Gjykata e Lartë kroate rrëzon ekstradimin e Ballist Morinës, e kthen çështjen mbrapsht

Pengohet ekstradimi i Ballist Morinës, pasi Gjykata e Lartë e Zagrebit ka vendosur ta kthejë çështjen mbrapsht në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Ismail Morina i njohur në opinion me nofkën “Ballisti”, për të cilin Serbia ka kërkuar ekstradimin nga Kroacia, për shkak të dronit me flamur në ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd në vitin 2014, përveç ankesës së dorëzuar në Gjykatën Supreme të Kroacisë, ka kërkuar azil politik në këtë vend.

Azilin politik, Morina e ka kërkuar për shkak të frikës që në rast të ekstradimit në Serbi, nuk do të kishte gjykim të drejtë.

Darko Butigan, avokat nga Dubrovniku, i cili e përfaqëson shtetasin e Shqipërisë, Ismail Morina, duke folur disa ditë më parë, ka sqaruar se mbi çka bazohet ankesa në Gjykatën Supreme të Kroacisë lidhur me vendimin e Gjykatës së Qarkut të Dubrovnikut për ekstradimin e Morinës në Serbi. Sipas tij, Morina nuk ka bërë vepër penale, për të cilën ngarkohet.

“Republika e Serbisë kërkon ekstradimin e Ismail Morinës për veprën penale nga neni 317, alineja 3 , i Ligjit Penal, për vepër penale të nxitjes urrejtjes nacionale, racore dhe fetare, si dhe mostolerancës. Gjatë gjithë procedurës, ne themi se flamuri i caktuar i cili ka rënë mbi atë stadium nuk përmban kurrfarë elementesh të thirrjes për urrejtje nacionale, racore ose çfarëdo urrejtje tjetër ndërmjet popujve”, tha avokati Butigan.

Ai gjithashtu ka sqaruar se bëhet fjalë për flamurin me fotografitë e dy baballarëve të kombit shqiptar – Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit – të cilët në konferencën e Londrës në vitin 1913, kanë kërkuar që Shqipëria të jetë në kufijtë, të cilët kanë figuruar në atë flamur.

Ai ka thënë se në ankesë është vënë në dukje që Morinës në Serbi do t’i rrezikohej e drejta për gjykim të drejtë. Ankesa, sipas tij është krejtësisht e bazuar në fakte konkrete, të cilat tani për tani nuk do t’i bëj publike, përderisa procedurat janë në zhvillim e sipër.

Kujtojmë se pas kërkesës së Serbisë për esktradimin e tij, pala shqiptare nisi negociatat zyrtare me shtetin kroat, lidhur me këtë çështje, duke i numëruar gjithë arsyet se përse Ballisti nuk duhej të ekstradohej në Serbi.

Edhe kryeministri Rama pati komunikim me homologun kroat për këtë çështje, kur ministri i Drejtësisë iu drejtua zyrtarisht shtetit kroat me një letër për mosekstradimin e Morinës.

Morina, i cili është arrestuar në muajin qershor në Dubrovnik, ndërsa po udhëtonte drejt Italisë, po qëndron në burgun e atjeshëm deri në një vendim të ardhshëm. Avokati Butigan ka theksuar se është në kontakt të rregullt me të. Sipas tij, Morina po trajtohet sikurse të gjithë personat e tjerë të paraburgosur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP