Déjà vu politike

Kosova po përjeton hyrjen në një vorbull të ri politik. Zagushia e temperaturave tropikale arrin kulmin me ngulfatjen e jetës politike. Sikur jemi popull që dot s’po nxjerrim mësim nga e kaluara. T’i lëmë mënjanë të gjitha ecejaket e dhimbshme me kosto të lartë përgjatë dekadave të fundit. Mjafton të kujtojmë krizën e vitit 2014, të njohur si “çështja VLAN”. Bllokadë institucionale, aktivizim i Gjykatës Kushtetuese si arbitër për të na treguar se ç’kuptim kishin fjalët e caktuara në nenet e caktuara dhe në fund vendime të kontestueshme nga ajo, jo për nga efekti juridik por nga argumentimi doktrinar e praktik. Sidoqoftë, e gjithë ajo që ndodhi dhe kjo që po ngjan këtyre ditëve janë pjesë e një tërësie që në fokus ka rehabilitimin e individëve në pozita të larta shtetërore dhe plotësim ambiciesh për ta. Assesi nuk duket e besueshme se krejt kjo gjendje është përpjekje për mirëqenien e përgjithshme. Për qytetarët kjo s’është gjë tjetër përpos një déjà vu që paraqitet si makth tmerrues.

Padyshim se politika është arenë e marrëveshjeve politike dhe demokracia parlamentare imponon kompromise. Mirëpo duhet kuptuar dhe pranuar një herë e mirë se të gjitha këto duhen bërë në pajtim me frymën dhe shkronjën e Kushtetutës, si kontratë e përgjithshme bazike sociale, juridike e politike.

Së këndejmi nuk mund të jetë e arsyeshme që të kërkohet votimi i një kandidati për kryetar Kuvendi në të njëjtën linjë me votimin për mandatarin e krijimit të Qeverisë. Meqë deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues (neni 70/1 i Kushtetutës), me këtë lloj propozimi si është e mundur që vota e tyre të mos reflektohet si përfaqësim i subjekteve politike (apo kryetarëve të subjekteve) dhe haptas të mos cilësohet si nënshtrim ndaj tyre?

Zgjedhja e kryeparlamentarit dhe zgjedhja e qeverisë janë dy procese kushtetuese të ndara. E para paraprin proceduralisht por nuk mund të përdoret si objekt kushtëzues për të dytën. Kërkesa që të votohen në pako të dyja është nëpërkëmbje e standardeve konstitucionale dhe vetë aktin themelor juridik (kushtetutën) e shndërron në dekor politik. Dekoret, ndërkaq, janë jodetyruese. Janë çështje shijesh për të cilat latinët e moçëm thoshin se nuk duhet të diskutohen. E kushtetuta nuk është dhe nuk duhet të jetë dokument fakultativ me fuqi të kontestueshme dhe e kufizuar me palë të caktuara. Ajo vendos themelet e shtetit dhe organizimit shoqëror dhe duhet të jetë peshorja në bazë të së cilës do të maten veprimet politike. Loja (dallaveret) me masën në peshore është veti e shëmtuar dhe shkakton pakënaqësi. Bereqeti nuk shtohet me haram, thoshin pleqtë dikur.

Ose do ta respektojmë peshimin që e bën kushtetuta ose do të honepsim se jemi shoqëri e cila s’ndien nevojë për të. O do ta pranojmë autoritetin e kushtetutës o do të kërkojmë të vetëqeverisemi me të drejtën zakonore e sipas qejfit. Nuk mund të bashkëjetojnë në të njëjtën kohë edhe parimi i supremacisë kushtetuese edhe kulti i klikave sunduese në politikë.

Koha është e pamëshirshme dhe ne jemi të vonuar. Prandaj duhet ta zëmë hapin e emancipimit politik. Në të kundërtën, vazhdojmë të hapim universitete e të diplomojmë, por nuk do të tejkalojmë nivelin e asaj që prej disave quhet “botë e tretë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button