Kalkulimet për emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave, flasin partitë

Deri në fund të gushtit priten që partitë politike të përfundojnë me emrat e kandidatëve për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale të 15 tetorit, pasi që KSHZ prej më 21 gusht deri më 9 shtator do të fillojë me inspektimin e listës së kandidatëve, njofton Portalb.mk.

Partitë politike të kontaktuara nga Portalb.mk, theksojnë se ende janë në proces të përzgjedhjes së kandidatëve të mundshëm dhe përgatitjes për zgjedhjet lokale, ndërkaq në fund të gushtit pritet që të publikohen edhe emrat eventual të kryetarëve të komunave.

LEXO: KSHZ nga komunat kërkoi kushte për komisionet zgjedhore, 14 shtatori afati përfundimtar për listat e kandidatëve

Portalb.mk, nga burimet e larta partiake të LR-PDSH-së, jo-zyrtarisht mëson disa nga emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave.

  • Për kandidatë të Komunës së Tetovës, përfliten 3 emra. Anëtari i Kryesisë Qendrore të LR-PDSH-së, Adnan Neziri, kryetari i Degës së Tetovës, Arif Selami dhe afaristi dhe biznesmeni, Hajrulla Asani.
  • Për Komunën e Çairit, LR-PDSH ende nuk ka propozime konkrete se kush do të ishte kandidat i mundshëm për në zgjedhjet lokale, por nga burimet thonë se emri që tani për tani përflitet është Bujare Abazi.
  • Në Dibër përflitet që të jetë kandidatë për kryetar komune, veprimtari i lidhjes shqiptaro-amerikane “Vatra”, Ibrahim Kolari.
  • Në Komunën e Vrapçishtit përfliten emrat e Isen Shabanit dhe Bejtulla Kamberit.
  • Burimet partiake për Portalb.mk thonë se në Komunën e Gostivarit, mund të kandidohet ministri aktual i Shëndetësisë Arben Taravari, por ajo do të varet nga ai nëse do të pranojë. Përveç emrit të ministrit Taravari, për kryetar komune përflitet edhe emri i profesorit universitar Halil Snopçe dhe i regjisorit Sulejman Rushiti.
  • Për në Kërçovë LR-PDSH thotë se pajtohen që të kenë kandidat të përbashkët konsensual me partitë shqiptare, i cili do të ketë karakter unifikues, por dhe do të jetë i pranueshëm për të gjitha partitë.
  • Në Strugë, pritet që ashtu siç është konfirmuar, të kandidojë për kryetar Komune, lideri i partisë, Ziadin Sela, megjithatë, burimet e partisë thonë se po kalkulojnë për variant tjetër të mundshëm.

“Kandidatët e tjerë për kryetarë të komunave nga LR-PDSH, të cilët nuk përjashtohet mundësia që të jenë edhe nga sektorit civil, do t’i kumtojmë në ditët në vijim, pasi që të diskutohet në Kryesinë Qendore. Nga burimet e brendshme të LR-PDSH, RDK-ja e Vesel Memedit do të nxjerrë kandidatë të vetëm në Gostivar, pasi që sipas marrëveshjes mes dy partive, nuk obligohen që të bashkëpunojnë në zgjedhjet lokale”, thonë burimet e Portalb.mk nga LR-PDSH.

Të kontaktuara nga Portalb.mk, Lëvizja BESA, partia Uniteti dhe LSDM konfirmuan se po përgatiten për zgjedhjen e kandidatëve, por nuk dhanë ndonjë emër eventual, pasi të njëjtët duhet që të kalojnë në organet partiake, ndërkaq BDI nuk ishte e kapshme për redaksinë tonë.

“Janë një prej zgjedhjeve më të rëndësishme për ne. Po mundohemi të bëjmë të gjitha përgatitjet si në aspekt të kandidaturave, të listave për këshilltar komunal, përgatitjen e projekteve të rëndësishme që të dalim me një program të pasur. Lëvizja Besa është në konsultim me të gjithë strukturat e saj, këshillat vendor dhe lokal gjithandej Maqedonisë për emra të mundshëm për kryetar komunash. Deri tani nuk kemi ndonjë emër konkret, por opinioni do të jetë i njoftuar me kohë edhe për kandidatët e mundshëm por edhe me ekspertët të cilët do t’i qëndrojnë prapa kryetarit të komunës gjatë asaj fushate”, thotë zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Faton Fazliu.

Kryetari i partisë Uniteti, Gëzim Ostreni, në një  deklaratë për Portalb.mk, theksoi se kryetarët e degëve të partisë po bëjnë vlerësimin në të gjitha komunat se ku do të munden që të nxjerrin kandidatin e tyre dhe ku do të duhet që të bëjnë koalicion.

“Së shpejti do të kemi takim çështjen e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet lokale. Kemi pasur mbledhje para një muajve me kryetarët e degëve një takim dhe ata kanë marrë detyrë që të bëjnë vlerësime secili në komunën e vetë për mënyrën e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale, kështu që duhet të vlerësojnë nëse kanë cilësi personale të kuadrit dhe mundësi për të marrë pjesë për kryetarë komunash, ose do të vlerësojnë që të marrin pjesë vetëm me lista për këshilltarë komunal. Njëkohësisht të bëjnë edhe një vlerësim që me cilat parti politike që veprojnë në nivel të komunave të tyre, do të kishte mundur që të kenë koalicion ose të dalin vetë, pra pas vlerësimit”, thekson për Portalb.mk, Ostreni.

Edhe LSDM pritet së shpejti të nis me aktivitetet për zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë të komunave, por emrat do të publikohen pasi të kalojnë në organet partiake.

“Tani në pjesën e dytë të gushtit do të fillojmë me përgatitjet për kandidatët për kryetarë të komunave, propozimet duhet të kalojnë në organet e partisë, sipas procedurave”, thotë për Portalb.mk, deputeti i LSDM-së dhe nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zeqiri.

Të hënën, BDI konfirmoi se edhe ata kanë filluar aktivitetet brendapartiake me qëllim që të përzgjidhen kandidatët më të mirë.

“Kanë filluar të gjitha aktivitetet brendapartiake për zgjedhjet lokale për përcaktimin e kandidatëve e individëve për kryetar dhe këshilla komunal. Ky proces ka filluar edhe para shpalljeve të zgjedhjeve duke punuar në programet komunale veçmas me çka janë barë anketime me pjesëtarë partiak dhe qytetarë të komunave të ndryshme për të gjetur kandidatët më të mirë. Ne jemi të bindur se do të dalim fitues në komunat ku do të kandidojmë”, tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Se a pritet të kemi koalicion të BDI-së me partitë tjerë, Osmani refuzoi të deklarohet duke shprehur se ka ende kohë për të vendosur për këtë çështje

Portalb.mk, është përpjekur që të kontaktojë edhe me RDK-në e Vesel Memedit dhe PDSH-në e Menduh Thaçit, por të njëjtët nuk kanë qenë të kapshëm për redaksinë tonë.

Ndryshe, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, të martën e miratoi kalendarin për aktivitetet zgjedhore, të cilat priten të mbahen më 15 tetor të këtij viti. Sipas afateve të miratuara, fushata zgjedhore fillon më 25 shtator. Partitë më së voni deri më 9 shtator duhet t’i dorëzojnë listat e kandidatëve ndërkaq inspektimi i listës zgjedhore do të zgjasë nga 21 gushti deri më 9 shtator. Raundi i dytë do të mbahet me 29 tetor. Nga KSHZ-ja thonë se përgatitjet për zgjedhjet lokale i kanë filluar nga janari dhe se punojnë për t’i eliminuar të gjitha mangësitë të cilat i nënvizoi bashkësia ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP