Putin, Vuçiç, Daçiç e Dodik e shantazhojnë BE-në në Kosovë dhe Bosnjë

Naivët nëpër rajon dhe nëpër Bashkim Evropian mashtrohen keq me ftesën publike dhe dinake të kryetarit të Serbisë për « dialog » të brendshëm në Serbi se çfarë duhet bërë me Kosovën.

Po të njëjtit, ata në Kosovë, në formën dëshiruese prognozojnë se ky « dialog » do të mund të përfundojë me njohjen e Kosovës . Naivët e tjerë, nëpër BE, po ashtu.

Por cila është strategjia e Vuçiçit dhe krerëve të tjerë të Serbisë e cila këtyre ditëve është në zhvillim e sipër publikisht, jo vetëm lidhur me Kosovën dhe por edhe Bosnjën, përkatësisht Republikën Serbe të Bosnjës ?

Kërcëno stabilitetin e Ballkanit për ta ngutur hyrjen në BE

Strategjia e tij the rrethit të tij është kjo : Serbia synon që të ngus anëtarësimin e saj në Bashkim Evropian duke frikuar dhe kërcënuar po të njëjtin, pra BE-në, me destabilizim të Kosovës dhe Bosnjës. Kur destabilizohen këto dy shtete, destabilizohet krejt Ballkani, e më këtë edhe vet BE-ja e cila e do rajonin stabil për të mposhtur tentimet e njëjta të Rusisë për interesa krejt tjera.

Në këtë mënyrë, Serbia dhe Serbët, për interesa të tyre, janë bërë pjesë edhe e synimeve ruse për të shantazhuar BE-në me destabilizim të rajonit.

Vuçiçi, përkatësisht krerët e Serbisë e dinë se BE tmerrohet nga ndryshimi i kufinjve në Ballkan. BE e përjetoi këtë me luftërat e viteve ’90-ta.

Dobësia e kësaj frike të madhe në BE, është përparësi për Serbinë dhe po aq edhe për Rusinë. Prandaj ngutja e hyrjes së Serbisë në BE, sipas mendjes së fshehur dhe të heshtur dinake të Vuçiçit, mund të bëhet duke shfrytëzuar në maksimum këtë dobësi të BE-së.

Shumë politikanë dhe krerë evropianë ia kanë thënë Vuçiçit tërthorazi se Serbia do të mbetet tek dera e BE-së duke pritur nëse Kosova nuk pranohet në OKB, dhe nëse Serbia nuk do ta njeh pavarësinë e saj.

Testi i vërtetë i këtyre qëndrimeve të thëna aty-këtu nga fuqitë e mëdha të BE-së, do të mësohet pas pesë vitesh, apo edhe ndonjë vit më shumë, kur Serbia do të ketë hapur dhe mbyllur 34 kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE, por jo edhe atë për Kosovë (i 35-ti).

Serbia në këtë situatë tash është vënë në veprim për të shantazhuar pikërisht BE-në aty ku m ë së shumti e ndjenë dhembjen BE-ja, destabilizimin e Ballkanit, të cilin e do shumë edhe Rusia për shkak të interesave gjeo-strategjike që lidhen me burimet e saja të gazit, kur BE po ndërton rrjetin e saj për të importuar gaz – së bashku me SHBA – nga Lindja e Mesme dhe shtetet përreth saj, siç është p.sh. Azerbejgjani.

Shenjat e shantazhit

Pak ditë pas ftesës së Vuçiçit për dialog të brendshëm në Serbi, ministri i tij i jashtëm, Ivica Daciç, publikisht e ringjalli « dëshirën » e tij për copëtim të Kosovës, si dhe për shkëmbim të territoreve : veriun e Kosovës me Luginën e Preshevës.

Ky është kërcënim i qartë që Vuçiç me gojën e Daçiçit i bënë BE-së, duke ia bërë me gisht BE-së se kështu do të destabilizohet Ballkani nëse nuk pranohet Serbia në BE pa vonesë.

2 javë pas ftesës së Vuçiçit për dialog në Serbi për Kosovën, përkatësisht të premten e kaluar (4 Gusht) Vuçiç dhe shefi i Serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, njoftuan se aty nga vjeshta Serbia dhe Republika Serbe e Bosnjës do të miratojnë një deklaratë/memorandum për «mbijetesën » e krejt serbëve nëpër shtetet e Ballkanit.

Pas shpalosjes së kësaj strategjie të Vuçiçit përmes gojës së Daçiçit, kërcënimi i dytë serb bëhet nga Bosnja.

Të martën (8 Gusht) Dodiku u thotë mediave të Banjalukës, se Republika Serbe dhe Serbia do të duhej të kenë të drejtën për bashkim « kur të krijohen kushtet » ashtu siç u bashkuan Gjermania Lindore dhe Gjermania perëndimore.

Ky është kërcënimi i dytë që Vuçiç, tash me gojën e Dodikut i bëjnë BE-së në një peridhët prej më pak se tre javësh.

Trekëndëshi Vuçiç – Daçiç – Dodik, tash ndodhet në ofensivë duke shpresuar se më kërcënime dhe shantazheve të këtilla, Serbia do të hyjë në BE shpejtë dhe pa pranuar Kosovën.

Vuçiçi në këtë strategji dhe plan në zhvillim e sipër përmes kërcënimeve dhe shantazheve me Kosovën dhe Republikën Serbe në Bosnjë, publikisht e luan rrolin e të moderuarit.

Ai flet si dhelpër jashtëzakonisht dinake, për paqe dhe stabilitet publikisht, por atë që ai nuk e thotë drejtëpërdrejt, i ka ngarkuar Daçiçin në Beograd dhe Dodikun në Banjallukë që ta thonë.

Aty-këtu ndonjë zyrtar i BE-së në Bruksel do të pranojnë me gjysmë zëri se Serbia është duke e shantazhuar pikërisht BE-në përmes destabilitetit në Kosovë dhe Bosnjë, dhe për këtë Vuçiçi e ka edhe përkrahjen e Rusisë, përkatësisht Putinit.

Ky është Vuçiçi i vërtetë. Ai nuk mund të jetë tjetër. As ai e as Daçiçi. Që të dy mbeten ushtarë të vjetër të Millosheviçit. Ushtari i tjetër, Dodik, ka kohë që kërcënon me prishje të Bosnjës dhe ai përsëri mbetet numër një i serbëve atje dhe i mbrojturi i Vuçiçit dhe Putinit.

Ofensiva e Serbisë dhe Rusisë për të destabilizuar rajonin dhe shantazhuar BE-në, edhe pse që të dy për interesa të ndryshme, u shpreh qartë në Mal të Zi në tetor.

Tash radhën e kanë Kosova dhe Bosnja, nën petkun e siç thonë Vuçiç dhe Dodik « mbijetesës » së Serbëve në Ballkan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button