Dalje nga izolimi

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Besa Arifi

Si duket po i vjen fundi izolimit shumëvjeçar të Maqedonisë në të cilin ajo vullnetarisht hyri me politikën të cilën e udhëhoqi VMRO-DPMNE në dekadën e kaluar. Për vite me radhë qytetarët e këtij vendi u mësuan të jetojnë në frikë. Frikë nga të huajt, frikë nga SHBA dhe “shërbimet e huaja” frikë nga shqiptarët, frikë nga vetvetja…

Atmosfera e frikës u mboll kudo, u krijuan dhe u mbi ndërtuan fobi të tëra nga ndryshimi dhe nga të qenit ndryshe, u krijuan armiqësi të reja dhe u stimuluan ato të vjetrat, të cilat gjithnjë kanë ekzistuar dhe asnjëherë nuk janë zgjidhur tërësisht.

Është e vështirë të jetohet në frikë. Njerëzit që jetojnë në frikë bëhen paranoikë. Si që ishte bërë paranoik edhe ish-kryeministri Gruevski, i cili kabinetin i tij qeveritar e kishte shndërruar në bunker të blinduar, me teracë anti-dron! Paranojë tipike për hegjemonistët të cilët duan të shkatërrojnë çdo mendim ndryshe dhe të struken si strucër nëpër bunkerë ku duan të strehohen nga e ardhmja.

Por e ardhmja është si lum dhe nuk ka bunker që e ndal. Sepse proceset historike kanë ndodhur dhe do të ndodhin, me ose pa vullnetin e dikujt. Kështu, sa më parë të pranohet realiteti aq më mirë për të gjithë.

E cili është realiteti?

Realiteti është ai që në Ballkan izolimi nuk i ndihmon askujt dhe i bën dëm gjithkujt. Aq më shumë kur bëhet fjalë për një shtet të vogël si Maqedonia. Të jetuarit në frikë se gjithkush na e dëshiron të keqen nuk i bën dobi askujt. Sepse, gjithçka e vlefshme në jetë gjindet pikërisht matanë kufirit të frikës.

Dhe ja kjo frikë e reflektuar në tabutë e krijuara me vite fillon të tregojë shenjat e para të plasaritjes.

Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë e nënshkruar me 1 Gusht është një hap historik kundër frikës dhjetravjeçare të humbjes së identitetit maqedonas. Si një humbje vazhdon ta trajtojë këtë moment VMRO-DPMNE e cila po ashtu në kohën e qeverisjes së vetë, pas kulisave përgatiste një marrëveshje të tillë, ndërsa para syve të popullit e ngopte atë me fraza boshe patriotizmi. Fqinjësia e mire është më se e rëndësishme në Ballkan dhe është njëri prej hapave kyç drejt integrimeve euro-atlantike. Pranimi i faktit se shumë popuj të Ballkanit ndajnë historinë e përbashkët dhe ngjarje të përbashkëta historike nuk duhet të jetë tabu dhe as të trajtohet si hendikep, por përkundrazi si përparësi.

Si përparësi dhe jo si hendikep duhen trajtuar edhe ngjarjet e përbashkëta historike mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Në fakt, të gjitha momentet kyçe historike të Maqedonisë ndërthurin përpjekjet e përbashkëta të popujve që jetojnë aty dhe luftën e tyre të përbashkët për liri. Në Kryengritjen e Ilindenit dhe në krijimin e Republikës së Krushevës morën pjesë direkte shumë shqiptarë në luftën kundër pushtimit Osman. Poashtu, shqiptarët luajtën rol kyç në çlirimin e këtij vendi nga fashizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këto janë fakte historike që askush nuk mund t’i mohojë. Në krizën e fundit politike që përjetoi Maqedonia, përsëri ishin shqiptarët ata që kontribuuan në zgjidhjen e saj. Me fjalë të tjera, këto pjesë të historisë duhen trajtuar si diçka e përbashkët, si fakte që na afrojnë si komunitete dhe jo si ngjarje që na izolojnë.

E megjithatë, duhej të kalojnë shumë vite që këto realitete të fillojnë të pranohen. Dhe përsëri të ketë rezistencë. Dhe dikujt t’i duket e çuditshme që Talat Xhaferi si Kryetar i Parlamentit të citojë Manifestin e Krushevës në Përvjetorin e Ilindenit. Dhe dikujt t’i duket e papranueshme që SH.K.A. “Xheladin Zeqiri” të vallëzojë në programin e përgatitur për nder të kësaj dite. Dikujt t’i duket tradhti fakti që kryeministri Zaev të theksojë rëndësinë e të gjithë komuniteteve lidhur me këtë ditë që duhet të trajtohet si festë shtetërore e të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe jo vetëm e një etniteti.

Tradhëtia e vërtetë nuk ka të bëjë me pranimin e realitetit multietnik dhe multikonfesional të këtij vendi. Tradhtia e vërtetë ka të bëjë me keqpërdorimin e pushtetit duke keqpërdorur urrejtjen e mbjellë me shekuj mes popujve ballkanikë, dhe me paraqitjen e këtij keqpërdorimi si akt më të lartë të patriotizmit. Sepse patrioti i vërtetët nuk e arsyeton asnjëherë vjedhjen, pavarësisht në emër të cilave ideale kombëtare ajo bëhet.

Por, e rëndësishme është që frika po plasaritet. Dita e djeshme filloi me festimet e përbashkëta të Borisov dhe Zaev, vazhdoi me fjalimin historik të Kryeparlamentarit Talat Xhaferi, dhe mbaroi me takimin po ashtu historik mes kryeministrit Zaev dhe Zëvendës-Presidentit të SHBA Pence në Podgoricë. Fitohet përshtypja se shihet dritë në tunelin e gjatë të izolimit.

I vetmi rrezik që kjo dritë në fund të tunelit të jetë në fakt drita e trenit që po afrohet, është frika që nuk po e tejkalon dot gjyqësia në Maqedoni. Ajo gjyqësi që javën e kaluar ua garantoi të drejtën e ikjes personave që ndiqen nga PSP, e që duhet të jenë në paraburgim, por në vend të kësaj, ata janë në ikje dhe kërkohen me fletëarreste ndërkombëtare pasi gjykatat u dhanë 10 ditë afat të përgatisin ikjen e tyre!

Asnjë lloj izolimi nuk do të përfundojë pa çlirim të vërtetë. Asnjë formë e lirisë nuk mund të vijë pa vendosjen e drejtësisë. Asnjë formë e drejtësisë së mirëfilltë nuk mund të vijë pa plasaritur edhe frika e fundit në këtë vend. Frika enorme, marramendëse dhe robëruese e gjyqësisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP