Super-Kupa

Shkupi dhe e tërë Maqedonia ishte dëshmitare e një spektakli të vërtetë sportiv këtë javë. Ndeshja e Super-Kupës mes dy kolosëve të futbollit, Real Madrid dhe Manchester United ishte vërtetë diçka e paharuar për shumë qytetarë të këtij vendi që patën fatin nga afër të shikojnë një ndeshje të kalibrit të lartë, nga ato të cilat i shohim me shumë pasion në ekranet televizive. Poashtu, atmosfera e krijuar dhe organizimi i një niveli shumë të lartë i shtuan vlerën këtij manifestimi dhe shpresoj ta kenë bërë të paharueshëm për shumë mysafirë që për herë të parë vizituan këtë vendin tonë të çuditshëm dhe me shumë halle. Për një moment, gati se u ndjemë evropianë të vërtetë. Evropianë të vërtetë me anije fallco mbi Vardar, po që jemi një vend i çuditshëm.

Programi artistik që i parapriu ndeshjes sportive ishte poashtu një spektakël në vehte. Mua posaçërisht më bëri përshtypje pika që kishin përgatitur fëmijët me vështërsi në dëgjim të cilët me gjuhën e shenjave arritën të përcjellin shumë emocione tek publiku.

Drejtuesit e programit artistik kishin vendosur që në hapjen solemne të ndeshjes sportive të prezantonin folklorin e këtij vendi. Kjo po që është një ide e mirë të cilën grupi “Tanec” e realizoi me shumë sukses. Por ajo që mungoi në këtë pikë ishte laramania që është karakteristika kryesore e këtij vendi. Sa bukur do të ishte që në vend se të kishte 4 valle të grupit “Tanec”, spektatorët e ardhur nga larg të mund të shihnin të paktën 6 valle të grupeve të ndryshme folklorike që janë aktive në këtë vend e që prezentojnë etnitetet e ndryshme që jetojnë në këtë vend. Pamja do të ishte shumë më e pasur, ndërsa të gjithë qytetarët e këtij vendi do të ndiheshin më mirë të prezentuar në këtë event madhështor. Fundja stadiumi e ka atë madhësi sa të mundësojë prezentimin e më shumë grupeve folklorike në të njëjtin vend. A thua aq e vështirë është të bëhet një koerografi e përbashkët ku për disa minuta mund të prezentohen më shumë grupe etnike me folklorin e tyre për të treguar një solidaritet më të madh mes qytetarëve të këtij vendi? A thua kur do të mësojnë udhëheqësit e institucioneve shtetërore të këtij vendi se laramania jonë është përparësi dhe jo hendikep, dhe se prej asaj laramanie nuk duhet të turpërohemi por të jemi krenar edhe kur jetojmë brenda këtij shteti e edhe kur e prezentojmë këtë shtet për spektatorët e jashtëm. Sa bukur do të dukej një laramani e tillë folklorike, sa e pasur, sikur që ishte tejet e bukur pamja me bluzat ngjyra-ngjyra që fëmijët i kishin veshur gjatë prezentimit të pikës së tyre.

Dhe sigurisht, për këtë lëshim, reagimet ishin të shumta. Në momentet kur duhet të ndërtohet një Maqedoni e re nga hiri i një diktature të shembur, çdo lëshim i tillë të vret syrin. Shumë herë kam thënë se qytetarët e këtij shteti, tani më të zgjuar, nuk do të jenë tolerantë ashtu siç kanë qenë deri tani ndaj lëshimeve të organeve shtetërore. Ashtu si nuk janë tolerantë kur policia edhe tani ndonjëherë i tejkalon kompetencat e veta, poashtu nuk janë tolerantë kur folklori është laraman për Ilindenin por nuk është laraman për Super-Kupën. Ashtu si nuk ishin tolerantë për harxhimet e rrugës së Silvana Bonevës, poashtu nuk janë më tolerantë edhe për harxhimet e rrugës së deputetëve të shumicës së re parlamentare. Sepse qytetari një herë më i zgjuar vështirë të bjerë përsëri në gjumë. Dhe kjo është mirë, kjo është shenjë se demokracia fillon të funksionojë.

Por me rëndësi është të dihet edhe ku të drejtohet kritika. Përfaqësues të ktëij shteti nuk janë vetëm maqedonasit në pushtet, por edhe shqiptarët dhe të tjerët në pushtet. Përfaqësimi i vullnetit të qytetarëve në qeveri bart me vehte privilegje, por më së shumti bart përgjegjësi serioze për përfaqësim të denjë. Lexova përgjigjen zyrtare të Qeverisë lidhur me lëshimin në programin artistik në hapjen solemne të Super-Kupës ku thuhej se kjo qeveri e ka përkrahur vetëm teknikisht këtë manifestim, ndërsa koncepti artistik është vendosur nga qeveria e kaluar dhe nga FFM-ja. Një të menduar, në qeverinë e kaluar kishte ministra e zëvendës-kryeministra shqiptarë, ashtu si që ka edhe në këtë të tashmen. Një të menduar tjetër, zëvendës-kryetari i FFM-së dhe një sërë funksionarësh tjerë aty poashtu janë shqiptarë. Pra ky lëshim bie në përgjegjësinë e tyre po aq sa edhe tek funksionarët tjerë, bile pak më shumë, pasi që nuk kanë arritur t’i vlerësojnë si duhet situatat dhe të japin propozime konstruktive për një paraqitje perfekte të të gjithë qytetarëve të këtij vendi në atë ngjarje shumë të rendësishme.

Nuk është lehtë të ndërtohet shtet i mirëfilltë multietnik. Por me përpjekje të përbashkëta, dhe me më shumë sens nga të gjitha anët, asgjë nuk është e pamundur.

Ja për shembull, në vitet e 90ta, dukeshte tërësisht e pamundur që në Qeveri të kalojë propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve si ky që e kemi tani. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe ishte tabu-temë, edhe pse kjo gjuhë zyrtarisht përdorej në këtë vend shumë më herët, që në vitet e 70ta. Në ndërkohë, ndodhi Marëveshja e Ohrit, Amandamentet kushtetuese, Revolucioni Shumëngjyrësh, dhe ja ku arritëm që të krijohet një vullnet i mirë që kjo çështje të zgjidhet duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i jep Kushtetuta e këtij vendi. Përtej Kushtetutës e cila është e bazuar në Marëveshjen e Ohrit, nuk mund të shkohet, sepse Ligji rëzohet para Gjykatës Kushtetuese. Për ata që bëhen se nuk e dinë, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në këtë vend që nga viti 2001, ndërsa nga viti 2008 kemi në përdorim Ligj për gjuhët i cili si që e dimë kishte lëshime të mëdha. Ndërsa të tjerët që thone se porpozim-ligji i tanishëm nuk ka asnjë domethënie për shqiptarët, le ta kujtojnë kohën e Gruevskit kur ai lunate me ndjenjat e shqiptarëve të këtij vendi duke bërë ligj sipas shembullit të filmit “Avokati i djallit” ku në një moment djalli thotë: “Ti mund të shikosh, por nuk mund të prekësh, mund të prekësh por nuk mund të shijosh” ose në përkthim në kushtet tona: “Ti munt të flasësh, por nuk mund të shkruash, edhe po munde të shkruash, nuk e udhëheq dot seancën në gjuhën shqipe”. Ja, një ligj të tillë kishim, sikur të ishte e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës amtare rubinet, i cili kur lëshohet për shqiptarët ndalet për maqedonasit. “Zgjidhje” të tilla të turpshme tejkalohen vetëm me vullnet të mirëfilltë konstruktiv të njerëzve dhe qeverive që duan të zgjidhin probleme dhe jo të krijojnë të reja. Kështu, kur ka vullnet, edhe Kushtetuta mund të zbatohet. Ndërsa për disa që nuk njohin kushtetutë dhe ligje, ata vështirë se i kënaq edhe magjistari me shkopin e tij magjik.

Ajo që për momentin ende mbetet e pamundur është vendosja e drejtësisë në këtë vend. Me Zvërlevskin çka bëjmë, more heeej?! Deri kur do i lejohet VMRO-së të luajë me drejtësinë e këtij vendi dhe hapur ta mbrojë kriminalitetin duke mbrojtur mbrojtësin e kriminalitetit i cili paraprakisht i mbrojti duke mos vepruar për krimet e tyre? Kjo është pyetja kryesore, kjo dhe shumë të tjera që lidhen me vendosjen e drejtësisë në këtë vend, me barjten e përgjegjësisë për krimet e bëra, me përfundimin e epokës së paprekshmërisë. Lëshimet folklorike edhe përmirësohen, por pa drejtësi të mirëfilltë nuk ka liri të vërtetë, në fakt pa drejtësi, nuk ka as folklor, as gjuhë as shtet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button