Për zane fmijsh na ka marrë malli

Xhabir Ahmeti

Xhabir Ahmeti

Në kullën e gurtë, në rrugën me tipare shqiptare të fshatit Martinaj, na pret Ujkani, një burrë nga viset e Malësisë së Shkodrës, por i veshur si vienez, e bashkë me të është edhe e shoqja e tij, një grua fisnike dhe mikëpritëse tipike shqiptare. Në oborrin e shndërruar në lulishte, pranë shkallëve – një tavolinë e mbuluar me një napë të bukur me katër karrige përreth, ku u ulëm, unë, prof. Abdullah Zymberi, Ujkani dhe e shoqja e tij, një bokall me lule, një shishe me verë, në mes të tavolinës e dy taketuke. Nga familja e Ujkanit në Martinaj  janë vetëm ai me të shoqen. Fëmijët, nipa e mbesa janë në Amerikë dhe i kanë lënë Ujkanin me të shoqen vetëm.

Nuk kanë pasë çare, thotë Ujkani, krejt rinia e katundit kanë shkua, e punë ktu s’ka, s’ka jetë.

Gjithandej shpërndahet era e barit, kurse përballë, e lartë ngrihet bjeshka, faqes së të cilës, të kthyer kah kulla, dielli i fortë i jep ngjyrë berili . E zoja e shtëpisë ngrihet, ngjitet lehtë shkallëve të drunjta lart në kullë dhe pas pak kthehet me kafetë.

Urdhnoni! Mirë se na keni ardhë!

Nga bjeshka vazhdimisht vijnë valë-valë freski të këndshme dhe i lëvizin gjethet e dardhës me kurorë të madhe, kurse rrezet e diellit përvidhen atëherë dhe bien midis nesh, topa-topa, thuajse fëmijët lazdranë luajnë me pasqyra për të bërë shaka me ne.  Për mua, era e lehtë dhe dritat lozonjare të diellit e plotësojnë dekorin e magjishëm që dora e njeriut dhe natyra e kanë bërë.

Epo, mirë keni ba qi keni ardhë me na vizitua. Falemnderit, thotë Ujkani.

Profesor Abdullahu, i cili e njihte me vite Ujkanin, ngushtohet ngase miku i tij i moçëm do të ketë menduar se kemi shkuar vetëm për një vizitë te ai, në kullën e tij, kurse qëllimi i shkuarjes sonë është të mbledhim këngë kapuçash a filxhanash. Prof. Abdullahu e mbledh veten me vështirësi dhe i drejtohet të zotit të shtëpisë:

O Ujkan, kësaj radhe kemi ardhur me punë…

Epo për gëzime, e ndërpret Ujkani prof. Abdullahun.

Nga bari, lulet e pemët dëgjohet kënga e zogjve të malit. Era vazhdon të na i përkëdhelë fytyrat. Ndërkaq fytyra e Ujkanit shkëlqen. Është gëzuar që i kemi shkuar në vizitë. Por neve ngushtica na shtrëngon ngapak nga droja se mos po duket se vizita jonë që i bëmë Ujkanit  është më me pak peshë se mbledhja e  këngëve.

Ujkan… thotë prof. Abdullahu.

Gëzuar! – e ndërpret Ujkani dhe i cakërron gotat me ne. Epo, mirë se ju ka pru zoti!

Mirë se ju gjetëm, ia kthejmë. Pastaj prof. Abdullahu i tregon se kësaj radhe kishim shkuar në Martinaj të vilnim këngë kapuçash, a filxhanash.

Kangë kapuçash, a?  pyet Ujkani. Po si jo, bre! Qesh pak, ngase këto këngë janë sarkastike dhe në to nuk kursehen fjalët e ashtuquajtura të ndyta. Kangë kapuçash po, aq sa i kam mbajtë mend…

Qetësinë e këtij fshati të bukur rrëzë bjeshkës e stolisin fëshfërima e gjetheve të pemëve që lëvizin nga era e lehtë dhe kënga e zogjve të malit, të cilat, po them, u bënë orkestër kur Ujkani nisi t’i këndojë këngët e kapuçave. Por edhe një qetësi e paparë, të cilën e prishin vetëm zogjtë e malit me këngën e tyre

Pastaj e zoja e shtëpisë na qeras edhe me nga një kafe.

A po ju pëlqejnë kangët? më pyet me një buzëqeshje të çiltër Ujkani.

Shumë! i them unë. Jo vetëm këngët që na i falët ju, por edhe mikpritja…  Edhe natyra.  Veçanërisht kënga e zogjve të malit nga këto mrekulli natyrore. O, ta kisha pasur këtë këngë të zogjve, të më zgjonte në mëngjes!

Jemi ngi me kangën e zogjve, or mik, ma kthen Ujkani. Malli na ka marrë për zane fmijsh, për  vaj fmije… thotë Ujkani, ndërsa të zojës së shtëpisë i rrjedhin lotët në heshtje. Sigurisht i evokon nipat e mbesat.

Si për inat, në ato çaste,  shtohen zogjtë në lulishtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

rolex replica paypal patek philippe
VERZIONI DESKTOP