DASËM E VARRIM: Ç’MJERIM!

“Sezoni i qitjes në dasma: Plumbat ranë në Shtoj dhe Plazh të madh”, “Dasma kthehet në masakër”, “Dhëndri qëllon me kallash fotografin në dasmën e vet”, “31 vjeçari lëndohet nga plumbat në dasëm”, “Vritet një 10 vjeçar nga plumbat qorrë në një dasmë”, “Vritet 19 vjeçari në dasëm të Likovës”, “Mos gjuni me alltia, se pastaj ju kruhet krija (koka)!” “A janë krismat për shkak të gëzimit të shtëpisë, apo për inat të kojshisë?” Këta janë tituj e shprehje mediash shqiptare që përshkruajnë një ves tonin, për të cilin edhe poeti Din Mehmeti ka përpiluar një poemë të titulluar “Krisma është emri im”.

Sot krisma është emri i dasmave tona, që po deformojnë këtë gjendje kufitare (të kalimit nga beqari në atë statusin bashkëshortot), duke e shndërruar atë nga ditë gëzimi në skenë lotësh, duke prurë pranë pranë emra që s’bashkohen: dasmën e varrimin. Këto dy fjalë që janë antinome, që janë të kundërta, që e përjashtojnë natyralisht njëri-tjetrin, por në kushtet e një transi dhe tranzicioni social shqiptar, janë të afërt, ndërfuten e ndërthuren mes vete dhe krijojnë një atmosferë morbide që rrëqeth çdo njeri normal. Dikur armën nuk e dinin përpos prijësve të shtëpisë, nuk përmendej ajo hapur e lëre më të vihej në veprim, sepse regjimi të ndrydhte, të rrihte e të fuste pas grilave sa të donte vetë. Në Shqipëri, “deri në vitet 40 nuk kishte dasëm ku të mos kërciste pushka për qejf. Më pas në vitet e sistemit komunist për dasmat me armë as që bëhej fjalë, ndërsa pas vitit ‘97 ato u rishfaqën përsëri.”  Sot, shqiptari ordiner një prej apoleteve të shfaqjes para të tjerëve e ka armën. Kohëve të fundit mendjemadhësia dhe krekosja jënë ndjesi që performojnë nëpër gëzimet shqiptare gjithandej, përfshirë edhe Maqedoninë. Vriten njerëz, vriten fëmijë, në çastet e darsmërimit. Dhe arsyetimi “me pahir”, “me padashje”. Po ç’dreq e mobilizoi dhe  e armatosi katilin  t’ua bëjë pelin dëfrimin njerëzve? Thua ku i ka rrënjët ky “rit irracional”, kjo skenë e degradimit, cili është ky kod kulturor që na ka hyrë në palcë dhe po metastazon në shoqërinë tonë.

Tradita e qitjes me pushkë nëpër gazmende ndër shqiptarë është një emocionalitet makabër, një pamendësi që vazhdon të ruajë kontinuitetin edhe në shekullin XXI, edhe në kohën kur gëzimi nuk duhet të shoqërohet me dimension militant, kur kapadaillëku para dasmorëve duhet të ishte histori, kur duhet të garonim me vlera të mirëfillta, kur kultura jonë duhet të ngrihet në një nivel më të lartë, kur duhet të nisim dhe të përbyllim gëzimin familjar me kënaqësi e lumturi kolektive e jo t’i shndërrojmë dasmat në varrime, krushqit në kortezhe mortore, e miqësitë në hasmëri.

Nuk e di pse duhet të mësojmë nga gabimi ynë, në vend që të mësojmë nga të largëtat, t’i themi stop kësaj çmendurie që vë në zi shumë familje. Krisjet në dasmë janë dëmtim ekonomik (harxhim i kotë), dëmtim social (virus shoqëror dhe prishje e imazhit tek të tjerët), dëmtim psikologjik (te fëmijët, te gratë, te fqinjët dhe te mysafirët e ndjeshëm), traumë që nuk shërohet me asgjë. Ndaç darsmori ndaç mysafiri që merr jetë njeriu, duhet të turpërohen nga një veprim i tillë, duhet ta hanë veten sa të jenë gjallë nëse vrasin apo plagosin dikë. Duhet ta dinë, se jeta nuk ka rifillim e as plumbi pyet për adresë, se djalli fut gishtat e vet në armë dhe pret skenën e tmerrit.

Shpesh ndodh që pushkatarët, pishtollxhinjtë apo nishanxhinjtë pa shënjestër, në ajër, të jenë persona që kanë shitur arën, veturën, kanë “qarë” para vëllit a mikut kurbetqar për ndihmë, që kanë lypur borxh për të bërë dasëm, që para dhe pas dasmës thyejnë gishtërinjtë se si do e lidhin muajin me muaj, janë nëpër fletore të dyqaneve e të kafeneve, ndërsa gjejnë para për të blerë plumba. Kësaj populli i thotë: “Hem qel hem fodull.” Po edhe nëse s’është qel po “boss”, prapë është marri arma në dasëm. Darsmori ynë ordiner, katër herë e pyet fëmijën për paratë që i kërkon mësuesja në shkollë, dy tre herë matet kur blen ndonjë veshje për anëtarët e familjes, çirret për çmimet e larta, ndërsa për fishekë ka lekë. Çfarë absurdi! Po si t’i thuash kurbetqarit që nxehet me këngët patriotike dhe s’e mban veten, bëhet tamam si rrethi ku vjen për dy javë a më tepër dhe pastaj kur kthehet në Europë, shdnërrohet në qytetar të kulturuar të Zvicrës, Danimarkës, Gjermanisë, që nuk e shkel as mizën? A mundet njeriu të ketë dy fytyra, dy identitete, një për në vendlindje dhe një për në diasporë?  Shqiptarin nëse e ndalon (nga krisja në dasëm), hidhërohet, nëse e këshillon për të mirë, nevrikoset (ndodh që edhe ta braktis dasmën). Derisa të ndodhë katastrofa. Atëherë pendohet, por vonë. Pasi ta bësh krimin, bëhu pishman edhe njëmijë herë, kot.

Organet kompetente duhet të marrin masat e duhura që qytetarët të mos zotërojnë armë që mund të keqpërdoren, të ndëshkohen ata që shkrepin armët pa arsye. Duhet edhe mobilizim masiv për heqje të kësaj ngarkese negative nga historia, për organizime me mend e jo me emocione. Në këtë drejtim obligim kanë personate referencialë, kryefamiljarët, intelektualët, politikanët, në veçanti dijetarët e fesë që duhet të theksojnë përfundimin e vrasësit, e marrësit të një jete njerëzore. Historianët, etnologët, studiuesit e folklorit, të antropologjisë kulturore, të sociologjisë, duhet të na e kristalizopjnë këtë punë. Si rodhi dhe si erdhi deri në ditë të sodit, si t’ia shmangemi këtij avazi, këtij ceni.

Shpeshherë, ia shtroj vetes pyetjen se pse vallë shumë rrallë shkruajmë për tema të mira, për diçka pozitive; vetëm analiza të veseve dhe kritika për gjendjen në të cilën gjendemi. Përgjigjja: kursi shoqëror determinon dhe temën e artikujve apo analizave.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button