RRUGA DREJT HUMNERËS

Çështja e identitetit njëherësh, thonë, është edhe çështje e vet  esencës njerëzore, qoftë kur bëhet fjalë për identitetin e individit, qoftë për identitetin kolektiv. Për ne këtu e tash me rëndësi jetësore është identiteti kolektiv, i cili karakteristikë themelore ka ngjashmërinë, madje edhe njëshmërinë, për dallim nga identiteti individual i cili bazohet në dallime, ndryshime e laryshi. Identiteti  është edhe gjendje dhe proces i cili ka të bëjë me të qenit pjesëtar i ndonjë mënyre dhe stili jetësor që lidhet me strukturën e grupeve shoqërore. Grupi ose bashkësia shoqërore gjithmonë i jep individit një pjesë të identitetit, qoftë përmes historisë, përmes gjuhës ose përmes traditës. Kjo do të thotë se individi nuk mund ta formësojë identitetin e vet veç nga bashkësia. Identiteti paraqet edhe kohezionin e një grupi shoqëror siç është kombi. Identiteti kolektiv janë gjithë ato vlera që janë krijuar me shekuj dhe të cilat na i kanë lënë amanet të parët tonë që t’i ruajmë, siç janë gjuha e tradita shekullore.

Identiteti kolektiv dikur ka qenë një veçori e pandryshueshme, sepse komunikimi  midis njerëzve, traditave e kulturave ka qenë fare i vogël. Ndikime ka pasur, por grupi, në radhë të parë kombi, gjithmonë ia ka dalë “ta asimilojë” ndikimin duke  ia përshtatur gjuhës dhe traditës së vet. Tash komunikimi midis kombeve është më i dendur.  Njerëzit migrojnë për shkaqe ekonomike, por edhe politike, nga vendet më të varfra në vendet më të pasura dhe atje ku shkojnë i nënshtrohen një asimilimi të sofistikuar që do të thotë se e humbin shpejt identitetin e vet. Me të madhe për këtë arsye migrojnë edhe shqiptarët. Prandaj sot nëpër shkollat e fshatrave tona mezi kanë mbetur nga dhjetë-pesëmbëdhjetë fëmijë ose, madje edhe më pak.

Si shumë popuj që e kanë të rrezikuar identitetin, ashtu edhe populli ynë nuk është imun ndaj këtij procesi. Globalizimi në një anë, ndryshimet politike që ndodhën në fund të shekullit të kaluar, por edhe institucionet shtetërore të vendeve ku jetojnë shqiptarët dhe emisarë të ndryshëm të qendrave politike e religjioze, nga ana tjetër,  po e kërcënojnë identitetin tonë shqiptar. Këta të fundit kanë marrë një hov të madh  dhe thuajse të pandalshëm dhe godasin çdo themel e shtyllë të identitetit tonë. Na i fyejnë heronjtë kombëtarë, siç është Skënderbeu, Petro Nini Luarasi, na i sulmojnë figurat e mëdha të Rilindjes kombëtare siç janë Josif Bageri, Gjergj Fishta, madje edhe Naimin e akuzojnë se paska qenë bektashi dhe si i tillë është i keq. Për Nënën Terezë dallkaukë të ndryshëm i japin të drejtë vetes që ta shajnë. Dhe, nuk është për t’u habitur kjo kur dihet se nga vijnë këta emisarë, por për t’u habitur është se si ia dalin këta njerëz t’ua lajnë trurin njerëzve tonë dhe të mbledhin rreth vetes aq shumë njerëz duke i bërë partizanë të propagandës së tyre antikombëtare. Dhe, njerëzit të zhveshur nga e kaluara e cila është burim i krenarisë kombëtare ndjehen të varfër shpirtërisht e të pambrojtur. Prandaj gjithandej vetë shqiptarët flasin zi e më zi për shqiptariznën.

Shtylla tjetër e cila goditet nga emisarët janë emrat personalë. Gjeneratat e kohës së Rilindjes kombëtare dhe të  pasluftës së dytë botërore sollën një fresi në traditën e emrave personalë duke i afirmuar emrat me kuptime të bukura shqipe, por pa bërë presione që të hiqen ose të braktisen emrat arabë. Tash, ndodh në proces i kundërt mjaft agresiv. Plot raste kur gjyshi quhet Agim, babai Dritan, kurse fëmija i Dritanit të jetë Erdogan, Fejsall, Gadaf, Esra, Isra, Bushra, Burak, Shemsije e ku ta di unë se çfarë emrash të tjerë, të cilët ndoshta kanë edhe kuptime qesharake.

Rezultati i presioneve ekonomike e politike ka bërë që neve të na përgjysmohet popullsia shqiptare në Ballkan dhe fëmijët e shumicës së njerëzve që kanë marrë botën në sy sot mos të jenë Agron, Premtim, Dritë e Shpresë, por Nils, Donald etj., ndërkaq këtu ku jemi ne, në atdheun tonë, të mos mund ta ngremë zërin për ta mbrojtur atë që është e jona nga sulmi propagandistik i emisarëve që në radhë të parë vijnë nga vendet lindore, islame.

Na ndalohet edhe kënga, na ndalohen edhe artet, na përçmohet gjuha dhe letërsia duke u ilustruar çdo komunikim me gjuhën arabe, rrëzohen xhamitë e vjetra që kishin bërë njëfarë tradite karakteristike arkitekturale, kishat e të parëve tonë shpallen si të huaja, zhvlerësohen përpjekjet për institucionalizimin e gjuhës shqipe, hapen mejtepe pa kurrfarë kushtesh ku mësimet etare i mbajnë njerëz jokompetentë të cilët nuk i respektojnë normat arsimore që i parashohin ligjet e këtyre vendeve, nuk kemi institucione parashkollore, çerdhe e kopshte fëmijësh.

Nuk kemi perspektivë, kurse shtegu i trasuar nga dora e huaj për ne shpie drejt humnerës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button