MARRËVESHJA KËRMË E OHRIT!

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe fjala kërmë do të thotë; Kufomë e një kafshe të vrarë ose të ngordhur, që ka mbetur disa ditë pa u mbuluar, ka filluar të prishet dhe mban erë; ngordhësirë, cofëtinë; mish shumë i dobët e fare pa dhjamë etj.Kjo është marrëveshja kërmë që na ofrojnë me pompozitet zotrinjtë Ahmeti dhe Thaçi, si zgjidhje të çështjes shqiptare.
Ky është një argument më shumë se si Liderët shqiptarë janë kthyer në varrmihës të çështjes kombëtare duke bërë një kthim prapa në kohë, ata kanë bërë kurban interesat kombëtare shqiptare në Maqedoni. Deklarimi me zell dhe vendosmëria për implemetim të asaj marrëveshje tashmë kufomë e ngordhur nga ana e z. Ahmeti, paraqet variantin më të keq të mundshëm si zgjidhje. Përkundrazi, vazhdimi i teledramës me letra të zverdhura pa vlerë, stërgjasin zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni.

(Retrospektivë shkrim i botuar vite më parë në shtypin shqiptar)

Lëvdata dhe vlerësime të paqena për arritje me këtë kornizë të ndryshkur u serviren shqiptarëve sa herë kanë nevojë për mbështetje të elektorati shqiptar për faktin se, kanë qenë ata që kanë bërë të mundur nënshkrimin e saj si fitore e madhe e shqiptarëve. Por, e vërteta është ndryshe nga ajo se ç´broçkullisin papagajtë e DUI-it. Edhe pas Marrëveshjes shqiptarët ngelën po ata që ishin para konfliktit të pabarabartë në punësime,në përdorimin e gjuhës, në diplomaci dhe në fusha të tjera të ekonomisë në vend.

Kjo është drejtësia maqedonase që po i shpërblen shqiptarët për kontributet dhe angazhimet e tyre për me shumë se një dekadë, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të këtij vendi,në respektim të shtetit ligjor dhe demokracisë,në angazhim dhe përkushtim të patundur me vullnetin dhe dëshirën për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Drejtësia maqedonase në këtë mënyrë përdor standard të dyfishtë, një për shqiptarët dhe një tjetër për maqedonasit.

Përderisa në Shkupi 2014 vazhdojnë të vendosen monumente të personaliteteve nga historia e huazuar iliro-maqedone e të përvetësuar si pjesë e trashëgimisë së kulturës sllavo-maqedone, kurse shqiptarëve nuk u lejohet që shesheve të Shkupit e Tetovës apo Strugës monumentet e Ismail Qemalit, Abdyl Frahërit, Fan Nolit si simbole kombëtare, të kryengritjeve shqiptare të luftës për liri e pavarësi. Nuk është lejuar as monumenti i Mehmet Dërrallës, ministrit të parë të luftes së qeverisë së parë shqiptare në Tetovë, por vetëm në fshatin e tij. Në Shkup munden të vendosen monumente të antishqiptarëve të dëshmuar si Josip Brozi dhe Car Dushani, por jo dëshmorëve të UÇK-së. Monumenti i branitellave të Maqedonisë në Shkup, nuk provokuaka ndjenjat e (“pakicës”sipas qeverisë) shqiptarëve duke i glorifikuar veprat dhe bëmat e pabëra të ushtarëve maqedonas që në konfrontimin luftarak me luftëtarët shqiptarë të UCK-së dolën të humbur! Ata krenohen dhe i respektojnë sakrificën e tyre në mbrojtje të shtetit maqedon. Emblema e UÇK-së dhe as dëshmorët e saj nuk guxojnë të duken në ambiente publike si në Shkup apo qytete të tjera, sepse sipas DUI-it, provokon ndjenjat e popullit maqedon, inaugurime këto që nuk lejohen nga kryeministri Gruevski dhe qeveria maqedonase.

Qëndrimi nënshtrues dhe servil i Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, i DUI-it dhe DPA-së në qeveritë e koalicionit në lidhje me mbrojtjen dhe ruajtjen e interesave kombëtare shqiptare, ka dëshmuar përfundimisht se shqiptarët janë mashtruar dhe tradhtuar për një çerek shekulli nga përfaqësuesit e të dyja forcave politike në parlamentin e “dërzhaves” FYROM. Dështimi i realizimit të aspiratave kombëtare të shqiptareve në këtë Republikë, u atribuohet partive shqiptare si ajo në qeveri poashtu edhe asaj në opozitë. Qoftë DUI në koalicion me VMRO apo DPA pjesërisht në pushtet kanë dhënë prova servilizmi dhe heqje dorë nga interesat kombëtare .Gishti i akuzës u drejtohet pikërisht atyre! Shmangia dhe anashkalimi i zotimeve për realizimin e të drejtave kombëtare siç janë; gjuha shqipe dhe përdorimi i simboleve kombëtare në të gjitha institucionet publike janë treguesi më i mirë se si këto dy parti politike shqiptare të dalldisura pas pushtetit dhe karrierizmit bënë kurban interesat kombëtare. Mesazhet që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare si dhe nga Prishtina e Tirana janë për zbatim të plotë Marrëveshjes së ngordhur të Ohrit. Shqiptarët duhen ditur vet si duhen vepruar edhe pse këshillat që vijnë ndonjëherë nga miqtë e vëllezërit tanë jogjithmonë u duhet thënë “amin”.

Kjo marrëveshje e imponuar nga ndërkombëtarët gjatë konfliktit të vitit 2001, u pranua pa kundërshtime nga faktori politik shqiptar dhe pa e shikuar mirë se ç’farë përmbante ajo në lidhje me aspiratat e shqiptarëve. Me atë “paçavure mballomë”, të hartuar nxitimthi që në fakt nuk ofronte më shumë se një status të avancuar te minoriteteve në FYROM. Ajo mundësonte përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike që përbëjnë së paku 20% të tyre në nivel lokal. Pala shqiptare shkoi ne Ohër duke e marrë pëlqimin dhe miratimin e krahut luftarak te UÇK-së, të udhëhequr nga z. Ali Ahmeti, e papërgatitur dhe pa ndonjë platformë të qartë. Delegacioni shqiptar paraqit në Ohër i padenjë me kërkesat dhe për misionin që kishin marrë si barrë kombëtare. Vajtën në Ohër si lypsare për lëmoshë dhe për pak pushtet me nje minimum kërkesash mjerane nga e cila marrëveshje “fitoi” minimumin e kërkesave.

Shqiptarët ne Ohër u ripagëzuan me emrin bashkësi etnike me status të minoritarit të papërfillshëm. Në realitet faktori politik shqiptar nënshkroi kapitullimin. Kjo ishte një fitore e madhe për z. Ali Ahmetit, por jo e shqiptarëve. Frytet e atij pseudorevolucioni i kishte shijuar për një dekadë ai me klanin e tij. Kështu, lideri i guerriles shqiptare kishte bërë kthesën e madhe në vend përmes pseudorevolucionit do të mund të fitonte admirimin dhe besimin e shqiptarëve si forcë e vetme e besueshme politike në këto anë.

Përpjekjet e Ali Ahmetit përmes fishekzjarrëve të krijonte butaforinë e lirisë dhe çlirimtarit tanimë janë zhbërë. Trembëdhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit shqiptarët kanë kuptuar lojën e mashtrimit. Askund dhe në asnjë nen të kushtetutës së Maqedonisë nuk përmendet fjala gjuhë shqipe dhe emri shqiptar apo bashkësia shqiptare! Akrobacitë e z. Ahmeti dhe partisë së tij për të na shitur humbjen si fitore nuk pinë ujë më!

Tashmë ajo marrëveshje kufomë i takon së kaluarës, do të mbetet letër e zverdhur në sirtarët e zyrave të z. Musa Xhaferri. Nuk është kushtetuta barriere e pakapërcyeshme që sanksionon të drejtat e shqiptarëve si “pakicë e barabartë”por, mosgatishmëria dhe mentaliteti i ndryshkur sllavo-maqedonas për mos ta ndryshuar këtë kushtetutë dhuratë nga Marrëveshja e Ohrit dhe e faktorit politik shqiptar nga frika e të qenit i barabartë me shqiptaret. Me këtë ata mendojnë se do të humbin karakterin dhe formën e shtetit një nacional e një gjuhësor por edhe njëherësh rolin dominues në vend karshi bashkësive të tjera etnike.

I tërë ky qëndrim refuzues për ta ruajtur rendin kushtetues dhe karakterin unitarist të shtetit një nacional të Maqedonisë për ta parë realitetin ne sy ne dhe jo me ngjyra shovene ka për t’i kushtuar shtrenjtë si klasës politike maqedonase dhe popullit të saj që verbërisht mbështet dhe mbron një qeveri me prirje gjithnjë e më shumë totalitare që shtyp dhe nuk respekton shtetasit e saj. Kësisoj mund tërheqim një paralele mes klasës politike maqedonase dhe qëndrimit të Beut feudal dikur me yzmteqarin e tij se;”ti nuk ke të drejtë të kesh oxhak mbi kasollen tënde pasi unë jam beu dhe se vetëm unë e kam atë të drejtë dhe jo ti, sepse ti je yzmetqari im, je bujkrob! Ndaj, mund të konkludohet se paçavurja Marrëveshja e Ohrit ishte pak a shumë rikthim para viteve të pluralizmit politik madje dhe më keq se nën komunizmin jugosllav, ku të paktën atëherë thuheshte shprehimisht se; ”Maqedonia është shtet i kombit maqedonas i kombësive shqiptare dhe turke si dhe pakicave tjera”. Atëherë pyesim përse kryengritësit shqiptare u rebeluan ne vitin 2001 dhe rrokën armët për të drejta në nivelit lokal, për përdorim të gjuhës shqipe në nivel lokal apo për liri e barazi të plotë me fqinjët ose për çlirim dhe bashkim kombëtar, gjë te cilën duhet te në sqarojë vet lideri i saj z. Ahmeti? Shpesh për këtë pikë mburret DUI dhe z. Ahmeti për gjoja se; ”shqipja dita ditës po gjen zbatim në tërë territorin e vendit si gjuhë zyrtare”.

Cila është e vërteta këtu? Prioritet i shqiptarëve dhe i integrimeve euroatlantike do të jenë vetëm atëherë kur shqiptarët do të jenë karshi maqedonasve jo si inferiorë por si të barabartë mes të barabartëve me dinjitet dhe me ballin lartë ashtu siç na takon të jemi. Sot kemi atë situatë që kemi si pasojë e veprimeve e qëndrimeve të papërgjegjshme të klasës politike shqiptare. Sot është imperativ i kohës dhe i të drejtës sonë që grupe të intelektualëve të ndershëm, atdhetarë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare me mbështetjen e rinisë studentore dhe mbarë popullatës shqiptare në Maqedoni të shpien përpara ato procese ku kishin filluar në fillim te viteve 90.
Për fatin tonë të keq ajo nismë e mbarë si mision fisnik për realizimin e të drejtës sonë kombëtare për te vendosur të ardhmen tonë, u devijua dhe bllokua nga kjo kastë e sotme politike dhe nga segmente të caktuara të pushtetit brenda kësaj kaste servile dhe puthadore e pushtetit.

Rruga është e gjatë në do të fitojmë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button