Rimi

Dionis Xhafa

Dionis Xhafa

Po Rimi ishte në klasën time, në tonën më mirë me thënë. Në atë klasë ku mundeshe me vërejt varfërinë si rridhte si ujë Drini, që ne e kishim afër. E madje Drini quhej edhe i Zi, e se me të vërtetë mundet se meritonte atë emërtim, se zi ishte fati i shumë banorëve në ato zona. Po ndjeja trishtim në shpirt kur shihja se ndonjë vajze merrte me vete bukën me vezë për të mbajtur gjallë veten dhe se një baba i një vajze tjetër nuk kishte as 100 lekë të reja për të bërë dhuratë për mësuesen për 7 marsin. Po dhe Rimi hynte te djemtë që mendoj shihte të ardhmen, ashtu në një moshë të njomë. Ai ishte me trup më i madh se ne dhe se sikur ishte thërritur që të “mobilizohej” për të qenë krahë pune, e se dëftesat e shkollës më tepër i shihte si peng për me qenë akoma në shkollë sesa ishin për të qenë në të ardhmen diçka e vlefshme.

Po ndoshta e donte edhe shkollën, por se shihte se kushtet rreth e rrotull nuk ishin dhe se edhe përparimet nuk i kishte të mira. Donte apo nuk donte fati i tij ishte rrënjosur. Një pasdite, kur unë e mbaroja shkollën, pashë që pasi mblidhte qershitë në verë dilte në aksin nacional dhe i shiste në anë të rrugës. E siluetë e Rimit binte në rrugë të madhe, në xhade në kohën e muzgut, kur dielli perëndonte në ngjyrë të verdhë në të kuqe e kur shpresat ishin të venitura se mundet të kishte një klient të radhës, që në mbrëmje vere kushedi i kishte rënë në kokë të blinte qershi. E Rimi mbrëmjeve nisej sërish në fshat, me aq të holla sa kishte fituar, i vetëdijshëm për fatin e vet të hidhur që ishte caktuar edhe prej familjes ku bënte pjesë e se nesër merrte ata nota që merrte sepse fundja nuk kishte edhe kohë të mësonte.

E sot do jetë rritur e nuk di ku mund të ketë përfunduar, se ai Rim me siguri vetëm punë do, me pak rëndësi sesi ishte puna, se e përballonte çdo lloj gjëje të rëndomtë. Se ai ishte Rimi, më i madhi ndër ne, më gjigandi, e si lisat më të gjatë që digjen më lehtë prej rrufesë, edhe ai ashtu ishte caktuar që të merrej “përpara” nga valë e madhe e jetës së egër. Rimi nuk e di se ku mundet të jetë, ndoshta as ai nuk e di se ku jam e askush prej nesh nuk ka kohë të merret me tjetrin, kaq e vrullshme dhe e tmerrshme, e pashpirt sa është bërë jeta në modernitet. Po i sigurt jam se kudo të jetë, Rimi si punëtor, si zemërmadh është kudo e kurdo për të shërbyer, për të qenë bir i denjë i një republike të shkallmuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP