Ligji për gjuhën shqipe nuk premton barazi mes shqipes dhe maqedonishtes, është vetëm avancim

Ligji i ri për gjuhët nuk është i kënaqshëm, do të ketë vetëm avancim të gjuhës shqipe në disa institucione në një nivel të kufizuar por nuk do të ketë dygjuhësi. Nuk do të jetë e barabartë gjuha shqipe me atë maqedonase pasi që gjuha shqipe nuk do të mund të jetë gjuhë zyrtare në nivel shtetëror.
Kështu deklaron për Portalb.mk, eksperti juridik, Osman Kadriu, në lidhje me kalimin e propozim-ligjit për gjuhët në Qeverinë e Maqedonisë i cili madje ka qenë i konsultuar për hartimin e ligjit.

LEXO: Mehmedi: Ligji për gjuhën shqipe është sukses, por e dimë se mund të bëjmë më shumë

“Ky ligj nuk është i kënaqshëm, unë kam qenë i konsultuar për draftet atëherë kur u përgatit ligji, ata premtojnë se arrihet shumë më tepër se sa duhet të arrihet, por unë gjithmonë kam qenë këmbëngulës që subjektet politike shqiptare sidomos këta që janë participantë në Qeveri e në Parlament duhet ta njoftojnë popullin në formë burimore, populli ka të drejtë të dijë se çfarë premton dhe çfarë garanton ligji, nuk premton dygjuhësi, nuk garanton barazi të plotë mes gjuhës shqipe dhe gjuhës maqedonase dhe nuk garanton gjuhë zyrtare në nivel shtetëror, vetëm kemi avancim në institucione konkrete dhe në një nivel të kufizuar”, thekson për Portalb.mk Kadriu.

LEXO: Ligji për gjuhën shqipe ka kaluar në Qeveri

Sipas tij, propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve, e pret një rrugëtim i vështirë. Asgjë s’është mbaruar, fjalën përfundimtare do ta ketë Kuvendi dhe ka mundësi potenciale që i njëjti të pësojë ndryshime.

“Rrugëtimi i propozim-ligjit për gjuhën shqipe do të jetë i vështirë që ta marrë formën e një ligjit të përsosur. Çdosend është e mundshme, ky propozim ligj mund të pësojë ndryshime gjatë seancave kuvendore. Pra seanca plenare, apo Kuvendi është ai që e sjell ligjin, pavarësisht se kush e propozon. Propozues për ligjin mund të jetë Qeveria, një deputet apo grup deputetëve dhe qytetarët nëse nënshkruajnë një ligj të caktuar, por në mënyrë meritore vendos Parlamenti. Meqenëse Parlamenti e jep fjalën e fundit, gjithmonë ka mundësi potenciale që në Parlament të ketë ndryshime”, vlerëson Kadriu.

Çfarë parasheh ligji i ri për gjuhët?

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në profilin e tij në “Facebook”, në mënyrë të pjesërishme e ka publikuar propozim-ligjin për gjuhët, gjegjësisht ka dhënë detaje për dispozitat e nenit 5 të propozim ligjit, dhe disa dispozita tjera të neneve tjera.

Neni 5

  • Në punën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik si dhe gjuha që e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM dhe alfabeti i saj.
  • (2) Seancat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë udhëhiqen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik.
  • (3) Kur me seancat e Qeverisë, komisionet si dhe kolegiumet gjenerale udhëheq funksionar i zgjedhur apo i emëruar i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase dhe të cilën gjuhë e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM, të njëjtat i udhëheq në atë gjuhë dhe shkrim.
  • (4) Funksionar i zgjedhur ose i emëruar i cili flet gjuhë ndryshe nga gjuha maqedonase, të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM, në seanca të Qeverisë, në komisione të qeverisë dhe në kolegiume gjenerale flet në atë gjuhë.
  • (5) Funksionar i zgjedhur ose i emëruar i cili flet gjuhë ndryshe nga gjuha maqedonase, të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM, materialet i pranon në kohë gjegjësisht i dorëzon në kohë në gjuhën dhe alfabetin e tij që t’i shërbejnë gjatë seancave të Qeverisë, në komisione ose në kolegiume gjenerale.
  • (6) Stenogramet nga seancat e Qeverisë, seancat e komisioneve dhe kolegiumeve gjenerale si dhe materialet dhe dokumentet tjera që jepen dhe ruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj dhe në gjuhën të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM dhe alfabetin e saj.
  • (7) Të gjitha aktet e miratuara nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë jepen dhe shpallen në gjuhë maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve në RM dhe alfabetin e saj.

Dispozita tjera:

  • (2) Gjuhë tjetër që e flasin më së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj ,në pajtim me këtë ligj.
  • (3) Në të gjitha organet e pushtetit shtetërorë në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata dhe ente, komisione, persona juridik që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucione tjera, gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe alfabeti dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrën e përcaktuar me këtë ligj.

Sipas propozim-ligjit në fjalë shqipja nuk përdoret në bankënota, por vetëm simbolet e kultit ku do të reflektojnë edhe ato shqiptare ndërsa sa u përket uniformave  te uniformat do jenë në shqip atje ku janë 20% shqiptarë, por jo edhe në uniformat e ushtrisë.

Ligji sipas gjitha gjasave do të shkojë edhe në Komisionin e Venedikut edhe përkundër që partnerët e koalicionit qeverisës janë ta ndarë nëse ligji si tërësi do të shkojë në Komision, apo vetëm pjesë të saj. Jozyrtarisht bisedimet janë fokusuar në bankënotat dhe uniformat në dy gjuhë edhe pse nga gjë e tillë përpara formimit të Qeverisë së re partnerët e koalicionit kishin hequr dorë.

Ligji për gjuhët, parakusht për rrugën euro-atlantike të Maqedonisë

Përshpejtimi i Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në Maqedoni dhe i hapave ligjor të planit 3-6-9 që Kryeministri Zaev ka paraqitur ne Bruksel, do të jenë parakusht për rrugën euro-atlantike të Maqedonisë. Kjo gjë është theksuar gjate takimit që ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ka zhvilluar me ministrin Përgjegjës për Investimet e Huaja të Maqedonisë, Ramiz Merko. 

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Meritor eshte edhe Zaevi dhe Shqiptaret ne LSDM…
    Kjo eshte faktè dhe duhet te pajtohemi me realitetin e ri…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button