ANALIZË: Çka zbuloi revizioni – si është ruajtur Liqeni i Ohrit?

Me florën dhe faunën e saj të veçantë, Liqeni i Ohrit është njëri nga rezervatet më të mëdha biologjike në Evropë. Në vitin 1980, Liqeni i Ohrit dhe qyteti i Ohrit janë shpallur si trashëgimi kulturore botërore, nën mbrojtje të UNESCO-s. Në raportin e ri të publikuar me titull “Efikasiteti i masave, politikave dhe projekteve për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit” nën thjerrëz është vënë gjendja e përgjithshme e Liqenit të Ohrit, si dhe masat dhe politikat që janë ndërmarrë nga ana e institucioneve për mbrojtjen e tij – si trashëgimi botërore, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Paqartësi dhe dobësi në ligje…

Vërejtjet dhe dobësitë më serioze, revizori i ka konstatuar në rregullativën ligjore, mungesën e saj ose zbatimin jo të plotë. Kështu, në raportin e revizionit është potencuar se nuk është përditësuar strategjia për ujërat, nuk është përgatitur Plan për menaxhimin me pellgun e lumit Drini i Zi nga ana e Ministrisë për Mjedis Jetësor, pas përfundimit të mandatit të anëtarëve të Këshilli nacional për ujëra nuk janë emëruar anëtarë të rinj, nuk është miratuar plan për menaxhim me trashëgiminë botërore natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit nuk është formuar Komisioni për menaxhim me trashëgiminë botërore natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit. Në mes tjerash, revizori rekomandon rishqyrtim të Marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit ndërkufitar për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit.

Revizori ka konstatuar edhe paqartësi te ujërat e zeza, ndotësit potencialë dhe cilësia e ujit të Liqenit të Ohrit.

“Programi për bartjen, mbledhjen dhe pastrimin e ujërave të zeza urbane nuk është miratuar. Nuk janë siguruar lejet për lëshimin e ujërave të zeza, ka nevojë për lidhjen e vendbanimeve të cilat nuk janë të lidhura me sistemin e kolektorit, duhet të zgjidhet problemi me objektet e ndërtuara në bregun e Liqenit të Ohrit” – thekson revizori.

Në një pjesë të raportit të revizionit është potencuar shfrytëzimi i pamjaftueshëm i fondeve evropiane, nevoja për rritjen e mjeteve për përmirësimin e gjendjes së rrjetit të ujësjellësit dhe të kanalizimit, si dhe më shumë para për projektin për përmirësimin e funksionimit të sistemit të kolektorit në Liqenin e Ohrit.

“Theksojmë se ka nevojë që organet kompetente t’i përforcojnë kontrollet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e Liqenit të Ohrit. Nevojiten më tepër masa dhe aktivitete me qëllim që të mos lejohet që Liqeni i Ohrit, i cili është nën mbrojtjen e UNESCO-s, të mos vendohet në listën e trashëgimive natyrore që janë të rrezikuara. Duhet të bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona që ai të ruhet” – thuhet në raportin e revizionit.
Rekomandime për institucionet kompetente…

Nën thjerrëzën e revizorit ka qenë edhe Strategjia nacionale për ujëra, me ç’rast ai konstaton se në të nuk ka të dhëna relevante për gjendjet e konstatuara paraprakisht, mungojnë problemet dhe zgjidhjet konkrete, si dhe vizioni i qartë për menaxhim me ujërat.

“Ministria për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor nuk ka përgatitur Bazë për ekonomizim me ujërat të Republikës së Maqedonisë si dokument themelor për planifikimin dhe zhvillimin e menaxhimit me ujërat në R.M., që nuk është në përputhje me Ligjin për ujëra” – thekson revizori. Nga ana tjetër, ministria përkatëse thekson se në bazë të legjislacionit evropian, përparësi u është dhënë dy dokumenteve – Strategjisë nacionale për ujëra dhe Planeve për avancim të pellgjeve lumore.

Përndryshe, për herë të fundit, dokumenti Baza për ekonomizim me ujërat e R.M.-së është përgatitur para 40 viteve dhe sipas revizorit, ai praktikisht nuk mund të zbatohet në kohën e sotme.
Raporti i revizionit para institucioneve kompetente, që janë të përfshira në të, është prezantuar në fillim të vitit.

“Nga ana e personave udhëheqës në Ministrinë për Mjedis Jetësor, Ministrinë për Transport dhe në Ministrinë për Bujqësi janë pranuar njoftime, vërejtje dhe mendime në lidhje me Propozim-raportin e revizorit të autorizuar, ato janë shqyrtuar dhe është konstatuar se ato paraqesin njoftime, gjegjësisht arsyetime për gjendjet e konstatuara në Propozim-raport” – thekson revizori.

Deri te qeveria dhe ministritë përkatëse janë dërguar një numër i madh i rekomandimeve, si p.sh. miratimi i programit për monitorim të ujërave, formimi i Këshillit nacional për ujëra, miratimi i Planit për menaxhim me trashëgiminë botërore natyrore dhe kulturore në Rajonin e Ohrit, përcaktimi i EURO standardit gjatë importimit të objekteve lundruese, si dhe miratimi i Planeve lokale aksionale për mbrojtjen e mjedisit jetësor në Rajonin e Ohrit. Periudha e përfshirë në revizion ishte prej vitit 2014 deri në vitin 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button