Rugova, pika turistike që ia vlen ta vizitosh në çdo stinë

Pika turistike e Rugovës, e gjendur 93 km larg qytetit të Prishtinës, në Kosovë në këto ditë të nxehta vere frekuentohet nga vizitorë të shumtë. E ndodhur në veri-perëndim të qytetit të Pejës Rugova është rajoni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare.

 E shpallur në vitin 2013 Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, kjo pikë turistike vizitohet nga turistë të shumtë vendas e të huaj, transmeton KultPlus.
Rugova është vend i përshtatshëm për alpinizëm, bjeshktari, ski, ngjitje në shkëmbinj, hedhje me parashutë, piknikë me familje etj. Një rrugë piktoreske, e cila edhe pse e ngushtë është e asfaltuar, të çon në qendrën e skijimit e të pushimit veror në Bogë, e cila ndodhet në lartësinë prej 1400 metrash.


Duke ecur rrugës, ndeshesh me shumë makina që i drejtohen kësaj pike turistike, ndërsa mbetesh e mahnitur nga bukuria e pishave dhe ajri i pastër dhe i freskët. Në të dy anët e rrugës pa shkuar në fshatin Bogë, që është rreth 29 kilometra nga qyteti i Pejës, shikon restorante të shumtë, ku qytetarë drejtohen për të kaluar disa orë larg temperaturave të larta të kësaj vere.

Të bien në sy edhe makina të ndaluara anës rrugës, ku njerëzit mund të peshkojnë në lumin Lumbardha, në Grykën e Pejës, që gjarpëron ndërmjet majave më të larta të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Një hotel i madh i ndërtuar buzë rrugës që të çon në Bogë, dallon mes të tjerëve për nga arkitektura dhe ambienti i jashtëm i mbushur me gjelbërim, por që duket se ende nuk është hapur për turistët. Pasi mbërrin në fshatin piktoresk të zë syri një sërë shtëpi banimi dhe hotele, të ndërtuara kryesisht prej druri.

Pika turistike e Rugovës

Rugova është trevë malore në Veri-Perëndim të qytetit të Pejës, në Kosovë. Është rajoni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare. Në vitin 2013 u shpall Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ajo është rrethinë etnografike, me rëndësi të madhe për degët e gjuhësisë si leksikologjia, etimologjia dhe onomastika . Rugova është e përshtatshme për alpinizëm, bjeshkatari, skitari, ngjitje në shkëmbinj, lëshim me parashuta, piknikë me familje etj. Rugova radhitet si qendra e katërt kryesore për sporte dimërore nga Federata Ndërkombëtare e Siktarisë (FIS) me qendrën në Lucernë. Për më tepër, në prill të vitit 2013, Peja fitoi çmimin “Tourism for Tomorrow” me projektin “majat e Ballkanit”.

Rugova është e pasur me forma të shumta si shpellat, ujëvarat, liqenet glaciale, majat e larta, tunelet etj. maja më e lartë është Hajla (2403 m) por rëndësi dhe interes paraqet edhe Qafa e Qyqes nga e cila mund të soditet i gjithë qyteti i Pejës. Nga Guri i Kuq (1522 m) shihen si në pëllëmbë të dorës: Gjeravica, trekufiri Boriqe, maja e Mariashit,maja e Hekurave, Shkëlzeni dhe Liqeni i Plavës. Volujaku është po ashtu një majë e lartë (2014 m).

Në kilometrin e katërt gjendet “Rruga e Hekurt” e vetmja në Ballkan. Rugova përfshin një territor me sipërfaqe prej 20330 ha. Ka shtrirje Lindja-Perëndim me gjatësi prej 23 km. Gjendet në mes të maleve Hajla, Shtedim, Lumbardh dhe Kopranik. Lumi Lumbardh e ndan në dy pjesë duke krijuar luginë e më pas gjatë rrjedhës kanionin e thellë.

Bimësia e rajonit të Rugovës është e pranishme si në Europën Qendrore në lartësitë e mëdha,por edhe bimë që janë karakteristike për Ballkanin dhe vetëm për këtë rajon. Në Rugovë dallojmë 4 zona bimore(ahu, dushku, breu dhe kullota alpine).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button