Kamuflazha e mentalitetit tribal partiak në Maqedoni e quajtur “demokraci”

Maqedonia si shtet demokratik gjatë viteve të fundit shpesh herë shkeli demokracinë në forma dhe mënyra të ndryshme. Se sa do të respektohet demokracia brenda partive politike për reformat e premtuara brenda partiake dhe gjatë përzgjedhjes së kandidateve për zgjedhjet lokale të cilat janë parashikuar të mbahen në vjeshtë, ngelet të presim dhe të shpresojmë.

Drejtori i OJQ Democracy Lab, Sefer Selimi për Portalb.mk thotë se debati brenda anëtarëve të partisë është shumë i vogël, për të mos thënë që nuk ekziston aspak.

“Në përgjithësi, partitë politike në Maqedoni kanë strukturë organizative demokratike por kjo është vetëm në formë të shkruar në statutet përkatëse të partive që nuk gjejnë zbatim në praktikë. Nëse do të analizojmë partitë parlamentare, qartësisht mund të vërehet se të gjitha partitë janë të ndërtuara rreth kultit të liderit. Është fatkeqësi që këtë trend e shohim edhe tek partitë e reja të cilat janë krijuar rishtazi. Debati brenda anëtarëve të partisë është shumë i vogël, për të mos thënë që nuk ekziston aspak. Madje, edhe ata pak zëra të cilët kanë pasur kurajën të kritikojnë publikisht politikën e partisë së tyre apo të liderit, fillimisht janë izoluar përmes diskreditimit, shantazhit apo ndonjë forme tjetër represive për tu shuar dhe përjashtuar plotësisht nga partitë”, thotë Selimi, për Portalb.

Ai shtoi se procesi i zgjedhjes së organeve partiake është plotësisht i korruptuar.

“Procesi i zgjedhjes së organeve partiake është plotësisht i korruptuar. Edhe atëherë kur duhet të ‘’votohet’’ lideri ky proces kontrollohet përmes përzgjedhjes së delegatëve të cilët janë të nënshtruar para strukturave partiake me qëllim që të kontrollohet vota e tyre. Në qoftë se vërtet do të kishte vullnet të sinqertë për demokratizim brenda partive politike, për Maqedoninë si një shtet i vogël, një formë mjaftë praktike do të ishte zgjedhja e organeve partiake, përfshirë këtu edhe liderin e partisë, përmes sistemit ‘’Një anëtar – një votë’’. Megjithëse edhe ky proces mund të korruptohet, të paktën ju jep mundësinë anëtarëve të partisë të kenë rol më të madh dhe më të drejtpërdrejtë në proceset e vendimmarrjes brenda partisë sy tyre. Kjo do të reflektohej edhe në cilësinë programore edhe në kapacitetet njerëzore”, shtoi ai.

Selimi sqaron se edhe në zgjedhjet lokale partitë mundohen të shfaqin një garë paraprake, edhe ky është një proces i kamufluar nën petkun e demokracisë brenda partiake por që në fakt është kryekëput i kontrolluar nga liderët dhe i korruptuar nga establishmentet e partive që u shërbejnë verbërisht atyre.

“Në prag të zgjedhjeve lokale, do të ishte e natyrshme për një shtet me demokraci funksionale dhe parti të vërteta demokratike, të ketë një garë të mirëfilltë brenda partiake mes kandidatëve potencial, të cilët fillimisht do duhej të fitonin mbështetjen për programin e tyre para anëtarësisë partiake në Komunat ku garojnë. Megjithëse në forma të ndryshme partitë mundohen të shfaqin një garë paraprake, edhe ky është një proces i kamufluar nën petkun e demokracisë brenda partiake por që në fakt është kryekëput i kontrolluar nga liderët dhe i korruptuar nga establishmentet e partive që u shërbejnë verbërisht atyre”, sqaron Selimi.

Gjithashtu ish kryetari i parlamentit Stojan Andov, vlerëson për Portalb.mk se te partitë politike e sidomos te VMRO nuk ka ndonjë lëvizje për të ushtruar demokraci brenda partisë.

“Nuk ka ndonjë lëvizje të madhe dhe të rëndësishme drejt demokratizimit brenda partive politike, sidomos tek partia që deri më tani ishte në pushtet, VMRO DPMNE, ajo është pasqyrë e asaj se të gjithë ‘luftërat’ mund të ndërrohen përveç kryesorit, udhëheqësit, që në këtë rast është Nikolla Gruevski. Në këtë rast ai është i pa ndryshueshëm i paprekshëm në kryesinë e partisë. Ja ndryshimet e fundit në këtë parti mund të merren si shembull që në këtë parti kryesia është problemi, Nikolla është problemi. Nuk ka ndonjë shenjë që ai do të largohet nga posti momental në këtë parti. Te BDI kishte disa lëvizje pas humbjes në zgjedhje, megjithatë u qetësua situata. Ali Ahmeti ishte i aftë për ta qetësuar ose të gjithë vendosën që të marrin përsipër humbjen e atyre vendeve që kishin në Parlament. Mendoj që edhe kjo parti ka nevojë për demokratizim të brendshëm. Sa i përket LSDM besoj që janë në rrjedha reformat brenda partisë dhe kështu si po e udhëheq shtetin është shumë shenj e mirë. Ta shohim se si do të veprohet brenda partisë, por jam i mendimit që LSDM duhet të krijoj një themel të fortë për të realizuar kërkesat e shoqërisë dhe për të vazhduar reformat”, tha për Protalb, Andov.

Kurse sa i përket ndryshimeve të fundit në Komitetin Ekzekutiv të VMRO DPMNE-së që përpiqen të shiten nën petkun e reformave brenda partiake sipas Selimit janë sipërfaqësore dhe të diktuara nga presioni i një pjese të anëtarësisë dhe grupit reformator brenda partiak i cili çdo ditë e më shumë fiton përkrahjen e anëtarëve të thjeshtë të kësaj partie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button