SHKËNDIJA

Ishte një kohë kur kisha fatin që të luaja kundër “Shkëndijës” në një ndeshje balotazhi. Një përballje ekipesh amatore. Kush mund që ta besonte se do të vinte dita kur kjo skuadër do të ndeshej me gjigantin e futbollit italian e europian. Ishte koha kur “Shkëndija”, për t’i ruajtur ngjyrat kuq e zi, garonte me fanelat e “A.C. Milanit”.

Po ardhi kjo ditë dhe skuadra tetovare do të shkel në fushën ku kanë shkëlqyer Van Basteni, Guliti, Baresi, Maldini, Shevçenko, Sedorfi. Nuk ka rëndësi rezultati përfundimtar, ndonëse duam, me gjithë shpirt, që të ndodh ajo që nuk e marrim me mend. Si dikur.

E rëndësishme është se “Shkëndija” e solli te dera jonë skuadrën shtatë herë kampione të Europës. Kjo është domethënëse jo vetëm për sportin, por edhe për mbarë shoqërinë tonë. Na krijon vetëbesimin se mundemi, se vlejmë, nëse kemi kushte.

“Shkëndija” dëshmon se një skuadër, me investitor që ka strategji e vizion, me mbështetje të tifozerisë së veçantë, me njerëzit e duhur në vendin e duhur, mund të dëshmohet përtej gardheve tona dhe të na bëjë krenarë.

“Shkëndija” ka histori të trishtë dhe plot me sakrifica. Ajo është përballur edhe me një shtet totalitar. Themeluesit e saj, në vitin e largët 1979, kishin një ëndërr, e cila tentohej të shuhej në zanafillë. Për shkaqe politike skuadra u shua për disa vite, por rilindi nga hiri si zogu feniks. Prandaj sot “Shkëndija” është më shumë se sa skuadër futbolli e një qyteti ku luhej futboll që në vitet 20 të shekullit të kaluar.

Suksesi i “Shkëndijës” dëshmon se këtu ka kapacitete garuese në përmasa europiane, jo vetëm në sport, por këtu ka edhe mungesë sistemi, ka mungesë strategjie, ka mungesë shteti, ka logjikë province.

Suksesi i “Shkëndijës” na krijon vetëbesimin dhe na bën të reflektojmë se duhet të hedhim hapin përtej, të ngulmojmë, të veprojmë me pasion, disiplinë, metodë, përkushtim dhe të shmangim defetizmin.

Historia dëshmon se vendet që triumfuan në kampionatet botërore të futbollit fituan forcë të çuditshme për suksese edhe në sferat tjera të jetës.

Kjo skuadër përjetoi çaste të rënda edhe më vonë, por të rinjtë tetovarë ngulmuan dhe e gjetën shpëtimtarin e skuadrës, i cili punon me strategji. Ai e di se ku dëshiron të arrijë. Dhe do të arrijë aty dëshiron.

Për zhvillimin e gjithëmbarshëm të sportit në një vend, megjithatë, nuk mjaftojnë dy – tre klube me organizim profesionist. Duhet zhvilluar edhe kategoritë komunale e rajonale të futbollit. Para dy apo tre dekadash ndeshjet e këtyre kategorive ndiqeshin nga më shumë spektatorë se sa ndiqen sot disa ndeshje të kategorisë superiore.

Vendet që japin futbollistë të mëdhenj e kanë të zhvilluar futbollin e lagjeve, ku fëmijët forcohen duke u kënaqur. E kanë të zhvilluar sportin nëpër shkolla, ku nxënësit mësohen të luajnë, ta duan sportin, të kenë shpirt gare, disipline e vetëkontrolli. Nuk ishin të marrë grekët që flisnin për mendjen e shëndoshë në trup të shëndoshë. Nuk ishin të marrë poetët antikë që shkruanin poezi për fituesit e Lojërave Olimpike. Dhe nuk ishin poetë dosido, por poetë që lexohen edhe sot.

Sukseset e mëdha vijnë duke filluar nga fëmijët. Duhet punuar me vizion e strategji. Më rastisi ta vizitoja një fshat në një vend të Europës Perëndimore. Pashë shumë fusha sporti, ndonëse nuk kishte fëmijë e të rinj që t’i shfrytëzonin. Te ne ndodh e kundërta. Në qytetet tona nuk kemi fusha sporti. Nuk kemi vende të gjelbëruara. Nuk kemi qytet. E kemi humbur qytetin, si pasojë e mungesës së menaxhimit me institucionet publike.

Në vitet e 20-të Shqipëria ishte gërmadhë. Më pas shteti ndërtoi strategji për zhvillimin e sportit. Shteti mundësoi ndërtimin e terreneve sportive, u angazhuan edhe trajnerë të huaj, skuadrave u mundësoi lehtësime tatimore, sportistëve u mundësoi bileta më të lira udhëtimi. Skuadrat shqiptare filluan t’i mposhtnin edhe ekipet e njohura të Mbretërisë SKS. Thjesht, u punua me strategji.

Sot aty ku investojnë biznismenët privatë nuk mungojnë sukseset. Aty ku duhet të intervenojë (pu)shteti gjërat janë ndryshe. Në Tetovë nuk ka stadium për ndeshje ndërkombëtare, ndonëse ka adhurues që do ta stërmbushnin stadiumin në një përballje me “AC Milanin”. Por kjo skuadër me nam, këtë herë, nuk do të vijë në Tetovë, jo për fajin “Shkëndijës”, e cila i bën krenarë jo vetëm tetovarët, sepse sot është më shumë se sa një skuadër tetovare, ashtu sikurse “AC Milani” nuk është vetëm skuadër milaneze. Çdo skuadër, për të qenë e madhe, niset nga ky pretendim. E rëndësishme është se, tani e tutje, nuk do të dukemi të çmendur nëse besojmë e nëse themi se do të vijë dita kur kjo skuadër do të bëjë mrekulli të tjera.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button