Ministri Merko për vizitë në Shqipëri

Ministri për Investime të Huaja Ramiz Merko nga sot e deri më 4 gusht do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Shqipëri, gjatë të cilit do të ketë takime me presidentin shqiptar Ilir Meta, me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, me përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë si dhe me disa nga sipërmarrësit më të suksesshëm Shqiptarë.

Merko do të jetë i shoqëruar nga zëvendës-drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale  Asip Useini dhe nga drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare “FM Consulting” Fatos Mustafa.

Në kumtesën nga kabineti i Merkos, thuhet se vizita është në kuadër të krijimit të një zone të përbashkët ekonomike rajonale, të mbështetur nga Samiti i Triestes që u mbajt në korrik të këtij viti do të shërbejë si një mundësi për qeverinë dhe biznesin shqiptar për t’u njohur me modelin e ri të Maqedonisë të të bërit biznes, si dhe me politikat lehtësuese që zbaton qeveria në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit.

Janë parashikuar të zhvillohen takime me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka, me kryetarin e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj, me kryetarin e “Agna Group” Vasil Naçi, me kryetarin e “Mare Adriatik” Mark Babani, me Maksim Casllin, drejtues i “Deloitte Albania & Kosovo”, me kryetarin e “Aiba Kompani” Agron Duka, me kryetarin e “Green Farm” Ferdinant Bani dhe të tjerë.

Merko dhe bashkëpunëtorët e tij do të prezantojnë modelin e ri të tërheqjes së investimeve të Qeverisë së Maqedonisë, pjesë e së cilave janë edhe subvencionet që ofrohen për biznesin që investojnë në Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale, por edhe jashtë tyre. Qeveria Maqedonisë, në këto zona ofron një sërë lehtësish që përfshijnë edhe çlirime nga barra fiskale për një periudhë prej rreth 10 vitesh.

Drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtar “FM Consulting” Fatos Mustafa thotë se Maqedonia dhe Shqipëria si vende fqinje duhet bashkërisht të kërkojnë mundësitë për të bashkëpunuar, për të qenë sa më plotësues të njëri–tjetrit pasi vetëm kështu mund të integrohen në tregje më të mëdha.

Për Zyrën Ndërkombëtare “FM Consulting” këto takime mes përfaqësuesve të së dy qeverive, por edhe të biznesit janë shembulli më i mirë se si Maqedonia dhe Shqipëria duhet të rrisin më tej bashkëpunimin për të forcuar pozitat e tyre, si dhe për të garantuar më shumë konkurrencë dhe një klimë sa më të favorshme për sipërmarrjen në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si industria, turizmi etj., informon kabineti i ministrit Ramiz Merko.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button