave civile të krijuar nga Komisioni Europian, në Shqipëri gjatë vitit janë djegur 15,228 hektarë pyje dhe kullota dhe janë regjistruar 87 vatra  zjarri – 10 herë më e madhe.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi i tha BIRN se gjendja e zjarreve në vend mund të konsiderohej kritike por ai shtoi se situata është nën kontroll dhe efektivave të  zjarrfikësve u kanë ardhur në ndihme dhe forcat e ushtrisë si dhe helikopter  nga vedet fqinje.Zjarret kanë prekur dhe zonat e mbrojtura dhe Parqet Kombëtare, ku për periudhën Janar-Korrik 2017, ka pasur 15 raste të rënies së zjarrit dhe mbi 500 hektarë pyje të djegur.

Zv.Ministri i Mjedisit Kledi Xhaxhiu i tha BIRN se gjendja është kritike dhe se në të shumtën e rasteve zjarrvëniet janë të qëllimshme.

“Nuk duhen përjashtuar dhe rastet aksidentale por na rezulton se të shumta janë rastet ku kemi të bëjmë me zjarrvënës të qëllimshme,” tha Xhaxhiu.

“Janë barinjtë apo dhe njerëz që për arsye të ndryshme i vënë flakën hapësirave të gjelbërua për të përfituar sipërfaqe toke të lirë,” shtoi ai.

Në mbarë vendin 17 persona janë arrestuar me akuzën e vendosjes së qëllimshme të zjarreve dhe  8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Kodi penal shqiptar parashikon masa të rënda dënimi për vendosjen e qëllimtë të zjarrit në pyje. Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me zjarr dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Kur nga vepra penale janë shkaktuar pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

Sipas Xhaxhiur një zbatim më i mirë i ligjit dhe denoncimi i rasteve të qëllimshme të zjarrvënës do minimizojë pasojat shkatërruese të zjarreve në vend.Megjithëse Ministria e Mjedisit menaxhon vetëm 17% të territorit pyjor në vend, ku për shkak të zbatimit të reformës administrative territoriale pyjet dhe kullotat i kaluan pushtetit vendor, Xhahiu thotë se gjatë inspektimeve ka konstatuar se një pjesë e mirë e bashkive nuk kanë marrë masa për ngritje strukturave të mbrojtjes nga zjarri.

“Konstatojmë se në të shumtën e rasteve bashkitë ende nuk kanë ngritur strukturat e tyre të menaxhimit të territorit apo siç janë edhe drejtoritë  e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit.Kjo ka qenë dhe një arsyet pse pasojat e shkaktuara nga vatrat  zjarrit janë më të mëdha,” nënvizoi Xhaxhiu.

Qarqet ku zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha në sipërfaqe pyjore, sipas deklaratave zyrtare të Ministrisë së Brendshme janë Tirana ku  janë djegur një sipërfaqe prej 202.9 hektarëv, Shkodra me 226.1 ha të djegura, Vlora me një sipërfaqe prej 454.6 hektarë të djegur dhe  Gjirokastra me 111.55 hektarë.

Bashkia Tiranë dhe Shkodër nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi masat e marra nga ana e tyre për ndërtimin e stukuarve të Mbrojtës së zjarrit.

Ndërsa problematika e menaxhimit strukturave vendore pranohet nga drejtuesit e zjarrfikësve në Gjirokastër dhe Vlorë.

Drejtori i kabinetit të bashkisë Gjirokastër Entela Bani, i tha BIRN se në këtë qark është ngritur shtabi i emergjencave ku është instruktuar personeli për vëzhgimin e zonave, kryesisht për zonat e mbrojtura, si Qendra Historike e Gjirokastrës . Nga agjencitë në varësi të bashkisë, si Agjencia e Shërbimeve Publike dhe Agjencia e Shërbimeve Bujqësore, Mjedisore e Veterinare janë ngritur grupe vullnetarësh, të cilët janë trajnuar pranë MZSH Gjirokastër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button