Një polic me pistoletë zyrtare ka qëlluar dy persona të mitur, Prokuroria kryen ekspertizë

Një polic mbrëmë me pistoletën zyrtare ka gjuajtur dy persona të mitur në Strumicë, prej të cilëve njëri me lëndime të rënda është hospitalizuar në Klinikën për Anestezion, Reanimim dhe Mjekim Intensiv në Shkup (KARIL), ndërkaq tjetri është bërë operacion në Spitalin e Strumicës, njofton Portalb.mk.

Nga Prokuroria kumtojnë se sot prokurori publik nga Prokuroria e Strumicës do të vazhdojë me ekspertizë në vend-ngjarje.

Sipas informatave fillestare, që i kumton Prokuroria, deri te incidenti ka ardhur kur ekipi i SPB Strumicës është përpjekur që ta ndalojë veturën në të cilën kanë qenë dy personat e mitur, ndërkaq për të cilët më parë është paraqitur se të njëjtit janë përpjekur që të kryejnë vjedhje në barkë në afërsi të pendës Mantovë.

Personat e mitur kanë arritur që të ikin nga patrulla policore dhe nuk kanë ndaluar, ndërkaq më pas janë parë nga një tjetër automjet i policisë. Nga Prokuroria thonë se edhe më tej po punohet që të zbardhen arsyet e ngjarjes në lidhje me atë se pse ka ardhur deri te të shtënat.

Në ekspertizë janë kyçur edhe ekipet e Departamentit për Ekspertizë Krim-Teknikë të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga Shkupi, ndërkaq janë dhënë edhe urdhra për gjurmë biologjike, ekspertizë balistike, por edhe ekspertizë të gjurmëve të gishtërinjve të marra nga vendngjarja.

Prej të gjithë personave të përfshirë janë marrë mostra të gjakut dhe urinës, ndërkaq polici, me armën e të cilit është gjuajtur është mbajtur në Stacionin Policor të Strumicës.

Në vijim, Prokuroria do të dëgjojë edhe dëshmitarët e ngjarjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button