RIKUJTIM: NJËHERË E NJË KOHË

Na ishte njëherë një kohë ku “si në ditën e shtatë e lodhur dukej bota” (Borhes); e lodhur e rraskapitur për shpirtin e trazuar dhe e mbushur me spektakle, me bukë e me festa për njeriun e lumtur të së tashmes së përjetshme.

Na ishte njëherë një kohë kur politikanët ishin bërë si gjyshe dhe ne ishim bërë si foshnje. Na vinin në gjumë me refrene të zakonshme. Na ofronin bukën e përditshme. Shumëfishonin ata fytyrat nëpër portale, gazeta dhe ekrane. Na flisnin për misione mesianike.

Na ishte njëherë e një kohë kur njerëzit prisnin lajme nga organizatat humanitare. Liria ishte përralla e atyre që flisnin për ideale. Flamuri ishte marhamë për të mbuluar fytyra të pista.

Na ishte njëherë e një kohë kur lartësoheshin keqbërësit dhe pështymë e turmës përplasej në fytyra mendimtarësh.

Na ishte njëherë e një kohë ku politika ishte vetëm pushtet dhe kur fusha politike, siç e thotë H. Arendt, ishte fushëbetejë interesash së anshme e konfliktuale, ku të vetmet vlera përbëheshin prej kënaqësive të përfitimit, ideve partiake dhe epsheve për sundim.

Na ishte njëherë e një kohë një vend i vogël me spektakle të mëdha. Aty nuk kishte liderë, por bajraktarë. Nuk kishte parti, por odë burrash e sektesh. Kishte prijës që shpërfaqnin kudo pretendimet despotike të tërësisë.

Na ishte njëherë e një kohë, ku “vlerë” ishte bërë vjedhja, mashtrimi, përdhosja e sakrales. Hiperbolizohej marrëzia, lartësohej mediokri, heshtej krimi, lavdërohej keqbërësi dhe njerëzit prej frikës solidarizoheshin me të keqen.

Na ishte njëherë një kohë kur çdo ditë kishte përkujtime. Oratorët shumëfishonin refrenin e zakonshëm: “lindi për të mos vdekur kurrë”. Historia ishte monolog i shkruar nga injorantët.

Na ishte njëherë e një kohë entuziastësh që kishin një ëndërr: si ta fitonin betejën e ardhshme në katundin e tyre.

Na ishte njëherë një kohë kur historia kishte plasaritje, atdheu kishte përmasa oborri dhe askush nuk e dëgjonte poezinë e Hungaretit: “Pushoni së vrari të vdekurit! / Mos bërtisni, përse bërtisni / Nëse doni sërish t’i keni / Nëse doni të mos i humbisni!”

Na ishte njëherë e një kohë kur liria ishte e shpifur.

Koha për të cilën flasim ishte si kohë mitike, sepse ishte kohë ciklike. Rikthehej vazhdimisht me gjithë marrëzitë e saj. Rikthehej me aktorë të vjetër nën maska të reja… Dhe ne shkruanim shkrimet e njëjta në versione të ndryshme, sepse ashtu i kishim edhe idiotësitë..

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button