Shkëndija para Milanit përgatitet për Vardarin

Shkëndija ka koleksionuar tjetër vit historik në përfaqësimin e saj evropian. Si kurrë më parë për të dytin vit me radhë skuadra arrin të hyjë në “Play off” për inkuadrim në grupet e Ligës së Evropës. Vitin e kaluar nga Shkëndija u eliminuan Krakovia e Polonisë, Neftchi nga Azerbajxhani dhe Mlada Boleslav e Çekisë. Ndeshja me Gentin e Belgjikës ishte pika më e lartë që Shkëndija kishte prekur ndonjëherë në Evropë dhe eliminimi nga një ekip që më vonë kaloi grupet dhe në fazën e radhës eliminoi Totenhemin që garonte për titullin e kampionit në Premier Ligën angleze nuk mund të quhej dështim.

Këtë vit “kuqezinjtë” lan pas vetes Daçian e Moldavisë, Helsinkin e Finlandës dhe së fundmi edhe Trakain nga Lituania. Shorti për në “Play off” Shkëndijës i nxori 7 herë fituesin e Ligës së Kampionëve, Milanin, e mjaftueshme për të shtuar jehonën e klubit shqiptar në suaza ndërkombëtare.

Shkëndija tani më para vetes ka përfundimisht ndeshjen më të madhe në histori, por skuadra duket e koncentruar dhe stafi teknik kërkon gjërat të funksionojnë pa ndonjë eufori. Në këtë moment edhe pse është e vështirë, megjithatë tentohet që askush mos të mendojë për Milanin. Arsyeja është e thjeshtë, në fundjavë fillon sezoni i ri garues në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë dhe Shkëndija në takimin e parë si vendase në Tetovë do të përballet me Vardarin.

Një ndeshje e rëndësishme para një publiku të etshëm të shohë afër ekipin që po shkëlqen në Ligën e Evropës, ngase jo secili ka mundur të udhëtojë drejt Strumicës ku “kuqezinjtë” luanin si vendas në skenën ndërkombëtare. Skuadra kërkon fillim me tre pikë, ndërsa pritet që në këtë përballje futbollistët të kenë përkrahje të madhe nga tribunat në synimin e nisjes së mbarë të sezonit të ri, për të treguar mirënjohje për rezultatet e arritura në Evropë dhe për të inkurajuar lojtarët para udhëtimit me Milanin në “San Siro”.​ /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button