Femrat në Maqedoni hoqën dorë nga marrja e hises së pushtetit që u takon

Shpallja në Gazetën Zyrtare i emrave të drejtorëve, zëvendës-drejtorëve dhe anëtarëve të zgjedhur deri më tash nga Qeveria e Maqedonisë tregoi për mospërfshirjen e barabartë gjinore në institucionet e Maqedonisë. Gazetarja Zërijeta Jajaga, aktivistja për të drejtat e grave, Gjyla Çeliku dhe drejtoresha ekzekutive e Iniciativës Qytetare të Femrave “Antiko”, Gyner Basha Nebiu, vlerësojnë se kjo ka ndodhur ngaqë vetë femra në Maqedoni hoqi dorë nga marrja e hises së pushtetit që i takon si pasojë e edukimit dhe mënyrës joadekuate të trajtimit të saj politik, shkruan Portalb.mk.

Maqedoni, gratë vazhdojnë të mos përfillen në skenën politike

Zërijeta Jajaga, gazetare

Zërijeta Jajaga, gazetare

“Femra në një formë duket se ka hequr dorë nga marrja e hises së pushtetit që i takon, nën ombrellën e keqinterpretimit të traditave madje edhe fesë. Përmes keqinterpretimeve femra privohet nga e drejta e drejtimit të pushtetit që nga fëmijëria. Femra në Maqedoni shumë pak është trashëguese  e pasurisë familjare dhe duke qenë e varur financiarisht në formë indirekte i mohon vetvetiu shumë të drejta. Por, këtë gjë në vend se ta zhbëj politika, ajo heshturazi e ka bërë gjithnjë e më të varur femrën nga vendimet e meshkujve”, tha Jajaga.

Gjyla Çeliku, aktiviste për të drejtat e gruas

Gjyla Çeliku, aktiviste për të drejtat e gruas

Kryetarja e Asociacionit Ballkanik “International Woman’s Club” (Klubi Ndërkombëtar i Gruas), Gjyla Çeliku për Portalb.mk vlerësoi se përfaqësimi joadekuat i femrave në pushtet është si pasojë e hendekut të madh që ekziston ndërmjet asaj që promovohet dhe veprohet nga partitë politike, veçanërisht shqiptare.

“Ka një hendek goxha të madh në atë çka promovohet në partitë politike shqiptare, vetëm si dekor, dhe në atë çka në të vërtetë garanton ligji. Përgjegjësia e parë shkon te gratë të cilat janë aktive në partitë politike shqiptare, ku vetë kanë nga një pozitë dhe s’ju interesojnë gratë tjera në parti ose jashtë saj. Ato nuk e ngritin zërin për jopërfaqësimin e denjë të gruas por ato ndjehen të rrezikuara kur ngrihet zëri i grave apartiake, veti kjo me të cilën e mohojnë gjininë femërore dhe përfaqësimin e gruas”, tha Çeliku.

Çeliku vlerësoi se gratë nuk janë të vetmet “fajtore” për gjendjen e tyre pasi që “përgjegjësia e dytë shkon te burrat e politikës të cilët shtyhen me gratë, ju tremben grave dhe i shohin si armiq”.

LEXO: Partitë shqiptare në Maqedoni nuk ua besojnë pozitat udhëheqëse grave

Gyner Basha Nebiu

Gyner Basha Nebiu

Sipas drejtoreshës ekzekutive të Iniciativës Qytetare të Femrave “Antiko”, Gyner Basha Nebiu, në grupin e faktorëve të lartpërmendur hyjnë edhe mosgjetja e një modeli pozitiv të demokracisë dhe mospërkrahja ndërmjet grave.

“Shoqëria jonë akoma nuk e ka gjetur ekuilibrin e duhur të një modeli pozitiv të demokracisë e cila do të sillej në mënyrë të barabartë ndaj qytetarëve të vet, femra e meshkuj. Te jesh grua në një vend ku dominojnë vlerat dhe fryma patriarkale në çdo sferë të jetës dhe të jesh e suksesshme në politikë apo në jetën publike është një sfidë aspak e lehtë. Në këtë labirint ka shumë të panjohura ku zhvillohet një politikë e ashpër maskuliste me një sistem mediokracie dhe servilizmi. Femrat ndodh që shpesh herë nuk e përkrahin njëra-tjetrën, ndaj zëri i tyre injorohet, nuk ka peshë  dhe fare nuk dëgjohet”, tha Nebiu.

Sipas saj faktor tjetër i rëndësishëm që nxiti shpërfilljen institucionale është roli i trefishtë i gruas në shoqëri dhe pozita e saj e pavolitshme në strukturat partiake.

“Partitë politike udhëhiqen kryesisht prej burrave, jo shumë të vetëdijshëm për vlerat dhe barazinë gjinore. Ka raste ku femrat janë të shantazhuara dhe të manipuluara. Kjo jep një pamje shumë të shëmtuar në opinion dhe i largon gratë nga politika”, tha Nebiu.

Si të arrihet përfaqësimi i barabartë gjinor?

Nebiu, Jajaga dhe Çeliku vlerësuan se përfaqësimi gjinor i barabartë në institucionet shtetërore mund të arrihet me trajtim të barabartë të dy gjinive që nga mosha e hershme e fëmijërisë, fuqizimimit të zërit të gruas në politikë dhe me ngritjen e zërit të sektorit civil e mediave në Maqedoni.

“Gratë e forta që kanë kapacitet, njohuri, shkathtësi, vetëbesim dhe guxim duhet të organizohen, ta përkrahin njëra-tjetrën, t’i konsolidojnë radhët e veta dhe të largohen nga servilizmi. Të jenë dinjitoze dhe të luftojnë për të drejta legjitime që i kanë. Para se të hyjnë në politikë, të kenë një vizion dhe mision të qartë për rolin dhe detyrën që ua besojnë votuesit. Trajtimi adekuat i grave duhet të jetë edhe pjesë e agjendave politike, përndryshe do të vazhdojnë të jenë vetëm numër pa zë dhe dekor i partive politike”, tha Nebiu.libra-lexim

“Duhet punuar me femrën që nga mosha më e hershme duke u ndarë të dy gjinive në familje të drejta por edhe obligime të barabarta. Një zë i edukuar fuqishëm në fëmijëri është një zë i fuqishëm gjatë ushtrimit të profesionit dhe menaxhimit me politikat lokale dhe qendrore. Por vlerësoj se kjo çështje duhet trajtuar me shumë seriozitet si nga sistemi edukativo-arsimor, sektori civil dhe mediat në përgjithësi dhe jo vetëm nga organizatat që në fokus kanë të drejtat e grave”, tha Jajaga.

“Unë jam e sigurt që do të kemi ndryshime, pasi kemi përkrahje ndërkombëtare, të të gjitha ambasadave, intelektualeve/intelektualëve, organizatave joqeveritare dhe qeveritare”, tha Çeliku.

Ndryshe, më poshtë Portalb ju sjellë edhe 67 emrat e drejtorëve, zëvendës-drejtorëve dhe anëtarëve të rinj. Prej tyre 9 janë femra të përkatësisë etnike maqedonase kurse 1 shqiptare.

Irina Buhova, Elina Rahmani, Elena Naçevska, Svetllana Gjorgjieviq, Maria Spireska, Zhaneta Bagarova, Biljana Zefiq, Joviqa Stojanoviq, Biljana Jovanovska dhe Eleonora Petrova janë emrat e gjinisë femërore të shpallura në Gazetën Zyrtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP