АNALIZË: Për t’u futur në gjurmët e parave të vjedhura duhet gjyqësi stabile dhe vullnet politik! 

Strategjia e paralajmëruar për përforcim të kapaciteteve për zhvillim të hetimeve financiare dhe për konfiskim të pronës, me plan aksional për zbatimin e saj, është vetëm një hap drejt asaj që duhet të jetë synimi përfundimtar – dënim për kriminelët dhe kthim i pronës dhe i parave të fituara në mënyrë të paligjshme, komenton një pjesë e ekspertëve pas vendimit të qeverisë për të ndërmarrë veprim konkret në lidhje me konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme. Informatat e fundit që janë në dispozicion, të cilat i publikoi rrjeti hulumtues “Integriteti financiar global” (Global Financial Integrity) flasin se prej vitit 2004 deri në vitin 2013, nga Maqedonia janë nxjerrë 5 miliardë dollarë. Institucionet e vendit nuk i dhanë përgjigje publikut se a janë dhe sa janë të vërteta këto shuma, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Pa gjyqësi të pavarur – nuk ka efekte…

Pozitive është ajo se qeveria ndërmori hap për trajtimin e çështjes për të cilën flitej në opinion – konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme, mirëpo që ky mekanizëm të zbatohet në praktikë nevojitet përforcim i konsiderueshëm kadrovik dhe teknik i institucioneve dhe i kuadrove, komentojnë njohësit e rrethanave.

“Çelësi për hetime të sinkronizuara financiare gjendet në prokurori, ku duhet të formohet një sektor i veçantë për krim ekonomik, i cili do ta koordinonte punën. Për hetime cilësore financiare duhet të përforcohen kapacitetet institucionale në aspekt të: kapaciteteve kadrovike – ngritja profesionale dhe standardizimi i procedurave dhe i nënakteve ligjore; kapaciteteve teknike – përforcimi i bazave të të dhënave të institucioneve dhe sigurimi i këmbimit të shpejtë të të dhënave dhe qasja në pjesë të caktuara të bazave të të dhënave, si dhe formimi i ekipeve ndërinstitucionale që do të punojnë në lëndë konkrete” – thotë Vane Cvetanov, njëri nga ish-drejtorët e Drejtorisë për parandalimin e larjes së parave.

Me propozim të Ministrisë për Punë të Brendshme, Qeveria miratoi informatë për nevojën për përgatitjen e strategjisë së Republikës së Maqedonisë për përforcimin e kapaciteteve për zhvillimin e hetimeve financiare dhe për konfiskim të pronës, me plan aksional për realizimin e saj.

“Duke pasur parasysh faktin se kjo strategji është pjesë e agjendës së Planit 3-6-9, qeveria e obligoi Ministrinë për Drejtësi dhe atë për Financa (Drejtorinë për të hyra publike, Drejtorinë e doganave, Drejtorinë e policisë financiare, Drejtorinë për zbulim financiar), të dorëzojnë nominime për anëtarët e grupit të punës që do ta përgatisë strategjinë” – njoftoi qeveria.

Në Maqedoni ka rregullativë ligjore e cila parasheh konfiskim të pronës në procedura gjyqësore, dhe ajo është zbatuar në disa raste, si për shembull, në rastin “Vatha” (Baçilo), “Agroplod” etj. Kërkesa për konfiskim dhe ngrirje të pronës deri te gjykatat ka dorëzuar edhe Prokuroria speciale publike, e cila kërkoi ngrirje të pronës në rastin “Transporter”, ku është i akuzuar kryetari i komunës së Manastirit, Vlladimir Taleski, në rastin “Talir” me pronën e VMRO-DPMNE-së, në rastin “Treqind”, për blerjen e veturave policore, mirëpo gjykata i refuzoi këto kërkesa. Me kërkesë të PSP-së, është ngrirë vetëm prona e firmës “Transmet” e biznesmenit Sead Koçan, i akuzuar në rastin “Trust”.

Ekspertët thonë se ashtu siç është i vendosur sistemi tani, procesi i konfiskimit do të shkojë shumë ngadalë. Si parakusht për luftën me krimin theksohet edhe gjyqësia stabile dhe e pavarur, e cila nuk do t’i ruajë në sirtarë dosjet e krimit, transmeton Portalb.mk.

“Ne kemi Agjenci për menaxhim me pronën e konfiskuar të llojit të Shërbimit të Mareshalit në SHBA, mirëpo nuk kemi komision të veçantë që do të merrej me konfiskimin e pronës, që është fituar nëpërmjet veprave penale. Në legjislacionin tonë konfiskimi i është lënë gjykatave, të cilat janë në gjendje të mjerueshme, nuk kanë kapacitet të merren me punën e tyre të rregullt – ndarjen e drejtësisë, e lëre më të menaxhojnë procedura delikate për gjetjen e krimit të pronës së fituar në mënyrë kriminale, dëshmimin dhe konfiskimin e tij” – thotë Cvetanov, i cili konsideron se në Maqedoni duhet të formohet organ apo komision i veçantë, sipas shembullit të Bullgarisë, Kroacisë ose ndonjë vendi tjetër evropian.

“Ky lloj i organeve, gjatë procedurës penale parahetimore, fillon me mbledhjen e informatave për kapitalin e fituar nga personat e dyshimtë, e pas përfundimit të procedurës penale, fillohet me procedurë civile në lidhje me pronën e fituar, me ç’rast barra e dëshmisë qëndron te personat e dënuar” – sqaron ish-drejtori i Drejtorisë për parandalimin e larjes së parave.

Sa para në mënyrë të paligjshme janë nxjerrë nga Maqedonia? Përderisa për publikun e vendit kjo temë ishte aktuale, mirëpo pa fakte konkrete, rrjeti hulumtues “Integriteti financiar global” (Global Financial Integrity) publikoi se prej vitit 2004 deri në vitin 2013 nga Maqedonia janë nxjerrë 5 miliardë euro. Mu kjo informatë e hapi dilemën se a ka dështuar sistemi për luftë me krimin, ndjekjen e transaksioneve dhe parandalimin e larjes së parave.

Nëse analizohet hulumtimi sipas viteve, të dhënat tregojnë se më shumë para joligjore janë nxjerrë në vitin 2008, edhe atë 928 milionë dollarë, dhe në vitin 2011, 852 milionë dollarë. Në periudhën prej vitit 2003 e deri në fund të vitit 2006, mesatarisht për çdo vit në mënyrë të paligjshme janë nxjerrë rreth 365 milionë dollarë. Në vitet më pas, gjegjësisht në periudhën prej vitit 2007 deri në vitin 2012, mesatarja vjetore e parave të nxjerra në mënyrë të paligjshme tejkalon 625 milionë dollarë, gjegjësisht rreth 3,7 miliardë dollarë. Sipas shumës së parave të nxjerra në mënyre të paligjshme Maqedonia gjendet në vendin e 88-të. Serbia gjendet në vendin e 35-të me vlerë mesatare prej 4 miliardë dollarë në vit, ndërsa  Kroacia është në vendin e 40, prej ku mesatarisht në vit nxirren 3,5 miliardë dollarë, në vendin e 105-të është Mali i Zi me 257 milionë dollarë në vit, ndërsa Shqipëria gjendet në vendin e 118-të me 123 milionë dollarë para të nxjerra në mënyrë të paligjshme nga vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button