Lëvizja Besa dhe RDK: MO është zvarritur dhe nuk është realizuar që 16 vite

Partitë politike shqiptare në Maqedoni me rastin e përvjetorit vlerësojnë se Marrëveshja e Ohrit nuk është realizuar siç duhet dhe se është zvarritur tejmase implementimi i saj.

Lëvizja Besa për Portalb.mk thotë se sipas tyre kjo është një marrëveshje e skaduar dhe që tashmë, në rrethana të reja, edhe sikur të implementohet, nuk do t’i jepte frytet e planifikuara në vitin 2001.

“Sa i takon Marrëveshjes së Ohrit, ne konsiderojmë se ajo është një marrëveshje e skaduar dhe që tashmë, në rrethana të reja, edhe sikur të implementohet, nuk do t’i jepte frytet e planifikuara në vitin 2001. Le që ajo u krijua në kushte të luftës, të presionit dhe la shumë pika të pazgjidhura. E, përveç kësaj, meqë ishte një marrëveshje që iu imponua maqedonasve me luftë, ata gjithnjë u munduan ta sabotojnë atë, ndërsa këta shqiptarët tanë – për fajin e tyre – nuk arritën ta shtyjnë më tej avancimin e saj, siç ishte projektuar – sepse ajo ishte kornizë që duhej avancuar, ashtu që sot është krejt e pakuptimtë të flitet për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Përjashtimi i shqiptarëve në vazhdimësi i detyron ata në kërkimin e zgjidhjeve të tjera, ndërsa ne jemi seriozisht të interesuar që ky shtet të bëhet tamam shtet”, thonë për Portalb nga Lëvizja Besa.

Nga kjo parti po ashtu theksojnë se “ne mendojmë se Ridefinimi është edhe interes i shtetit, sepse vetëm një proces i tillë e bën shtetin komplementar me shoqërinë. Ndryshe këtij shteti i kanosen kriza të vazhdueshme në çdo 10-15 vite”.

Nga RDK thonë për Portalb.mk se moszbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit dhe zvarritja kaq e gjatë e implementimit të kësaj marrëveshje ndodhi për shkak të riorganizimit dhe formimit të klaneve të interesit qe u lidhën fortë mes veti, dhe përdorën mekanizma dhe lojëra të ndryshme për ta sabotu këtë marrëveshje.

“Marrëveshja e Ohrit, për mendimin tim, ishte rezultat i një lufte shumë vjeçare të popullit shqiptar dhe popujve të tjerë për barazi të plotë dhe demokraci reale, kundër një aparati shtetërorë me mentalitet komunist i përkrahur fuqimisht nga ish UDB jugosllave dhe Millosheviqi për ruajtjen e privilegjeve të një grupi si sundimtarë të Maqedonisë dhe popujve të shtypur, në radhë të parë shqiptarët si shumicë. Marrëveshja e Ohrit ishte nje projekt ndërkombëtarë që sa do pak Maqedonisë i dha mundësinë të zgjidh problemet paqësisht dhe të konsolidon demokracinë . Moszbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit dhe zvarritja kaq e gjatë e implementimit të kësaj marrëveshje ndodhi për shkak të riorganizimit dhe formimit të klaneve të interesit qe u lidhën fortë mes veti, dhe përdorën mekanizma dhe lojëra të ndryshme për ta sabotu këtë marrëveshje. Për fat të keq, këtij grupi të interesi iu bashkëngjitën edhe shumë shqiptarë të korruptuar, dhe disa grupe të vogla nga komunitetet tjera, turq, rom, boshnjak, dhe arritën ta zvarrisin implementimin e kësaj marrëveshje”, tha për Portalb, kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.

Ai gjithashtu thotë se ka bindjen që me formimin e kësaj qeverie Marrëveshja e Ohrit deri diku, do jetë një projekt i rrumbullaksuar dhe i implementuar me shumë mund dhe djersë nga forcat progresive.

“Për zvarritjen e kësaj marrëveshje nuk ishin fajtor vetëm grupi kriminal maqedonas që punoj për sabotimin e kësaj marrëveshje, por faji bie edhe mbi grupet kriminale te komuniteteve tjera, në radhë të parë ai shqiptarë. Me formimin e kësaj qeverie kam bindjen se Marrëveshja e Ohrit deri diku, do jetë një projekt i rrumbullaksuar dhe i implementuar me shumë mund dhe djersë nga forcat progresive”, shton Memedi.

Ndërkaq BDI, PDSH dhe LR PDSH nuk deshën të prononcohen për Portalb lidhur me këtë çështje. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button